Kalin: Do t’i pastrojmë këto sekrecione nga organet shtetërore në Turqi

“Do të vazhdojë lufta kundër terrorizmit, që përbën pengesë për shtetit. Me luftën kundër PKK-së do të pastrohen edhe gjithë këto sekrecione”, deklaroi zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin...

535123
Kalin: Do t’i pastrojmë këto sekrecione nga organet shtetërore në Turqi

Zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, deklaroi të enjten në mbrëmje se tentativa e 15 korrikut për grusht shteti është neutralizuar me guximin e popullit.

“Populli ynë e shtypi dhe groposi tentativën e këtyre terroristëve për grusht shteti duke e kthyer atë në një festival të madh demokracie. Me lejen e Allahut, këta nuk do të mund ta ngrenë më kokën”, theksoi Ibrahim Kalin, i ftuar në studion e moderatorit dhe kreut të Departamentit të Lajmeve dhe Transmetimeve Sportive të TRT-së, Yasar Taskin Koç, në kanalin informativ, “TRT Haber”.

Kalin shpjegoi se fundërrinat puçiste shtypën me tanke dhe goditën me snajper njerëzit civilë, të cilët nuk mbanin në duar asgjë tjetër përveçse flamurit kombëtar.

“Do të vazhdojë lufta kundër terrorizmit, që përbën pengesë për shtetit. Me luftën kundër PKK-së do të pastrohen edhe gjithë këto sekrecione”, u shpreh ai.

Objektivi kryesor i puçistëve, vijoi Kalin, ishte të vrisnin Presidentin Recep Tayyip Erdogan, por atë natë kreu i shtetit i dha popullit mesazhin “tubohuni në rrugë” dhe kjo rezultoi një moment thyerjeje.

“Ai tha pa asnjë mëdyshje se kjo është një tentativë për grusht shteti dhe ftoi qytetarët në rrugë e sheshe. Natyrisht që në ato çaste një mesazh  drejtpërdrejtë nga Presidenti Erdogan ishte shumë i rëndësishëm. Unë personalisht isha në kontakt të vazhdueshëm me disa miq nga TRT-ja dhe mësuam se televizioni shtetëror ishte bastisur, madje ishte pushtuar. Ai ishte një çast jashtëzakonisht kritik. Ne vumë në dispozicion çdo gjë që zotëronim dhe realizuam një lidhje me ‘FaceTime’. Ajo ishte një pikë thyerjeje, njerëzit vërshuan nëpër rrugë e sheshe”, tregoi zëdhënësi i Presidencës për “TRT Haber”.

Ndërsa gjatë një transmetimi direkt në një televizion privat, Ibrahim Kalin bëri me dije se puçistët kuptuan se planet e tyre ishin deshifruar dhe u detyruan që të nisin grushtin përpara kohe. Në ato momente, të gjithë u angazhuan maksimalisht dhe sigurisht që vunë në gatishmëri çdo mjet të mundshëm në shërbim të frenimit të grushtit të shtetit.

Ambasadori Kalin u ndal gjithashtu mbi kritikat në lidhje me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai rikujtoi se edhe në Evropë ka vende, që kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas sulmeve terroriste, duke paraqitur si shembull më konkret Francën, që shpalli gjendje të jashtëzakonshme pas sulmit terrorist në Paris.

“Kurrkush nuk tha se ‘në Francë po zhduken të drejtat e njeriut’ apo ‘tregjet do të kapitullojnë’. Prandaj askush të mos i thotë Turqisë atë, që nuk ia tha dot Francës. Këto fjalë i kemi edhe për Evropën edhe për të gjithë ata, që do të shprehen në këtë formë. Në Belgjikë, kur u bë sulmi në Bruksel, ata shpallën gjendje të jashtëzakonshme, madje këtë gjë e kishin bërë edhe më parë. Askush të mos i thotë Turqisë atë, që nuk ia tha dot Belgjikës. Ne, këtu, do ta zbatojmë gjendjen e jashtëzakonshme në kuadër të dispozitave ligjore; s’ka asgjë që do të prekë jetën normale dhe përditshmërinë, por shteti do të bëjë ç’të jetë e nevojshme për çrrënjosjen e këtyre puçistëve”, nënvizoi ai.

Kalin vuri në pah se nuk duhet hezituar për asnjë çast kur bëhet fjalë për t’i bërë opozitë grushtit të shteti dhe për t’i dalë për zot demokracisë.

Rrjedhimisht, komentoi ai, as që mund të flitet për një praktikë ilegale apo jashtë kornizës ligjore.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë bëri një vlerësim edhe në lidhje me ekstradimin e organizatës terroriste guleniste (FETO), Fethullah Gulen.

“Ne s’jemi gjykatë, as Departamenti amerikan i Shtetit nuk është gjykatë; është gjykata ajo që do të vendosë për këtë. Në fakt edhe ne për ta gjykuar e kërkojmë ekstradimin e tij. Siç e dini, shumë juristë kanë shkruar dhe po shkruajnë ende për këtë çështje. Aktualisht ka fakte të mjaftueshme për ekstradimin e tij si i dyshuar dhe ky person në këtë çështje gjyqësore është një i dyshuar”, siguroi ai.

Pasi tërhoqi vëmendjen se Guleni nuk është një qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ibrahim Kalin vijoi me fjalët: “Dashur pa dashur, njerëzit fillojnë e pyesin ‘Përse e mbroni këtë person?’. Kjo është diçka e natyrshme, që shfaqet vetiu me kalimin e kohës.”

Sa u përket pretendimeve se Forcat e Armatosura të Turqisë do të bëhen një organ i varur nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, zëdhënësi Kalin theksoi se kjo është opinioni publik ai që flet për këtë çështje, ndërsa Kryeministria dhe Presidenca nuk kanë një agjendë të tillë.

Më tej, Ibrahim Kalin nënvizoi se FETO e infiltruar në ushtri duhet të veçohet me një linjë të qartë nga Forcat e Armatosura të Turqisë.

“Elementët e kësaj organizate terroriste brenda ushtrisë turke do të pastrohen. Ushtria do të reformohet dhe do t’i shërbejë popullit e shtetit të saj përsëri me besnikëri”, shtoi ai.

Mbi të gjithë, tha Kalin, vetë komandantët janë shumë të shqetësuar nga tërë këto ngjarje dhe këtë e shprehin sa herë që prononcohen.

“Përgjegjësit e këtyre dhimbjeve do të ndëshkohen në mënyrën më të rëndë të mundshme. Kemi një konsensus të plotë në lidhje me këtë çështje. Procedurat administrative e ligjore kanë nisur tashmë dhe do të ndiqen deri në fund”, siguroi zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin.



Lajme të ngjashme