Kryeministrat turk e grek bisedojnë në telefon për ekstradimin e dezertorëve

Aleksis Cipras e ka uruar me telefon homologun turk, Binali Jëlldërëm për parandalimin e tentativës për grusht shteti dhe i ka thënë se Athina zyrtare ka nisur procedurat për ekstradimin e ushtarëve turq që kanë kërkuar strehim politik në Greqi.

Kryeministrat turk e grek bisedojnë në telefon për ekstradimin e dezertorëve

Qeverisë turke vazhdojnë ti vijnë mesazhe mbështetjeje pas zmbrapsjes së tentativës për grusht shteti.

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras e thirri në telefon Kryeministrin Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) dhe e përgëzoi popullin dhe qeverinë turke lidhur me zmbrapsjen e tentativës për grusht shteti.

“E kuptojmë rëndësinë që ka për të gjithë rajonin ruajtja e regjimit kushtetues demokratik dhe stabilitetit në Turqi”,- theksoi Cipras dhe i përcolli homologut turk mbështetjen në emër të popullit dhe qeverisë së Greqisë.

Ndërsa Kryeministri Jëlldërëm i tha Ciprasit se kishte rezultuar i dështuar tentativa e realizuar nga një grup brenda forcave të armatosura kundër demokracisë dhe vullnetit kombëtar dhe ajo që kishte triumfuar kishte qenë demokracia turke.

Jëlldërm e falënderoi homologun grek për sensibilitetin dhe mbështetjen e qeverisë së Greqisë gjatë këtij procesi dhe i komunikoi Ciprasit kërkesën e Turqisë për ekstradimin sa më shpejt të personelit ushtarak turk që kishte marrë pjesë në tentativën e grushtit të shtetit dhe ishin arratisur me një helikopter ushtarak në Aleksandropojë (Aleksandropolis).

Kryeministri Cipras e informoi Binali Jëlldërm për fillimin në Greqi të procesit për ekstradimin e personave në fjalë.

Në këtë bisedë telefonike Cipras shprehu dëshirën për ti mbajtur të afërta marrëdhëniet me Turqinë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në çështjet që interesojnë marrëdhëniet dypalëshe, duke përfshirë edhe çështjen e Qipros.

Këtë e konfirmoi edhe Kryeministri Jëlldërm, i cili shprehu vullnetin e tij për të zhvilluar bashkëpunimin dhe konsultimin dypalësh për çdo çështje, duke i përcjellë Ciprasit edhe dëshirën për të finalizuar sa më shpejt projektet e ndryshme, në veçanti ato që janë prioritare në agjendë. 

Një telefonatë tjetër Kryeministrit Jëlldërëm i erdhi edhe nga Kryeministri i Gjeorgjisë, Giorgi Kvirikashvili, i cili tha se e kishin pritur me kënaqësi parandalimin e aktit për tentativë (për grusht shteti).

Kryeministri gjeorgjian e përgëzoi homologun turk për përpjekjen që po bën qeveria për mbrojtjen e demokracisë, duke shtuar se stabiliteti i Turqisë është i rëndësishëm për stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit.

Kvirikashvili i përcolli Jëlldërëmit edhe ngushëllimet për viktimat.

Kryeministri Jëlldërëm e falënderoi Kvirikashvilin për mbështetjen e popullit gjeorgjian duke i komunikuar se kontaktet e nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë në trendin e tyre normal.



Lajme të ngjashme