Koment – Performanca e tregtisë së jashtme të Turqisë në qershor 2016

Analizë në lidhje me performancën e tregtisë së jashtme të Turqisë në muajin qershor 2016, që në terma vjetore shkon deri në 400-450 miliardë dollarë duke e renditur atë në mesin e 20 ekonomive më të fuqishme në botë...

Koment – Performanca e tregtisë së jashtme të Turqisë në qershor 2016

Vendet e industrializuara dhe ato në zhvillim e sipër synojnë të fitojnë të ardhura në valutë dhe të rrisin ekonomitë e tyre duke u shitur shteteve të tjera mallrat dhe shërbimet, që kanë prodhuar. Hyrja e valutës kontribuon në shtimin e likuiditetit, në reduktimin e normave të interesit dhe në rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve brenda vendit. Po ashtu, firmat eksportuese nxisin edhe punësimin duke bërë investime të reja.

Ekonomia turke në zhvillim renditet mes atyre 20 më të mëdhave në botë, që njihen gjerësisht si G20. Me një popullsi rreth 80 milionë banorë, Turqia është një ndër vendet me import-eksport të lartë. Falë popullsisë së re në moshë dhe dinamike, ky vend ka arritur një nivel prodhimi të lartë, që në 15 vitet e fundit ka sjellë rrjedhimisht edhe shumëfishimin e shifrave të eksportit. Zërat e eksportit turk formojnë një gamë mjaft të gjerë duke filluar që nga automobilistika dhe industria e armëve, e deri tek energjia dhe produktet bujqësore.

Gjatë ditëve të kaluara, Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK) publikoi shifrat e tregtisë së jashtme turke për muajin qershor 2016. Sipas këtyre statistikave, eksporti i Turqisë në qershor të këtij viti është rritur me 8,1% në krahasim me të njëjtin muaj të 2015-s, për një shumë prej 12,9 miliardë dollarësh. Ndërsa importi turk në qershor të 2016-s ka shënuar një rritje me 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke arritur në 19,4 miliardë dollarë. Sa i përket deficitit tregtar të Turqisë, kryesisht për shkak të importit të energjisë, është regjistruar një rënie drastike me 16%, që e përkthyer në shifra do të thotë 27,9 miliardë dollarë amerikanë. Destinacioni kryesor i eksportit turk në muajin qershor 2016 rezulton të jetë Gjermania, e pasuar nga Britania e Madhe. Pjesa e Bashkimit Evropian në eksportin e Turqisë për vitin 2016 ka arritur në nivelin 48,5%, nga 46,1% që ishte në 2015-n, për një total prej 6,27 miliardë dollarësh. Ndërsa eksporti i përgjithshëm i Turqisë gjatë periudhës janar-qershor 2016 ka kapur shumën e 73,4 miliardë dollarëve. Sektori i prodhimit – thekson raporti i TUIK për muajin qershor – zë vendin e parë në eksportin turk. Kurse në bash të listës së importit, që Turqia ka realizuar gjatë të njëjtës periudhe, renditen lëndët e para.

Si përfundim, falë ekonomisë së saj në zhvillim dhe tregtisë së jashtme vjetore që shkon deri në 400-450 miliardë dollarë, Turqia renditet mes 20 ekonomive më të fuqishme në botë. Në 15 vitet e fundit, vëllimi i tregtisë së jashtme turke ka kapërcyer pragun e 400 miliardë dollarëve, nga 82 miliardë dollarë që ishte më parë. Pjesa e tregtisë së jashtme në prodhimin e brendshëm bruto (PBB) të vendit është rritur në 48%, nga 37% që ishte më shumë se një dekadë më parë. Objektivi primar i ekonomisë turke në zhvillim deri në vitin 2023, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të republikës, është të realizojë së paku 500 miliardë dollarë eksport në vit. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Turqisë, eksporti turk në qershor të këtij viti është rritur me 8,1%. Për realizimin e këtij objektivi jubilar, qeveria turke ka hartuar edhe një sërë paketash stimuluese. Në këtë kontekst, rritja e nivelit të eksportit do të vazhdojë të kontribuojë fuqishëm në zhvillimin e ekonomisë, në reduktimin e papunësisë dhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Turqisë.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabuk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme