​​​​​​​Marrëdhëniet Turqi-Rusi, një periudhë e re po fillon

Vizita e nesërme e kreut të shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Rusi, pritet që të nxisë përshpejtimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe rikthimin e shkëmbimeve tregtare në nivelin e ditëve të arta...

​​​​​​​Marrëdhëniet Turqi-Rusi, një periudhë e re po fillon

Një periudhë e re po fillon në marrëdhëniet Turqi-Rusi.

Vizita e nesërme e kreut të shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Rusi, pritet që të nxisë përshpejtimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe rikthimin e shkëmbimeve tregtare në nivelin e ditëve të arta.

Presidenti Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të takohen kokë më kokë në qytetin Shën-Petërburg, për herë të parë pas rreth 9 muajsh.

Takimi i parë Erdogan-Putin pas krizës së avionit më 24 nëntor 2015, pritet të jetë një kurs veprimi për të ardhmen e marrëdhënieve turko-ruse.

Agjenda e takimit mes dy liderëve, të cilët janë mbledhur për herë të fundit në kuadër të samitit të G20-s, që u mbajt më 15 nëntor të vitit të kaluar në Antalia, formohet nga disa pika të rëndësishme në aspektin e rigjallërimit të marrëdhënieve dypalëshe, e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe e krizave rajonale, me theks të veçantë mbi Sirinë.

Ali Galip Savasir, zv/president i Këshillit të Biznesit Turqi-Rusi pranë Bordit turk të Marrëdhënieve Ekonomike të Jashtme (DEIK), bëri një vlerësim të takimit të nesërm Erdogan-Putin në Shën-Petërburg.

“Kam dijeni se Rusia është përgatitur shumë mirë për këtë takim. Do të jetë një vizitë me rëndësi të madhe qoftë për marrëdhëniet tregtare, qoftë për të ndryshuar pikëpamjen negative ndërmjet popujve të dy vendeve”, tha ai.

Ndërsa presidenti i Këshillit Turistik të Unionit të Dhomave dhe Bursave të Turqisë, Osman Ayik, shprehu optimizmin e operatorëve turistikë për këtë vizitë dhe bëri me dije se një delegacion rus ka realizuar kontakte në aeroportet e Stambollit të enjten dhe në atë të Antalias ditën e premte të javës së shkuar.

“Fluturimet e planifikuara ndërmjet Turqisë dhe Rusisë vazhdojnë pa asnjë problem. Sakaq, trafiku i fluturimeve do të përshpejtohet edhe më shumë porsa të nisin edhe fluturimet Charter”, siguroi Osman Ayik duke theksuar se të paktën 500 mijë turistë rusë do të vizitojnë Turqinë gjatë disa javëve në vijim.



Lajme të ngjashme