Çavusoglu: Bashkëpunim për një botë më të pasur e më të drejtë

Shefi i diplomacisë turke mbajti sot një fjalim në sesionin e hapjes së Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Vendet më Pak të Zhvilluara, organizuar në Antalia nën mikpritjen e Turqisë.

BM EAGÜ Mevlüt Çavuşoğlu
KONFERANS.jpg

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, mbajti sot një fjalim në sesionin e hapjes së Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Vendet më Pak të Zhvilluara, organizuar në Antalia nën mikpritjen e Turqisë.

Shefi i diplomacisë turke tërhoqi vëmendjen mbi varfërinë dhe papunësinë, gjerësisht të konsideruara si problemet bazë të këtyre vendeve, duke vijuar me fjalët: “Vetëm nëse punojmë së bashku mund të ndërtojmë një botë më të pasur dhe më të drejtë.”

Vitet e fundit, tha ai, është regjistruar një rënie e dukshme e ndihmave për vendet më pak të zhvilluara.

“Kjo është mjaft shqetësuese. Ndërsa Turqia vazhdon të bëjë detyrën, që i takon, duke realizuar 3,9 miliardë dollarë ndihma përgjatë vitit 2015. Kjo shumë është e barasvlershme me 54 për mijë të të ardhurave kombëtare të vendit tim”, shtoi kryediplomati turk.

Çavusoglu sqaroi se vendet donatore duhet të përmbushin me doemos premtimin global për ndihma zhvillimore me vlerë sa 7 për mijë e të ardhurave kombëtare përkatëse dhe për ndihma me vlerë sa 15-20 për mijë e të ardhurave të tyre kombëtare në drejtim të shteteve më pak të zhvilluara.

“Synimi ynë është që të rrisim pjesën e vendeve më pak të zhvilluara në tregtinë globale dhe ta dyfishojmë atë që nga viti 2020. Ne duhet t’u japim fund problemeve infrastrukturore të shteteve më pak të zhvilluara. Eliminimi i urisë dhe i varfërisë është gjithashtu një nga çështjet më të rëndësishme. Uria dhe varfëria duhet të luftohen me seriozitet maksimal”, theksoi ai.

Ministri i Jashtëm i Turqisë vuri në pah se në vitin 2011, vendi i tij është angazhuar për të kontribuuar me 200 milionë dollarë ndihma në vit për vendet më pak të zhvilluara, ndërsa sot vërejmë se kjo shumë është edhe më madhe, pasi gjatë vitit të kaluar kanë realizuar ndihma me vlerë 300 milionë dollarë.

Shtetet më pak të zhvilluara përbëjnë shtresën më të brishtë të shoqërisë ndërkombëtare.

Popullsia e përgjithshme e vendeve më pak të zhvilluara arrin në 880 milionë banorë, rreth 12 për qind e popullsisë botërore, ndërkohë që zotëron vetëm 2 për qind të të ardhurave globale dhe rreth 1 për qind të tregtisë botërore.

Konferenca e OKB-së për Vendet më Pak të Zhvilluara do të zgjasë 3 ditë. Në të do të marrin pjesë një numër i madh ministrash e zyrtarësh të lartë, politikanë, akademikë, përfaqësues të agjencive të zhvillimit, medias dhe të sektorit privat.

Në këtë takim vlerësues semestral të nivelit të lartë do të zhvillohen negociata ndërqeveritare dhe do të publikohet një deklaratë e përbashkët politike.



Lajme të ngjashme