Koment – Si arriti këtë herë vullneti i popullit të ndalë puçistët në Turqi?!

Analizë në lidhje me arsyen pse dështoi tentativa për grusht shteti në Turqi dhe standardin e dyfishtë, që mbizotëron në vendet perëndimore karshi popullit turk, i cili i doli zot vullnetit të tij duke sprapsur tentativën puçiste të 15 korrikut...

543738
Koment – Si arriti këtë herë vullneti i popullit të ndalë puçistët në Turqi?!
darbeye karsi4.jpg
darbe tank.JPG
darbeye karsi1.jpg
darbe halk
fetö'nün darbe girişimine tepkiler.jpg

Në këtë analizë do të flasim për dy çështje të rëndësishme në lidhje me tentativën e dështuar të 15 korrikut për grusht shteti në Turqi. Fillimisht do të marrim në shqyrtim arsyen pse dështoi tentativa për grusht shteti. Ndërsa më pas do të trajtojmë standardin e dyfishtë, që mbizotëron në vendet perëndimore karshi popullit turk, që i doli për zot vullnetit të tij duke sprapsur tentativën për grusht shteti.

Më datë 15 korrik, Turqia u bë dëshmitare e një tentative për grusht shteti. Organizata terroriste guleniste/struktura e shtetit paralel (FETO/PDY) kishte filluar që në vitet 1970 infiltrimin e saj sistematik në institucionet publike dhe shtetërore turke për të marrë në dorë kontrollin e shtetit. E bindur se tashmë ishte fuqizuar mjaftueshëm, organizata bëri hapin e saj të parë kundër shtetit turk më datë 7 shkurt 2012. Një kryeprokuror anëtar i FETO/PDY, i infiltruar në sistemin gjyqësor të vendit, mbështetur nga disa oficerë policie gjithashtu anëtarë të kësaj organizate terroriste, u përpoq të marrë në pyetje dhe të arrestojë shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar të Turqisë (MIT). Realisht ky operacion ndërmerrej kundër kryeministrit të atëhershëm, Recep Tayyip Erdogan - sot president - duke tentuar vendosjen e shefit të inteligjencës me shpatulla pas murit.

Kjo u pasua nga operacioni i 17-25 dhjetorit 2013. Struktura e shtetit paralel, e cila po orvatej që të manipulonte perceptimin e opinionit publik turk përmes pretendimeve për korrupsion, angazhoi në këtë mes zgjatimet e saj të vendosura në organet e drejtësisë dhe në polici. Qëllimi ishte rrëzimi i qeverisë Erdogan përmes një puçi gjyqësor.

Menjëherë pas këtyre dy ngjarjeve, shteti turk u vu në veprim për të pastruar mbetjet e infiltruara në shtet të kësaj strukture kult, që nuk ia arriti dot qëllimit të saj të errët për të përmbysur pushtetin duke shfrytëzuar organet dhe manipuluar rregullat e regjimit. Organizata terroriste guleniste, e cila kuptoi shumë shpejt se kjo ecuri po e çonte me shpejtësi në një qorrsokak, vendosi të dalë jashtë sistemit. Këtë herë do të merrnin kontrollin e shtetit përmes një puçi ushtarak. Dhe për këtë u zgjuan celulat e fjetura, që ishin infiltruar në njësi të ndryshme të ushtrisë turke. Më datë 15 korrik, ata do të rrëzonin qeverinë me grusht shteti dhe do të shtinin në dorë pushtetin. Por tentativa dështoi.

Një nga faktorët e rëndësishëm të dështimit të tentativës për grusht shteti në Turqi ishte mungesa e mbështetjes popullore për anëtarët e organizatës terroriste guleniste të përfshirë në juntën tradhtare të 15 korrikut. Tentativa e tyre nuk kishte bazë mbi themelet e shoqërisë. Përkundrazi, ata gjetën përballë tyre një forcë politike, votat e të cilës janë rritur në çdo zgjedhje që nga viti 2002, me një përjashtim të vetëm, si dhe një president të fortë e karizmatik të mbështetur fuqimisht nga populli. Po ashtu, ata u përballën edhe me një shtresë të mesme të qëndrueshme në radhët e vullnetit popullor, e cila është fuqizuar ndjeshëm si rezultat i stabilitetit dhe rritjes ekonomike të shënuar gjatë qeverisjes së Partisë AK. Populli turk iu përgjigj menjëherë thirrjeve, qoftë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, qoftë dhe të përfaqësuesve të qeverisë. Sa hap e mbyll sytë, miliona qytetarë të Republikës së Turqisë vërshuan në rrugë e sheshe për t’i dalë zot vullnetit popullor. Kjo ishte një risi për këtë vend, ku puçet ushtarake kanë pasur sukses plot 4 herë të tjera më parë. Tjetër faktor i rëndësishëm i dështimit të tentativës për grusht shteti ishte se grupi puçist i organizatës terroriste guleniste veproi në kundërshtim me zinxhirin komandues të ushtrisë turke. Ata jo vetëm që nuk kishin mbështetje nga komandantët e forcave, por në mesin e tyre s’kishte as edhe një ushtarak në nivel komandant armate apo me gradën gjeneralarmate. Puçistët ishin elementë të infiltruar brenda shtetit nga FETO/PDY, një lëvizje me fasadë fetare dhe me lidhje të jashtme të errëta. Prapëseprapë ata nuk ishin dominues në ushtri, edhe pse kishin arritur të infiltroheshin në postet kyçe të Forcave të Armatosura të Turqisë. Nga ana tjetër, puçistëve iu desh të përballen edhe me policinë turke, një tjetër element i rëndësishëm i shërbimeve të sigurisë në vend.

