Koment – Klima e investimeve dhe financimi i tyre në Turqi (2)

Investimet infrastrukturore, zhvillimet dhe projektet në infrastrukturën e transportit në Turqi.

Koment – Klima e investimeve dhe financimi i tyre në Turqi (2)

Në pjesën e kaluar folëm rreth klimës së investimeve në Turqi, mbështetjeve financiare për projektet investuese dhe kontributin e këtyre projekteve në ekonominë e vendit. Ndërsa këtë javë do t’ju informojnë në lidhje me investimet infrastrukturore dhe zhvillimet në infrastrukturën e transportit në Turqi.

Qoftë për vendet në zhvillim, qoftë për ato të industrializuara, investimet infrastrukturore konsiderohen gjerësisht si një ndër faktorët më të rëndësishëm për hapjen e më shumë vendeve të reja të punës, rritjen e nivelit të të ardhurave dhe zhvillimin e ekonomisë.

Veçanërisht kur bëhet fjalë për vendime investimesh në ekonomitë e vendeve në zhvillim e sipër, investimet infrastrukturore shfaqen si një nga elementët kryesorë që reduktojnë kostot. Sipërmarrësit preferojnë të investojnë në vendet me infrastrukturë dhe transport të zhvilluar. Po ashtu, investimet infrastrukturore shndërrohen jo rrallëherë në politika, të cilat qeveritë i shfrytëzojnë për të gjallëruar ekonominë e vendit në periudhat e recesionit ekonomik. Pagesat, që u bëhen personave të punësuar në projektet e investimeve infrastrukturore, gjallërojnë ekonominë dhe kontribuojnë në zhvillimin e saj.

Turqia zotëron një nga ekonomitë botërore me zhvillim të shpejtë dhe kjo falë popullsisë së saj të re në moshë dhe dinamike. Ajo renditet në mesin e 20 vendeve më të zhvilluara në botë. Gjatë 15 viteve të fundit dhe sidomos pas krizës financiare botërore të vitit 2008, në Turqi janë përshpejtuar ndjeshëm projektet infrastrukturore për të tërhequr në vend veçanërisht investimet e huaja. Në këtë kuadër, në shumë zona të vendit janë zhvilluar kapacitetet e porteve detare dhe janë ndërtuar rrugë, hekurudha e aeroporte të reja. Përmes këtyre projekteve, qeveria është përpjekur që të eliminojë shqetësimet e investitorëve rreth transportit të mallrave.

Ura e tretë mbi Bosfor, që parashikohet të përurohet në fund të këtij viti (2016), si dhe projekti Marmaray, që lidh nën ngushticën detare të Stambollit linjat hekurudhore të brigjeve aziatike dhe evropiane të metropolit më të madh turk, janë vetëm dy nga investimet që synojnë të zgjerojnë rrjetin e transportit në vend. Një tjetër projekt i rëndësishëm infrastrukturor në Turqi është edhe Tuneli Euroaziatik, i cili synon të ulë presionin e trafikut të Stambollit. Qeveria turke ka njoftuar se ky tunel rrugor nën shtratin e detit në Bosfor, kostoja e përgjithshme e të cilit pritet të kapë vlerën e 1,25 miliardë dollarëve amerikanë, do të jetë në shërbim të publikut 8 muaj përpara afatit të parashikuar në projekt. Sakaq, numri i korsive të karrexhatës së Tunelit Euroaziatik do të rritet në 8, ndërkohë që projekti fillestar parashikonte 6 të tilla. Kryeministri i sotëm turk, Binali Yildirim, asokohe ministër i Transportit, Detarisë dhe Komunikacionit, kishte theksuar në një dalje publike në vitin 2015 se ky është një projekt shumë i rëndësishëm jo vetëm për Stambollin, por për të gjithë Turqinë, duke lajmëruar se Tuneli Euroaziatik ishte vlerësuar me çmimin “Projekti Madhor i Vitit” (ITA Major Project of the Year) nga Shoqata Ndërkombëtare e Tuneleve dhe e Hapësirave Nëntokësore (International Tunnelling and Underground Space Association - ITA), “për teknologjitë e avancuara të përdorura në ndërtimin e tij”.

Si përfundim, investimet në infrastrukturë dhe transport janë një ndër përcaktuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe të investimeve të huaja direkte jo vetëm për vendet e industrializuara, por edhe për ato në zhvillim. Privilegji i zotërimit të infrastrukturës dhe rrjetit të zhvilluar të transportit, që ofron avantazhe të rëndësishme për të joshur investimet e huaja, sidomos te vendet në zhvillim e sipër, në vendet e industrializuara shfrytëzohet edhe si një politikë për të gjallëruar ekonominë në periudhat e recesionit. Qytetarët, të cilët punësohen falë këtyre investimeve, kontribuojnë në gjallërimin e ekonomisë së vendit dhe në rritjen ekonomike të tij.

Ekonomia turke në zhvillim, falë potencialit të saj të lartë, ka tërhequr gjatë viteve të fundit shumë investime vendase dhe të huaja.  Në 15 vitet e kaluara, janë përshpejtuar dukshëm investimet e projektet në infrastrukturë dhe në transport. Shumë projekte të tilla janë tashmë operacionale dhe mjaft të tjera në ndërtim e sipër. Ky zhvillim i vrullshëm do të ndihmojë për të tërhequr në Turqi më shumë sipërmarrës të huaj dhe rrjedhimisht për rritur nivelin e mirëqenies së qytetarëve turq.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme