Çelik: Turqia nuk do ta ndryshojë ligjin e antiterrorit për hir të vizave

Ministri turk i Punëve të Bashkimit Evropian, Omer Çelik, në vlerësimin që u bëri kontakteve në Bruksel tha se BE-ja i kërkuar Turqisë të ndryshojë ligjin e antiterrorizmit, por Ankaraja nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.

Çelik: Turqia nuk do ta ndryshojë ligjin e antiterrorit për hir të vizave

Ministri turk i Punëve të Bashkimit Evropian, Omer Çelik kontaktet e tij në Bruksel i vlerësoi përmes një konference shtypi, ku bëri të ditur se Bashkimi Evropian i ka kërkuar Turqisë të ndryshojë ligjin e luftës kundër terrorit për të marrë liberalizimin e vizave për shtetasit turq në vendet e Unionit (BE), mirëpo Turqia nuk mund të bëjë ndonjë ndryshim në ligjin e saj të antiterrorizmit.

Ministri Çelik deklaroi se Turqia sot po përballet me sulme terroriste mjaft serioze dhe se të presësh ndryshimin e ligjeve antiterror në këto rrethana do të ishte një qëndrim aspak realist.

Kreu i negociatave të Ankarasë me Brukselin vuri në pah se Turqia nuk bën lëshime në balancën liri-siguri as në kushtet më të vështira.

Çfarë masash do të merrnin Britania e Madhe, Gjermania apo Franca sikur të kishin kufij me një vend si Siria? Duhet të dihet se masat, që ne kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim kundër terrorit, synojnë mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë civilë. Siguria është parakusht i demokracisë dhe i mirëqenies”, u shpreh ai.

Omer Çelik tha se liberalizimi i vizave për qytetarët turq dhe Marrëveshja e Ripranimit janë një paketë e vetme dhe s’mund të mendohen si dy çështje të ndryshme.

Lidhjet ndërmjet Turqisë dhe BE-së, vijoi Çelik, nuk janë marrëdhënie rivaliteti, përkundrazi, janë të bazuara në bashkëpunim.

“Kemi bërë hapa shumë të rëndësishme dhe serioze për realizimin e reformave në lidhje me anëtarësimin e Turqisë me të drejta të plota në Union. Nuk ka asnjë problem në vullnetin për reformat”, përfundoi ministri turk i Punëve të Bashkimit Evropian.



Lajme të ngjashme