Bota mbarë vazhdon të reagojë kundër sulmit terrorist në Gaziantep

Bota vazhdon të reagojë në lidhje me sulmin terrorist të ditës së shtunë në një ceremoni martesore në Gaziantep të Turqisë, ku humbën jetën 54 persona, shumica fëmijë...

Bota mbarë vazhdon të reagojë kundër sulmit terrorist në Gaziantep

Bota vazhdon të reagojë në lidhje me sulmin terrorist të ditës së shtunë në një ceremoni martesore në Gaziantep të Turqisë, ku humbën jetën 54 persona, shumica fëmijë.

Shtete të ndryshme anembanë botës, nga Rusia në Egjipt dhe nga Franca në Azerbajxhan, i përcollën ngushëllimet Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe dënuan sulmin barbar.

Kreu i shtetit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, i dërgoi homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, një telegram të drejtpërdrejtë ngushëllimi për sulmin terrorist në Gaziantep.

Ndërsa në një komunikatë me shkrim të publikuar nga Kremlini, Putin nënvizon se ngjarja e kobshme në Gaziantep risjell në vëmendje domosdoshmërinë që komuniteti ndërkombëtar të bashkojë fuqitë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, kundër terrorizmit.

“Jemi gati të zgjerojmë në çdo aspekt bashkëpunimin me partnerët turq në luftën antiterrorizëm”, thotë lideri rus në fund të komunikatës.

Sulmin në Gaziantep e dënoi edhe administrata e Uashingtonit.

“Organizatorët e këtij akti barbar kanë marrë në shënjestër poshtërsisht dhe ironikisht një dasmë. Ata janë bërë shkak për vdekjen dhe plagosjen e dhjetëra personave”, deklaroi Ned Price, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Ned Price njoftoi po ashtu se gjatë vizitës në Turqi të zv/presidentit amerikan, Joe Biden, do të merret në shqyrtim edhe lufta antiterrorizëm.

Kurse Departamenti amerikan i Shtetit e cilësoi sulmin në Gaziantep si “të pështirë” dhe i propozoi Ankarasë ndihmë në luftën kundër “fatkeqësisë së terrorizmit”.

“Ne jemi pranë Turqisë aleate dhe partnere. Rikonfirmojmë angazhimin tonë për t’i bërë ballë terrorit, që është një kërcënim i përbashkët”, thuhet në komunikatën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Në mënyrën më të fuqishme të mundshme këtë sulm çnjerëzor e dënuan gjithashtu Presidenti francez, François Hollande, ministri britanik i Punëve të Jashtme, Boris Johnson dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, të cilët ripërsëritën qëndrimin e tyre në krah të Turqisë për luftën kundër terrorizmit të urryer.

Mesazhe, që dënojnë sulmin terrorist në Gaziantep dhe shprehin solidaritet me popullin e shtetin turk, mbërritën në Ankara edhe nga Izraeli me Egjiptin.

“Populli egjiptian është pranë popullit turk në këtë periudhë kritike”, nënvizohet në komunikatën e Kajros.

Sulmin terrorist në Gaziantep e dënoi me forcë po ashtu ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Wallström.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Turqinë në çdolloj lufte të përbashkët kundër terrorizmit”, theksoi ajo.

Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Mustafa Akinci, dënoi të dielën sulmin e pabesë në juglindje të Turqisë.

Ai vuri në pah se ky sulm çnjerëzor synon të shtyjë Turqinë drejt kaosit dhe destabilitetit.

“Në emër të popullit të RTQV-së, theksoj edhe një tjetër herë solidarizimin tonë me popullit e Turqisë në këtë ditë plot dhimbje. Zoti mëshiroftë të gjitha viktimat e këtij sulmi të poshtër. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, thuhet në telegramin e liderit turkoqipriot, Mustafa Akinci.

Një telegram ngushëllimi në lidhje me sulmin terrorist në Gaziantep të Turqisë dërgoi edhe Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i cili i drejtohet homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, me fjalët: “I dashur vëlla!”

“Sulmi i tmerrshëm terrorist, që u krye gjatë një dasme në Gaziantep, ka tronditur dhe lënduar thellë të gjithë Azerbajxhanin”, thekson Aliyev në këtë mesazh drejtuar Presidentit Erdogan.

Kreu i shtetit të Azerbajxhanit nënvizon domosdoshmërinë e fillimit të një lufte tërësore, të vendosur dhe pa kthim ndaj të gjitha llojeve të terrorizmit, ndërkohë që shpreh ngushëllimet e popullit azerbajxhanas për familjet e viktimave të këtij sulmi barbar dhe për popullin turk në përgjithësi.

Ndërsa Presidenti i Turkmenisë, Gurbanguli Berdimuhamedov, në telegramin ngushëllues drejtuar Presidentit Erdogan, e cilëson atë me fjalët “i nderuar vëlla”.

Berdimuhamedov vuri në pah se Turkmenia dënon fuqishëm të gjitha llojet e terrorizmit dhe mbështet plotësisht komunitetin ndërkombëtar në përpjekjet e tij për ta luftuar dhe zhdukur këtë fatkeqësi.

Presidenti italian, Sergio Mattarella, i dërgoi homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, një telegram të drejtpërdrejtë ngushëllimi për sulmin terrorist në Gaziantep.

“Ky akt vizor, që shpërfill shoqërinë civile dhe rregullat e bashkëjetesës, nuk do të na gjunjëzojë dot në mbrojtjen me vendosmëri të vlerave dhe parimeve tona, si dhe në luftën tonë kundër terrorizmit”, shprehej Mattarella.

Mes shteteve, që dënuan këtë sulm terrorist dhe shprehën solidaritet me popullin e shtetin turk, renditen gjithashtu Irani, Pakistani, Austria, Gjeorgjia, Shqipëria, Kosova, Rumania, Arabia Saudite, Jordania, Bahrejni dhe Katari.

Papa Francesku shprehu keqardhje të thellë për lajmin e këtij sulmi të përgjakshëm.

“Ndihem i pikëlluar nga ky sulm barbar, që ka goditur Turqinë e dashur. Të lutemi për viktimat e sulmit, për të vrarët dhe të plagosurit. Uroj paqe për të gjithë”, deklaroi lideri shpirtëror i katolikëve dhe njëherësh President i Vatikanit.

Ai gjithashtu bëri lutje për viktimat gjatë meshës së të dielës.

Kreu i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, e dënoi me forcë aktin çnjerëzor në Gaziantep duke thënë se “terroristët mbollën vdekje, lot e vrer në një vend, ku shenjtërohej dashuria dhe jeta”.

Kurse sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, dënoi sulmin dhe bëri thirrje për intensifikimin e përpjekjeve rajonale dhe ndërkombëtare në lidhje me luftën antiterrorizëm dhe parandalimin e akteve të tilla.



Lajme të ngjashme