Koment – Qëndrueshmëria e stabilitetit ekonomik në Turqi pas 15 korrikut

Një vlerësim në lidhje me efektet ekonomike të tentativës së dështuar të 15 korrikut për grusht shteti në Turqi.

Koment – Qëndrueshmëria e stabilitetit ekonomik në Turqi pas 15 korrikut

Më datë 15 korrik 2016, një grup i vogël brenda Forcave të Armatosura të Turqisë bëri përpjekje për grusht shteti. Por ky plan tradhtar dështoi falë popullit turk, që i doli për zot demokracisë, si dhe qëndrimit të vendosur të shtetit. Por në këtë artikull do të trajtomë efektet ekonomike të kësaj tentative të dështuar për grusht shteti, jo vetë ngjarjen.

Destabiliteti politik shkakton efekte negative në ekonomitë e të gjitha vendeve. Këto efekte kanë një impakt shkatërrues në ngjarje të tilla si grushti i shtetit. Kapitali i huaj del jashtë vendit si pasojë e paqëndrueshmërisë dhe rrjedhimisht mund të prishet sistemi financiar. Normalisht pritet që klima e paqartësisë, që krijohet pas tentativës për grusht shteti, të ndikojë negativisht ekonominë, por kjo situatë nuk u realizua në Turqi. Falë infrastrukturës së fuqishme ekonomike dhe financiare turke, çdo gjë iu kthye normalitetit që në ditën e parë të hapjes së tregjeve pas 15 korrikut. Kjo gjë tregon padyshim sesa të rrënjosura dhe të konsoliduara janë institucionet ekonomiko-financiare të Turqisë. Po ashtu, kjo është një tregues i pakontestueshëm i besnikërisë së botës së biznesit ndaj demokracisë dhe stabilitetit, i mbështetjes së saj për qeverinë e zgjedhur me votë të lirë, por edhe i një të ardhmeje më të ndritur. Me triumfin e demokracisë mbi puçistët, të gjithë operatorët e telefonisë fikse dhe celulare i ofruan qytetarëve shërbime falas. Shumë firma të mëdha e të vogla gjithashtu ndoqën praktika të ngjashme me këto duke mbështetur në këtë formë manifestimin e vullnetit popullor.

Presidenti i Unionit të Dhomave dhe të Bursave të Turqisë (TOBB), që bashkon në gjirin e saj 365 dhoma ekonomiko-tregtare dhe bursat në 81 rrethe të vendit, publikoi një komunikatë të përbashkët me shkrim kundër tentativës për grusht shteti të terroristëve të FETO-s (organizata terroriste guleniste), që synonte rrëzimin e qeverisë së zgjedhur me votë të lirë e demokratike. Në komunikatë theksohej se Unioni i Dhomave dhe i Bursave të Turqisë nuk do të njohë asnjë qeveri tjetër përveç asaj që përfaqëson vullnetin popullor. Kreu i TOBB, Rifat Hisarciklioglu, theksoi se demokracia, uniteti dhe solidariteti i popullit turk është fuqizuar edhe më shumë nga kjo ngjarje duke kërkuar nga të gjithë që t’ia dinë mirë vlerën kësaj kontrate madhore, që është arritur në shoqërinë turke për sa i takon demokracisë.

“Tani duhet të jemi më të fuqishëm, duhet ta përqafojmë njëri-tjetrin më fortë dhe të duhemi më tepër. Sepse ky është elementi që na bën këta që jemi sot, që na mban në këmbë dhe na mbledh në një komb. Nuk do të biem në grackën e atyre, të cilët kërkojnë të na shtyjnë në kaos. Është koha që bota e biznesit të punojë më fortë dhe të garantojë më shumë prodhim e punësim”, nënvizoi Rifat Hisarciklioglu.

Unioni i Dhomave dhe i Bursave të Turqisë, vijoi më tej Hisarciklioglu, do të jetë gjithnjë në krah të demokracisë, popullit dhe shtetit duke u ngritur kundër atyre, që përpiqen të dëmtojnë unitetin, integritetin, vëllazërinë dhe demokracinë e vendit.

Ai vuri në pah se sektori privat do të punojë me një vendosmëri më të madhe për vendin dhe popullin, në përpjekje për ta katapultuar Turqinë drejt objektivave madhore të saj.

“Duke mbajtur vath në vesh përherë fjalën e urtë të Mustafa Kemal Ataturkut, ‘Sovraniteti i përket vetëm popullit pa asnjë kusht dhe rezervë’, ne do të vazhdojmë pa u lodhur të punojmë dhe prodhojmë për vendin tonë. Mjafton që të përpiqemi sup më sup dhe të mos harrojmë për asnjë çast vlerën e unitetit, integritetit dhe vëllazërisë sonë. Mjafton që të duam njëri-tjetrin dhe t’i besojmë njëri-tjetrit”, thuhet në komunikatën e lexuar nga presidenti i Unionit të Dhomave dhe të Bursave të Turqisë.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde, deklaroi në një dalje publike të hënën se hapat e shpejta, që u ndërmorën nga Banka Qendrore e Republikës së Turqisë (TCMB) dhe institucionet e tjera të vendit pas tentativës së dështuar për grusht shteti, kanë rezultuar shumë efikase në qetësimin dhe shtensionimin e tregjeve financiare.

“Ne të gjithë u alarmuam gjatë tërë fundjavës. Mezi prisnim që të shikonim nëse do të bënin apo jo hapat e duhura. Por tregjet nisën të funksionojnë më së miri pas një ngjarjeje krejtësisht të çrregullt; ishte e pabesueshme. Autoritetet turke, përfshi këtu Bankën Qendrore dhe institucionet e tjera financiare, reaguan në koordinim të plotë me njëra-tjetrën dhe në mënyrë shumë të fuqishme për të garantuar likuiditetin e nevojshëm dhe për mundësuar ecurinë normale të veprimeve bankare”, theksoi Christine Lagarde.

Përmes një komunikate me shkrim ditën e diel, rreth 30 orë pas dështimit të tentativës së 15 korrikut për grusht shteti, Banka Qendrore e Turqisë njoftoi shtatë masa të reja për qëndrueshmërinë dhe vijimësinë e funksionimit efektiv të tregjeve financiare në vend, përfshi këtu dhe likuiditet të pakufizuar për bankat.

Ndërsa Kryeministri Binali Yildirim siguroi se kanë vendosur kontaktet e nevojshme me timonierët e ekonomisë brenda dhe jashtë vendit, kanë bërë konstatimin e situatës dhe se sistemi financiar turk funksionon i tëri pa asnjë problem.

“Bursat dhe bankat tona janë hapur. Banka e Transaksioneve dhe e Depozitave Sh.A. në Stamboll dhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit po vazhdojnë aktivitetet e tyre. Shkurtimisht, të gjitha sistemet janë të hapura, çdo gjë funksionin normalisht dhe si zakonisht. Banka Qendrore është gati të marrë çdo lloj mase, nëse paraqitet nevoja. Luhatjet në treguesit ekonomikë nuk kanë dallim nga ato të ditëve normale në Turqi. Kjo do të thotë se tentativa për grusht shteti është shtypur nga demokracia dhe nga qeveria, e cila është autoriteti politik përfaqësues i vullnetit popullor e kombëtar”, njoftoi shefi i Ankarasë zyrtare, Binali Yildirim.

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme