Koment – Sektori i ndërtimit dhe investimet strehimore në Turqi

Perspektiva e sektorit turk të ndërtimit dhe zhvillimet në lidhje me këtë sektor, i cili ka një pozitë dhe rëndësi madhore jo vetëm tek ekonomitë në zhvillim, por edhe në vendet e industrializuara.

konut satışları.jpg

Ndërtimtaria është një sektor, që përfshin brenda vetes investimin dhe shitjen e shumë pasurive të patundshme, ku ia vlen të përmenden fabrikat, zyrat e bizneseve dhe banesat. Në mesin e këtyre komponentëve, ai më efektivi dhe me rritje të vazhdueshme është ndërtimi i banesave. E parë nga aspekti i plotësimit të nevojës për strehim, një nga nevojat bazë të njeriut, kërkesa për strehim është një ndër nevojat që paraqesin vijimësi. Përveç kësaj vazhdimësie, sektori në fjalë kontribuon në ekonominë e vendit përmes kanaleve të ndryshme, mes të cilave spikasin punësimi, shtimi i të ardhurave, formimi i kapitalit dhe rritja ekonomike. Zhvillimi i sektorit të strehimit është gjithashtu një indeks, që përdoret edhe për të treguar shëndetin ekonomik të vendeve në zhvillim dhe të atyre të industrializuara.

Ekonomia turke në zhvillim, falë edhe popullsisë së saj dinamike në moshë të re, renditet mes atyre 20 më të mëdhave në botë, të cilat njihen si G20. Pas kacafytjeve për vite të tëra me inflacionin e lartë dhe me klimën e normave të larta të interesit, ekonomia e Turqisë filloi të ndërtojë një karakter më të qëndrueshëm si rezultat i hapave të bëra menjëherë pas krizës së vitit 2001. Krahas atmosferës pozitive të kësaj klime stabiliteti, me kalimin e kohës një rol të rëndësishëm në rënien e normave të interesit deri në nivelin 5% në vitin 2013, nga rreth 40% që ishte pak më shumë se një dekadë më parë, kanë luajtur padyshim edhe hyrjet e investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe indirekte nga vendet e industrializuara në ekonomitë e vendeve në zhvillim e sipër, siç është Turqia në këtë rast.

Rënia e normave të interesit dhe rritja e të ardhurave për familje solli rrjedhimisht edhe një rritje të interesit të qytetarëve për sektorin e strehimit. Ndërkohë që u shënua një rritje e jashtëzakonshme e projekteve të strehimit, veçanërisht në numrin e atyre të realizuara nga sektori privat, shumë qytetarë gjetën shansin e punësimit jo vetëm në ndërtimtari apo në sektorin e strehimit, por edhe në shumë fusha ndihmëse, që furnizojnë me materiale sektorin e ndërtimit. Siç njofton presidenti i Konfederatës turke të Kontraktuesve të Ndërtimit (IMKON), Tahir Tellioglu, vetëm në Turqi janë mbi 250 nënsektorë, të cilët prodhojnë për të furnizuar sektorin e ndërtimit. Megjithatë në Turqi nuk është vetëm sektori privat ai që operon në këtë fushë, pasi shumë projekte strehimi realizohen edhe përmes fondeve publike. Falë mijëra projekteve të strehimit publik, që janë realizuara anembanë Turqisë nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor (TOKI), qytetarëve me të ardhura të ulëta dhe të mesme u është krijuar mundësia për të blerë banesa sikur të ishin duke paguar qira.

Gjatë periudhës së rigjallërimit të sektorit të strehimit në Turqi, interes të lartë për këtë sektor kanë shfaqur edhe një numër i madh investitorësh nga jashtë shtetit, të cilët jo vetëm që kanë ndërtuar, por edhe kanë blerë shtëpi në Turqi. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Turk i Statistikave (TUIK), në harkun kohor janar-maj të vitit 2016 plot 7.835 banesa në shkallë vendi u janë shitur të huajve. Nga këto, 511 shtëpi janë shitur në Stamboll, 407 në Antalia, 118 në Bursa dhe pjesa tjetër në rreth 45 qytete të tjera të Turqisë. Sakaq, gati gjysma e blerjeve në fjalë janë realizuar nga qytetarë të Kuvajtit, Irakut, Arabisë Saudite dhe Afganistanit.

Si përfundim, ndërtimtaria në përgjithësi dhe sektori i strehimit në veçanti kanë një pozitë dhe rëndësi madhore jo vetëm tek ekonomitë në zhvillim, por edhe në vendet e industrializuara. Përgjithësisht, sektori i ndërtimit kontribuon në ekonomitë e vendeve përmes shumë kanaleve. Ato më themeloret janë krijimi i vendeve të reja të punës dhe mundësimi i qarkullimit të parasë në ekonomi. Përveç vetes, sektori i ndërtimi luan rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin e rreth 250 nënsektorëve të tjerë. Si një vend në zhvillim e sipër, edhe Turqia është një nga vendet që brenda viteve të fundit ka shënuar progres marramendës në sektorin e strehimit. Investimet strehimore, që janë realizuar dhe vazhdojnë të realizohen nga sektori publik dhe ai privat në të katër anët e vendit, po tërheqin gjithnjë e më tepër vëmendjen dhe interesin e qytetarëve turq dhe atyre të huaj. Sektori i strehimit, që duket qartë se do të ketë zhvillim të mëtejshëm edhe gjatë periudhës në vijim, do të mundësojë hyrjen e valutës në Turqi përmes blerjes së banesave nga investitorët e huaj, gjë kjo që do të rezultojë padyshim një kontribut i rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendit.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme