Bota dënon sulmin terrorist në Gaziantep dhe solidarizohet me Turqinë

Shtete të ndryshme të botës vazhdojnë t’i dërgojnë Turqisë mesazhe të njëpasnjëshme ngushëllimi dhe dënuese lidhur me sulmin terrorist të ditës së shtunë në Gaziantep, ku humbën jetën të paktën 51 persona...

556287
Bota dënon sulmin terrorist në Gaziantep dhe solidarizohet me Turqinë

Shtete të ndryshme të botës vazhdojnë t’i dërgojnë Turqisë mesazhe të njëpasnjëshme ngushëllimi dhe dënuese lidhur me sulmin terrorist të ditës së shtunë në Gaziantep, ku humbën jetën të paktën 51 persona.

Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Mustafa Akinci, dënoi sot sulmin e pabesë në juglindje të Turqisë.

Ai vuri në pah se ky sulm çnjerëzor synon të shtyjë Turqinë drejt kaosit dhe destabilitetit.

“Në emër të popullit të RTQV-së, theksoj edhe një tjetër herë solidarizimin tonë me popullin e Turqisë në këtë ditë plot dhimbje. Zoti mëshiroftë të gjitha viktimat e këtij sulmi të poshtër. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, thuhet në telegramin e liderit turkoqipriot, Mustafa Akinci.

Një mesazh ngushëllimi në lidhje me sulmin terrorist në Gaziantep të Turqisë publikoi sot edhe Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

“Sulmi i tmerrshëm terrorist, që u krye gjatë një ceremonie martesore në Gaziantep, ka tronditur dhe lënduar thellë të gjithë Azerbajxhanin”, thekson Aliyev në këtë mesazh drejtuar Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Kreu i shtetit të Azerbajxhanit nënvizon domosdoshmërinë e fillimit të një lufte tërësore, të vendosur dhe pa kthim ndaj të gjitha llojeve të terrorizmit, ndërkohë që shpreh ngushëllimet e popullit azerbajxhanas për familjet e viktimave të këtij sulmi barbar dhe për popullin turk në përgjithësi.

Sulmin terrorist në Gaziantep e dënoi gjithashtu ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ankara, John Bass.

“Dënojmë sulmin barbar, që u krye mbrëmë në Gaziantep ndaj civilëve të pafajshëm. Renditemi në krah të Turqisë aleate dhe jemi të përkushtuar që të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë për të mposhtur kërcimin e përbashkët të terrorizmit”, u shpreh John Bass përmes një postimi nga llogaria zyrtare në “Twitter” e Ambasadës së SHBA-së në Turqi.

Aktin terrorist në fjalë e dënoi me anë të llogarisë zyrtare në të njëjtin rrjet social edhe ambasadori britanik në kryeqytetin turk, Richard Moore.

“Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e pikëlluara dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit pas sulmit të tmerrshëm në Gaziantepin e bukur. Dënoj plotësisht këtë sulm terrorist dhe të gjitha masakrat e PKK-së kohëve të fundit. Mbretëria e Bashkuar qëndron fuqishëm me Turqinë kundër çdo lloji të terrorizmit”, theksoi ambasadori Moore në mesazhin e tij.

Presidenti i Francës, François Hollande, ka dënuar sot “fuqishëm” sulmin terrorist mbrëmjen e të shtunës në Gaziantep të Turqisë.

“Kreu i shtetit dënon me forcë sulmin e poshtër terrorist, që shkaktoi të paktën 50 të vrarë gjatë një dasme mbrëmjen e djeshme. Franca shpreh ngushëllimet e saj për autoritetet turke dhe për të gjithë popullin e Turqisë. Jemi pranë të gjithë atyre që luftojnë kundër terrorizmit”, thuhet në komunikatën me shkrim të Pallatit “Elysee”.

Hollande e postoi këtë mesazh ngushëllimi për sulmin terrorist në Gaziantep edhe në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”.

Kreu i shtetit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, i dërgoi homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, një telegram të drejtpërdrejtë ngushëllimi për sulmin terrorist në Gaziantep.

Ndërsa në një komunikatë me shkrim të publikuar nga Kremlini, Putin nënvizon se ngjarja e kobshme në Gaziantep risjell në vëmendje domosdoshmërinë që komuniteti ndërkombëtar të bashkojë fuqitë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, kundër terrorizmit.

“Jemi gati të zgjerojmë në çdo aspekt bashkëpunimin me partnerët turq në luftën antiterrorizëm”, thotë lideri rus në fund të komunikatës.

Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë gjithashtu dënoi sulmin terrorist në një ceremoni dasme në qendër të qytetit juglindor të Turqisë.

“Qëndrojmë pranë popullit turk të gjithë së bashku kundër terrorizmit. Ngushëllime për familjet e viktimave”, shkruhet në postimin e MPJ greke në “Twitter”.

Papa Francesku shprehu keqardhje të thellë për lajmin e këtij sulmi të përgjakshëm.

“Ndihem i pikëlluar nga ky sulm barbar, që ka goditur Turqinë e dashur. Të lutemi për viktimat e sulmit, për të vrarët dhe të plagosurit. Uroj paqe për të gjithë”, deklaroi lideri shpirtëror i katolikëve dhe njëherësh President i Vatikanit.

Zëdhënësi i qeverisë së Jordanisë, Mohammad al-Momani, dënoi në emër të popullit dhe ekzekutivit të vendit të tij sulmin terrorist, që shënjestroi një ceremoni martesore në Gaziantep.

Përmes një komunikate të publikuar në agjencinë zyrtare jordaneze të lajmeve “Petra”, Al-Momani gjithashtu vuri në pah se ky akt çnjerëzor demonstron edhe domosdoshmërinë për një bashkëpunim gjithëpërfshirës të komunitetit ndërkombëtar kundër organizatave terroriste.

Jordania – përfundonte komunikata – renditet në krah të Turqisë për të luftuar terrorizmin, shpreh ngushëllime për qeverinë turke dhe uron shërim të shpejtë për të plagosurit.

Ndërsa në mesazhin e Ministrisë së Jashtme të Bahrejnit, publikuar në agjencinë zyrtare të lajmeve “BNA”, vlerësohej se ky sulm terrorist ka në shënjestër sigurinë dhe stabilitetin e Turqisë, ndërsa theksohej se Bahrejni është pranë Turqisë në luftën kundër radikalizmit, dhunës dhe terrorit.

Solidaritet me Republikën e Turqisë dhe popullin e saj përcolli me një komunikatë me shkrim edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit, e cila u deklarua e gatshme të mbështesë fuqimisht përpjekjet në lidhje me mbrojtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend.

Po ashtu, sulmin terrorist në Gaziantep e dënoi me forcë edhe ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Wallström.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Turqinë në çdolloj lufte të përbashkët kundër terrorizmit”, theksoi ajo.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar në lidhje me sulmin terrorist në Gaziantep të Turqisë duke shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjet e viktimave.

Në një postim në “Twitter”, Bushati shkruan: “Një tjetër sulm vdekjeprurës terrorist në një dasmë në Turqi. Mendimet e mia janë me familjet e viktimave.”



Lajme të ngjashme