Yildirim: Turqia është shtet ligjor, s’do të ketë ekzekutime jashtëgjyqësore

I ftuar në një transmetim të përbashkët të disa televizioneve private, shefi i Ankarasë zyrtare bëri vlerësime të hollësishme në lidhje me rendin e ditës në Turqi...

Yildirim: Turqia është shtet ligjor, s’do të ketë ekzekutime jashtëgjyqësore

Kryeministri turk, Binali Yildirim, deklaroi të martën në mbrëmje se përmes rregullimeve ligjore në ekuilibrin ushtarako-civil nuk janë dobësuar Forcat e Armatosura të Turqisë, përkundrazi, është përgatitur terreni për funksionimin efikas të tyre.

Binali Yildrim theksoi se në këto rregullime ligjore janë marrë për bazë funksionet e ushtrive në vendet e zhvilluara.

“Ne bëmë ç’ishte e nevojshme që këtej e tutje organizata terroriste guleniste (FETO) të mos shkaktojë më dëme brenda ushtrisë dhe të mos ndërmerren më tentativa për grusht shteti të ngjashme me 15 korrikun”, tha ai.

I ftuar në një transmetim të përbashkët të disa televizioneve private, shefi i Ankarasë zyrtare bëri vlerësime të hollësishme në lidhje me rendin e ditës në Turqi.

Yildirim vuri në pah se autorët e tentativës së 15 korrikut për grusht shteti do të marrin dënimin më të rëndë të mundshëm sipas kuadrit ligjor.

“Nuk do të shpëtojnë paq. Por veçanërisht dua të nënvizoj se do të veprojmë me drejtësi. Sepse Turqia është shtet ligjor dhe në një shtet ligjor nuk ka ekzekutim jashtëgjyqësor. Ata bënë ekzekutime jashtëgjyqësore, por ne jemi shteti dhe s’na shkon për shtat të bëjmë ekzekutime jashtëgjyqësore”, siguroi ai.

Puçistët – vijoi Binali Yildirim – natën e tentativës dolën me parullën “paqe në atdhe”, ndërkohë që në anën tjetër lëshuan rrebeshe plumbash mbi popullatën civile.

“Nuk arrijmë të kuptojmë se për çfarë qëllimi të lartë e bënë këtë. S’arrijmë të kuptojmë as në emër të kujt u bë. Nëse u bë në emër të ardhmërisë së këtij vendi, në emër të mirëqenies së këtij vendi apo në përpjekje për përparimin e mëtejshëm të këtij vendi, atëherë përse i vrisni këta njerëz? Përse fluturoni me avionë dhe bombardoni? Pse i drejtoni tanket nga turmat e njerëzve? Pse hapni zjarr kuturu nga helikopterët mbi njerëzit? Përse vrisni me snajper njerëzit që ju kundërshtojnë? Të gjitha këto do të pyeten”, u shpreh kryeministri turk.

Mes të tjerash, Yildirim nënvizoi se dihet që tentativa për grusht shteti është planifikuar nga Fethullah Guleni.

“Por a ka Fethullah Guleni kapacitet të mjaftueshëm për të planifikuar këtë puç ushtarak? Kjo është pyetja që kërkon përgjigje. Debatet në lidhje me këtë çështje vijojnë ende. Në këtë mes ka patjetër një mendje superiore. Edhe këtë gjë e dimë, por duhet vërtetuar”, tha kreu i qeverisë turke.

Binali Yildirim u ndal gjithashtu mbi rojën e demokracisë, që populli turk vijon me vendosmëri që prej 15 korrikut.

“Kam një lutje të veçantë për qytetarët tanë: Le t’i pranojmë dallimet tona si pasuri. Sot është dita të përqafohemi. Të vazhdojmë këtë rojë të demokracisë”, u shpreh ai.

Kryeministri Yildirim theksoi se të dielën në Stamboll do të mbahet me pjesëmarrje të gjerë “Mitingu i Demokracisë dhe Dëshmorëve”, ku të ftuara janë edhe partitë opozitare.



Lajme të ngjashme