Vërshimi i popullit në rrugë e sheshe duke u vënë gjoksin tankeve, për të parandaluar puçin ushtarak në Turqi, është një situatë që ia vlen të shkruhet me germa të arta në historinë e demokracisë. Edhe pse heroizmi i popullit turk është i qartë, lehtësisht i dukshëm dhe i jashtëzakonshëm, vihet re se analistët dhe zyrtarët perëndimorë po e injorojnë luftën e tij për t’i dalë për zot vullnetit kombëtar. Ata po fokusohen më tepër mbi kundërpërgjigjen e shtetit turk ndaj puçistëve, në përpjekje për të bërë spekulime të ndryshme. Ndërkohë që manifestimi i një populli demokratik duket sheshit, bie në sy telashi i tyre për të shpalosur “deficitin demokratik të pashmangshëm të një kombi joperëndimor”. Vërejmë se qëndrimi i tyre është gati i llojit “bëni ç’të doni, por provimin e demokracisë nuk keni për ta marrë kurrë”.

Qëndrimi i disa mediave ndërkombëtare më 15 korrik, kur organizata terroriste guleniste/struktura e shtetit paralel ndërmori tentativën tradhtare, ishte një shembull i keq i gazetarisë. Ndërkohë që përcillnin pamjet e dhunshme në Ankara dhe në Stamboll, këto organe mediatike e ulnin zërin tek fraza “tentativë për grusht shteti”. Dhe kur e panë që tentativa u zmbraps, parashtruan se kjo gjendje do të përdorej nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe nga Ankaraja zyrtare për të fituar më shumë autoritet. Këtë e bënë madje duke shpërfillur bombardimet ndaj Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Pallatit Presidencial, Drejtorisë së Policisë, Shtabit të Përgjithshëm dhe shtypjen e njerëzve nga tanket. Pikërisht këtu filloi edhe shqetësimi ndaj etikës së informimit të këtyre institucioneve mediatike. Mediat në fjalë u munduan t’i përcjellin pamjet e masakrave të terroristëve me uniforma ushtarake sikur në Turqi qytetarët ishin përfshirë në lufte civile. Me trupat e të rinjve, që dolën përpara tankeve për t’i sprapsur, u bënë përpjekje për të krijuar një atmosferë sikur njerëzit po vrisnin njëri-tjetrin. Sikur terroristët e kamufluar me uniformë ushtarake nuk hidhnin bomba mbi popullin, por përforconin demokracinë nga ajri.

Disa organe mediatike perëndimore, ku ia vlen të përmenden sidomos “BBC” dhe “The Independent”, i shndërruan transmetimet e tyre pothuajse në propagandë antiErdogan. Madje një analist i BBC-së do të guxonte marrëzisht të thoshte se “një gabim i puçistëve ishte që nuk vranë dot Erdoganin”.

I ndryshëm nga qëndrimi i mediave nuk ishte as ai i autoriteteve perëndimore, organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Populli i Turqisë, i cili dha një leksion demokracie për të gjithë botën, nuk kishte emër. I gjithë shqetësimi i tyre ishte mënyra sesi shteti turk do të kërkonte llogari nga puçistët, që kishin shkaktuar vdekjen e rreth 250 njerëzve të pafajshëm. Vallë qeveria do të ndëshkonte kriminelët e vërtetë, apo do të gjurmonte emrat në listat e parapërgatitura?

Por ajo çka ata harruan ishte kjo: Ekzistenca e ligjeve, që mundësojnë ndalimin dhe arrestimin e të dyshuarve për terrorizëm pa një aktakuzë konkrete, në SHBA dhe në shumicën e vendeve anëtare të BE-së.

Duke i dalë zot vullnetit të tij dhe demokracisë, populli i Turqisë shpalosi edhe një realitet të pakontestueshëm: Politikat me standard të dyfishtë, që bota perëndimore ndjek në Lindjen e Mesme, si dhe vlerat e larta morale, që ajo pretendon se zotëron, në të vërtetë burojnë nga luginat e errëta të hipokrizisë mashtruese.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme