Koment – Perspektiva e sektorit të turizmit në Turqi

Perspektiva e sektorit turk të turizmit dhe zhvillimet në këtë fushë, që jep një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike dhe në atë të punësimit jo vetëm për shtetet në zhvillim, por edhe për të industrializuarat.

Koment – Perspektiva e sektorit të turizmit në Turqi

Turizmi është një ndër sektorët me kontribut pozitiv në rritjen ekonomike dhe në atë të punësimit jo vetëm për shtetet në zhvillim, por edhe për të industrializuarat. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO), 1 në çdo 11 persona të sapopunësuar punon drejtpërsëdrejti në sektorin turistik ose indirekt në një fushë tjetër, që prodhon e ofron të mira materiale dhe shërbime për turizmin. Lëvizjet apo udhëtimet turistike mundësojnë harmonizimin, integrimin dhe madje solidarizimin e popujve me njëri-tjetrin, që rrjedhimisht sjell globalizimin e botës. Një furnizues i natyrshëm dhe mjaft i rëndësishëm i vendeve me valuta të huaja, sektori i turizmit ndihmon në gjallërimin dhe rritjen e ekonomisë përmes kanaleve të ndryshme, sidomos në shtetet më pak të zhvilluara dhe në zhvillim e sipër.

Ekonomia turke në zhvillim, falë popullsisë së saj dinamike në moshë të re dhe zhdërvjelltësisë së kërkesës për mallra e shërbime, renditet mes atyre 20 më të mëdhave në botë. Pas viteve 1980, turizmi në Turqi është kthyer në një nga sektorët me rritjen dhe zhvillimin më të shpejtë. Si një ndër vendet që tërheqin më shumë turistë në botë, Turqia vizitohet aktualisht nga rreth 40 milionë të huaj në vit.

Turqia u bë pak ditë më parë skenë e tri zhvillimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, që do të gjallërojnë më tej sektorin turistik.

I pari prej tyre ishte marrëveshja e arritur ndërmjet Izraelit dhe Turqisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Në kuadër të akordit në fjalë, pritet që të avancohen marrëdhëniet bilaterale, të shënohet rritje në turizëm dhe në shkëmbimet tregtare me Izraelin.

Zhvillimi i dytë ishte vendimi i qeverisë turke për të çuar në 9 ditë pushimet zyrtare me rastin e Bajramit të Ramazanit (Fitër Bajrami). Falë kësaj manovre të Ankarasë zyrtare, pjesa dërrmuese e nëpunësve të administratës publike dhe një numër i madh i punonjësve të sektorit privat bënë plane pushimesh dhe udhëtuan në zona të tjera brenda vendit; pra, u regjistrua një rritje drastike dhe e menjëhershme e kërkesës për turizëm domestik, që pritet të ketë një impakt të fuqishëm në gjallërimin dhe zhvillimin e sektorit turistik. Sipas shifrave zyrtare, në pushimet 9-ditore të bajrameve gjatë viteve të mëparshme rreth 15 milionë qytetarë turq janë bërë pjesë e lëvizjeve dhe udhëtimeve turistike brenda vendit.

Ndërsa zhvillimi i tretë dhe mjaft i rëndësishëm rezultuan edhe hapat reciproke me Rusinë. Menjëherë pas kontakteve në nivelin më të lartë shtetëror, u njoftua se Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, kishte nënshkruar dekretin për rifillimin e fluturimeve “charter” ndërmjet Turqisë dhe Rusisë. Pritet që ky vendim të ketë efekte pozitive për plazhet turke dhe veçanërisht për turizmin bregdetar të Antalias, një nga destinacionet e pazëvendësueshme në planet dhe hartat turistike të qytetarëve rusë. Me qëllim përballimin e kërkesave të larta që vetëm pak ditë pas nënshkrimit të dekretit në fjalë, firmat e udhëtimeve u kanë bërë thirrje autoriteteve për të rritur numrin e fluturimeve “charter”. Rritja e vrullshme e kërkesave për turizëm në Turqi u konfirmua edhe nga vetë zv/ministri i Transportit të Rusisë, Valery Okulov. “Për momentin po kalojmë ditët më të ngjeshura në transportin e udhëtarëve. Po punojmë për të bërë ndryshime në fluturimet ‘charter’ për të dërguar pasagjerët në Turqi”, u shpreh ai gjatë një daljeje publike më datë 7 korrik. Kurse disa shoqëri ajrore ruse kanë anuluar fluturimet me destinacion Greqinë dhe Qipron për shkak të kërkesës së ulët të pasagjerëve. Mësohet se shoqëritë ajrore në fjalë po punojnë për t’i orientuar avionët e tyre drejt Turqisë.

Fillimi i normalizimit të marrëdhënieve Turqi-Rusi ka dhënë që tani sinjalet e para në drejtim të rigjallërimit të kushteve në ekonominë e para krizës së avionit. Po të merren parasysh të ardhurat në rënie nga tregtia, turizmi dhe tregtia me valixhe (shuttle trade), sipas llogaritjeve të bëra, rregullimi me shpejtësi i marrëdhënieve turko-ruse në 2 vitet e ardhshme pritet t’i japë ekonomisë turke një kontribut me vlerë totale 10 miliardë dollarë.

Përfundimisht, turizmi është një ndër sektorët me kontribut pozitiv përmes kanaleve të ndryshme në rritjen ekonomike dhe në atë të punësimit jo vetëm për shtetet në zhvillim, por edhe për të industrializuarat; ku 1 në çdo 11 të persona të sapopunësuar punon drejtpërsëdrejti në sektorin turistik ose indirekt në një fushë tjetër, që prodhon e ofron të mira materiale dhe shërbime për turizmin. Krahas këtyre, sektori turistik është një furnizues i natyrshëm dhe mjaft i rëndësishëm i vendeve me valuta të huaja, gjë kjo që financon mbylljen e deficitit primar. Si një ekonomi në zhvillim e sipër, edhe Turqia rezulton një nga vendet me zhvillim të shpejtë turistik që prej viteve 1980. Vetëm gjatë vitit 2015, afro 40 milionë turistë kanë vizituar Turqinë duke shpenzuar pak më shumë se 36 miliardë dollarë. I parë nga ky aspekt, rëndësia e këtij sektori në ekonominë turke bëhet edhe më e qartë. Zhvillimi i mëtejshëm i sektorit të turizmit në Turqi do të krijojë vende të reja pune dhe do të vazhdojë të kontribuojë në rritjen ekonomike të vendit.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme