Çavushollu: ShBA-ja të mbajë premtimet për PYD

Ministri i jashtëm turk u tha gazetarëve të hënën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) duhet të mbajnë premtimet që kanë bërë në lidhje kalimin sërish në lindje të Lumit Eufrat të PYD-së, e cila është pjesë e forcave demokratike në Siri.

Çavushollu: ShBA-ja të mbajë premtimet për PYD

Mevlut Çavushollu në përgjigje të interesit të gazetarëve pas takimit me liderin e opozitës Këllëçdarollu tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) duhet të mbajnë premtimet që kanë bërë në lidhje kalimin sërish në lindje të Lumit Eufrat të PYD-së, e cila është pjesë e forcave demokratike në Siri.

Ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) të hënën u takua me Kryetarin e Partisë Republikane Popullore (CHP), Kemal Këllëçdarollu (Kemal Kılıçdaroğlu).

Në deklaratat për gazetarët pas këtij takimi Çavushollu tha: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Obama personalisht kanë bërë premtime në lidhje me kalimin përsëri në lindje të Lumit Eufrat të pjesëtarëve te PYD-së, të cilët bëjnë pjesë brenda forcave demokratike pas përfundimit të operacionit për çlirimin e Munbixhit. Tani duhet që Amerika ta mbajë fjalën e dhënë. Kjo është edhe ajo çfarë presim ne. Ndërkohë vazhdojmë kontaktet në lidhje me këtë çështje”.

Në lidhje me vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë në Turqi shefi i diplomacisë turke bëri këto sqarime: “Më 24 gusht vjen Biden. Më herët kishte shprehur dëshirën për të vizituar Turqinë edhe Kerry. Në vend të Kerry-it do të vijë Biden. Ky është një vendim që e kanë marrë amerikanët”.

Çavushollu u tha gazetarëve se vazhdon procesi për ekstradimin e kreut të Organizatës Terroriste Guleniste Struktura Paralele në Shtet (FETO/PDY), Fethullah Gulen, duke thënë se dokumentacioni dhe kërkesat për arrestimin e tij që janë përgatitur nga Ministria turke e Drejtësisë u janë përcjellë Departamentit amerikan të Drejtësisë përmes Departamentit të Shtetit (të ShBA).

“Tani vazhdon grumbullimi i informacioneve, dokumenteve, provave në lidhje me tentativën e grushtit të shtetit dhe gjatë këtij procesi vazhdojmë gjithashtu edhe takimet politike”, u shpreh Çavushollu.



Lajme të ngjashme