Dështon tentativa e grushtit të shtetit në Turqi

Pas një nate të gjatë qeveria ka marrë në kontroll situatën e tensionuar nga tentativa për grusht shteti e organizatës terroriste TEFÖ.

Dështon tentativa e grushtit të shtetit në Turqi

Një grup ushtarakësh që ndërlidhur me Organizatën Terroriste FETÖ armën e popullit ia drejtoi edhe një herë popullit.

Disa pika të rëndësishme u bombarduan, tanket u drejtuan drejt masave të popullit, u hap zjarr ndaj civilëve.

Avionë dhe helikopterë ushtarakë morën në shënjestër kompleksin e presidencës (Külliye), Selinë e Shtatmadhorisë, Shërbimin Informativ Kombëtar, Drejtorinë e Policisë së Ankarasë, Qendrën e Operacioneve Speciale të Policisë në qytezën Gölbaşı të Ankarasë.

Prokuroria e Gölbaşı deklaroi se në këto sulme kanë humbur jetën 42 persona.

Si pasojë e bombave që lëshuan avionët luftarakë afër lagjes Beshtepe (Beştepe), ku gjendet edhe kompleksi i ri i presidencës, humbën jetën 5 vetë.

Shumë bomba u hodhën edhe në kompleksin e parlamentit (Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë-TBMM), në ngjarje u plagosën 12 policë.

“Falënderoj liderët e opozitës. Me deklaratat që bënë ata i dolën për zot demokracisë. Me qëndrimin e qartë kundër tentativës për grusht shteti ata u renditën në krah të qeverisë. E dyta, ata nuk ua lanë sheshin bosh puçistëve. Falënderoj shumë qytetarët, por të mos largohen asnjëherë nga sheshet. Të dalin jashtë dhe të zbresin në sheshe, të mos i lënë sheshet bosh”,- u shpreh Kryeministri Jëlldërëm (Yıldırım).

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralarmate Hulusi Akar, ishte marrë peng gjatë tentativës së organizatës terroriste FETÖ, dhe mbahej në Komandën e Bazës së 4-t Kryesore të Avionëve Reaktivë “Akıncı” në Ankara. Shefi i ushtrisë turke ishte shpëtuar me një operacion të kryer në mëngjes në këtë bazë ushtarake.  

Kryeministri Jëlldërëm (Yıldırım) në lidhje me këtë zhvillim publikoi edhe një mesazh.

Shefi i Shtabit tonë të Përgjithshëm, Hulusi Akar është shpëtuar shëndoshë e mirë dhe për momentin ndodhet në krye të detyrës në qendrën e menaxhimit të krizës që është ngritur në Çankaya (kompleksi i kryeministrisë turke)”, thotë Kryeministri Jëlldërëm në mesazhin e tij.

Me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme, Efkan Ala u larguan nga detyra 29 kolonelë dhe 5 gjeneralë, pjesëtarë të organizatës FETÖ, ndërsa u arrestuan 754 persona anëtarë të organizatës FETÖ, të cilët kishin marrë pjesë në tentativën e grushtit të shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Xhelalettin Lekesiz (Celalettin Lekesiz) deklaroi se në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë në lagjen Beshtepe (Beştepe) të Ankarasë u kapën të vdekur 16 ushtarë dhe u arrestuan rreth 250 të tjerë.

Lekesiz bëri të ditur se ushtarakët prej këtu përpiqeshin të drejtorin dhe komandonin strukturën e xhandarmërisë në 81 prefektura të vendit.



Lajme të ngjashme