Koment – Artizanët dhe bizneset e vogla në Turqi

Një vlerësim në lidhje me gjendjen e artizanëve dhe e bizneseve të vogla në Turqi, si dhe stimujt që i jepen këtij sektori.

Koment – Artizanët dhe bizneset e vogla në Turqi

Qoftë për vendet e industrializuara, qoftë për ato në zhvillim e sipër, bizneset e vogla kanë rëndësi të madhe në aspektin e rritjes ekonomike dhe të punësimit. Edhe pse investimet në fabrika gjigante janë shumë të rëndësishme për ekonomitë e vendeve, pjesa dërrmuese e punësimit sigurohet nga artizanët, bizneset e vogla apo sipërmarrjet e vogla dhe të mesme (SVM). Prandaj konsolidimi dhe vijimësia në treg e këtyre bizneseve bëhet gjithnjë e më e rëndësishme nga pikëpamja e shëndetit të ekonomisë së vendit, si për shtetet në zhvillim ashtu dhe për ato të industrializuara. Në këtë kontekst, qeveritë e shumë vendeve ofrojnë programe stimuluese dhe subvencionuese për bizneset e vogla dhe artizanët.

Turqia nga ana e saj është një ndër ekonomitë botërore me zhvillim të shpejtë dhe kjo falë popullsisë së saj të re në moshë dhe dinamike. Ajo renditet në mesin e 20 vendeve më të zhvilluara në botë. Vitet e fundit ky vend ka hyrë në një proces, që veçanërisht ka shënuar fuqizim të sektorit të shërbimeve dhe rritje në numrin e sipërmarrësve. Prandaj në ekonominë turke peshë të madhe ka jo vetëm krijimi i vendeve të punës për popullsinë e re në moshë, por edhe prania e artizanëve dhe e bizneseve të vogla, të paktën aq sa investimet e mëdha. Shteti turk ka ndërtuar shumë institucione financiare dhe jofinanciare me qëllim mbështetjen e artizanëve dhe e bizneseve të vogla. Në krye të tyre renditen Banka Popullore (Halk Bankasi) dhe Unioni i Kooperativave të Artizanëve dhe Kredive.

Sipas një raporti të publikuar më datë 3 mars 2016 nga vetë ministri i Doganave dhe Tregtisë së Turqisë, Bulent Tufenkçi, shuma e kredive pa interes në shfrytëzim të artizanëve dhe bizneseve të vogla ka qenë 8 miliardë lira turke (TL) në 2014-n, 10 miliardë TL në 2015-n dhe gjithsej 50 miliardë TL që nga viti 2002 e deri më sot. Krahas mbështetjes financiare në fjalë, qeveria turke planifikon të jetësojë shumë shpejt edhe disa projekte, që synojnë veçanërisht reduktimin e papunësisë në radhët e të rinjve. Ai më i spikaturi mes projekteve në fjalë është programi i quajtur “Ndihma e Çirakut”, qëllimi i të cilit është stimulimi i artizanëve dhe i bizneseve të vogla për trajnimin e personelit të kualifikuar në lidhje me profesionin. Falë këtij stimulimi, shumë të rinj të papunë do të aftësohen në lidhje me profesionet përkatëse. Po ashtu, shteti turk ka në plan të mbulojë një pjesë të kontributeve për sigurimet e punëtorëve, që bizneset e vogla do të paguajnë për të rinjtë, të cilët do të trajnohen dhe punësohen në atelietë e tyre.

Si përfundim, artizanët, bizneset e vogla apo sipërmarrjet e vogla dhe të mesme renditen në krye të aktorëve ekonomikë, që krijojnë vende të reja pune dhe realizojnë prodhim, jo vetëm për vendet e industrializuara, por edhe për ato në zhvillim. Rrjedhimisht, stimulimi i këtyre SVM-ve merr përmasa të rëndësishme sidomos për punëkërkuesit dhe sipërmarrësit e rinj.

Ekonomia turke në zhvillim, falë popullsisë së saj të re në moshë, dinamike dhe sipërmarrëse, synon të renditet në mesin e 10 ekonomive më të fuqishme në botë si një ndër objektivat e përcaktuara për vitin 2023, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë. Duke u nisur nga ky qëllim, Ankaraja zyrtare ofron mbështetje dhe stimuj të llojllojshëm për shtresa të ndryshme në ekonomi. Në 15 vitet e fundit, artizanët dhe bizneset e vogla kanë përfituar një pjesë të majme nga stimulimet shtetërore. Shuma e përgjithshme e kredive pa interes në shfrytëzim të artizanëve dhe bizneseve të vogla gjatë kësaj periudhe ka qenë 50 miliardë TL. Shteti turk planifikon të jetësojë së afërmi edhe disa projekte, që synojnë veçanërisht reduktimin e papunësisë në radhët e të rinjve; më i spikaturi prej të cilëve është programi i quajtur “Ndihma e Çirakut”. Përmes këtij programi synohet jo vetëm krijimi i vendeve të reja të punës për personel të kualifikuar e të trajnuar; por edhe vazhdimësia e rritjes ekonomike. Ekzistenca në vend e artizanëve dhe e bizneseve të vogla me baza të forta do të kontribuojë me kalimin e kohës në rritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve dhe në zhvillimin ekonomik të Turqisë.

 

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme