Erdogan: Jeta dhe vepra e Muhamet Aliut, burim frymëzimi për të gjithë

Jeta, qëndrimi, përpjekja e Muhamet Aliut do të vazhdojnë të jenë për të gjithë ne një burim frymëzimi, tha Presidenti Erdoan para se të nisej për në ShBA për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të legjendës së boksit.

507497
Erdogan: Jeta dhe vepra e Muhamet Aliut, burim frymëzimi për të gjithë

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të boksierit legjendar, Muhamet Ali, i cili u nda nga jeta më 3 qershor.

Në deklaratat që bëri për gazetarët në aeroportin Esenboa (Esenboğa) të Ankarasë para nisjes për në ShBA, Presidenti Erdoan tha se Muhamet Aliu nuk ka qenë kampion vetëm i ringjeve, por edhe i zemrave që arriti ti pushtojë.

Çdo fjalë e tij, çdo grusht i tij, çdo fitore që ai mori në ring, u dha shpresë, u dha forcë miliarda të shtypurve që nga Afrika e deri në Azi”, u shpreh Erdoan.

Ai bëri një luftë të bekuar kundër racizmit dhe diskriminimit, tërhoqi vëmendjen Presidenti turk në deklaratën e tij për gazetarët, duke theksuar se e vlerëson si shumë kuptimplote fjalën e Muhamet Aliut: “Zotit i kërkova pasuri, lumturisht më dha Islamin”.

Me qëndrimin shembullor që mbajti pas pranimit të myslimanizmit, Muhamet Ali ndikoi që në vendin e tij shumë njerëz të tjerë të zgjedhin besimin islam, pohoi Erdoan dhe vijoi: “Në veçanti ai do të mbetet i paharrueshëm me qëndrimin që mbajti pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit duke vendosur në kokë kaskën e zjarrfikëses dhe duke thënë: “Islami nuk është fe kriminale, Islam do të thotë paqe”. Prapa suksesit të merituar deri në pikën e fundit të djersës, një rol të madh ka luajtur edhe besimi, vullneti dhe vendosmëria e tij, të cilat shërbyen si një burim frymëzimi për të gjithë njerëzimin”.

Duke rikujtuar që Muhamet Aliu pasi ishte bërë mysliman kishte vizituar edhe Turqinë, Erdoan tha: “Ne si Republikë e Turqisë bashkë me delegacionin që më shoqëron do të kryejmë detyrën e fundit ndaj tij duke marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, por edhe pse me vonesë do t’ia rikthejmë këtë vizitë. Jeta, qëndrimi, përpjekja e tij do të vazhdojë të jetë burim frymëzimi për ne. Vakumin e krijuar në zemrat e të shtypurve me ndarjen e Muhamet Aliut nga jeta, me leje të Zotit do ta mbushim ne duke i dalë për zot kujtimit dhe trashëgimisë së tij”.

Erdoan tha se me gjatë qëndrimit në Amerikë do të realizojë takime edhe me autoritete të larta që pritet të marrin pjesë në ceremoninë mortore të Muhamet Aliut. Gjithashtu Erdoan do të marrë pjesë edhe në sofrën e iftarit të Turqve Mesketianë, të  cilët kanë emigruar herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe janë vendosur në Çikago.



Lajme të ngjashme