BE-ja solidarizohet me Turqinë kundër sulmeve terroriste të PKK-së

Bashkimi Evropian shprehu solidarizimin e tij me Turqinë karshi sulmeve të pabesa, që organizata terroriste PKK ndërmori dy ditë më parë në Diyarbakir dhe Mardin...

BE-ja solidarizohet me Turqinë kundër sulmeve terroriste të PKK-së

Bashkimi Evropian shprehu solidarizimin e tij me Turqinë karshi sulmeve të pabesa, që organizata terroriste PKK ndërmori dy ditë më parë në Diyarbakir dhe Mardin.

Turqia është bërë përsëri shënjestër e sulmeve terroriste në Diyarbakir dhe Mardin, thuhet në një komunikatë me shkrim të Komisionit Evropian, që shpreh ngushëllime për familjet e viktimave dhe uron shërim të shpejtë për të plagosurit.

“Unioni rikonfirmon solidaritetin e tij të vazhdueshëm me Turqinë, qeverinë dhe popullin e saj. Autoritetet turke gjenden përballë sfidave të vështira. Mes tyre janë edhe aktet e dhunshme të PKK-së, e cila renditet në listën e zezë të BE-së për organizatat terroriste”, theksohet në komunikatën e Brukselit.

Si pasojë e sulmit me autobombë në qytezën Sur të Diyarbakirit, organizuar nga terroristë anëtarë të grupit separatist PKK ndaj një mjeti transportues të policisë, mbetën të vrarë 5 pjesëtarë të së njëjtës familjeje dhe u plagosën 12 të tjerë, nga të cilët 5 policë.

Ndërsa në qytezën Kiziltepe të Mardinit, terroristët e organizatës separatiste PKK martirizuan një polic, vranë dy civilë dhe plagosën gjithsej 30 persona, mes tyre 5 policë, duke shpërthyer me telekomandë një autobombë, parkuar më parë në anë të rrugës, teksa atje po kalonte një autoblindë e njësive policore të ndërhyrjes së shpejtë.



Lajme të ngjashme