Turqia, e para në botë për projektet gjigande

Me projektet me vlerë totale 44,7 miliardë dollarë që realizoi vitin e kaluar, Turqia kryeson renditjen botërore të mega-projekteve duke realizuar e vetme 40% të investimeve me partneritet publiko-privat (Projektet PP).

Turqia, e para në botë për projektet gjigande

Sipas të dhënave që përcjell Raporti Global i Bankës Botërore për Bashkëpunimin Publiko-Privat në vitin 2015 shuma e përgjithshme e investimeve që janë realizuar vitin e kaluar në mbarë botën përmes partneritetit publiko-privat (PPP) nga 111,7 miliardë dollarë që kishte qenë në vitin 2014 ra në 111,6 miliardë dollarë.

Me volumin e investimeve që bëri në 2015-n Turqia ka lënë prapa Brazilin, vend që kryesonte listën vitin e mëparshëm (2014), dhe ka dalë në krye të listës duke e katërfishuar volumin e Kolumbisë, vend që qëndron në vend të dytë me 18 projekte të mëdha.

Madhësia e investimeve të sektorëve publiko-privatë të Kolumbisë, e cila mban vendin e dytë në raportin e Bankës Botërore, arrin në 11,8 miliardë dollarë. Kolumbia ndiqet nga Peruja me 11 projekte të mëdha, që kapin vlerën e 7,1 miliardë dollarëve.

Në vend të katërt pas Perusë vijnë Filipinet me 13 projekte me vlerë totale 5,9 miliardë dollarë.

Ndërsa Brazili, i cili në vitin 2014 ishte vendi lider në botë me 42,7 miliardë investime, vitin e kaluar (2015) u rendit i pesti me 46 projekte me vlerë totale 4,5 miliardë dollarë.

Përveç Brazilit rënie në këto investime (PPP) ka pasur edhe në Kinë dhe Indi, vende që vite me radhës renditen në mesin e vendeve që bëjnë më shumë investime të llojit të partneritetit publiko-privat.

Investimet e këtyre tre vendeve, të cilat në vitin 2014 me 60 miliardë dollarë investime PPP kanë dominuar 60% të tregut global, kanë rënë në 11,6 miliardë dollarë, shifër kjo që korrespondon me 10% të investimeve totale në botë.

Ajo çfarë ndikoi në ruajtjen konstant vitin e kaluar të nivelit të investimeve globale pavarësisht rënieve të forta që u vunë re në investimet e realizuara në Brazil, Kinë dhe Indi me anë të partneritetit publiko-privat ka qenë suksesi që shënoi Turqia në këtë fushë, e cila në 2015-n investimet publiko-private i rriti me 300%.



Lajme të ngjashme