Erdogan: Indiferenca e ndërgjegjes globale ndaj tragjedive, shkaku kryesor i problemeve humanitare

Presidenti Erdoan në konferencën e përbashkët për mediat me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon në mbyllje të Samitit Botëror Humanitar uroi që ky samit të jetë pikënisja e një ndryshimi themelor të mentalitetit.

Erdogan: Indiferenca e ndërgjegjes globale ndaj tragjedive, shkaku kryesor i problemeve humanitare

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në kuadër të Samitit Humanitar Botëror mbajti një konferencë të përbashkët për mediat me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon.

Në fjalimin e tij Presidenti Erdoan tha se nuk është e drejtë që sot në botë me milionë njerëz përpiqen të mbijetojnë në skamje, varfëri dhe uri.

Erdoan tha se gjatë dy ditëve të samitit ishin realizuar konsultime dhe diskutime shumë produktive dhe ishin marrë vendime të rëndësishme.

Në samit të gjithë së bashku diskutuam mbi vështirësitë me të cilat përballet bota sot në fushën e ndihmave humanitare, cilat janë sfidat dhe si mund ti gjejmë zgjidhjet për t’u bërë ballë atyre, sqaroi kreu i shtetit turk, duke theksuar edhe një herë se nismën për të mirëpritur një samit të tillë e kishin ndërmarrë duke u nisur nga motoja se sot në zgjidhjen e problemeve humanitare duhet vepruar me një qasje me njeriun dhe dinjitetin njerëzor në fokus.

Synimi i përbashkët dhe përgjegjësia jonë morale është të sigurojmë mbrojtjen e dinjitetit të njerëzve, të garantojmë sigurinë e tyre dhe t’u mundësojmë njerëzve që të shikojnë me shpresë drejt të ardhmes, nënvizoi Erdoan duke shtuar se gjatë punimeve të samitit shumë vende dhe organizata pjesëmarrëse kanë bërë zotime serioze në kuadër të agjendës humanitare të paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun.

Në vende të ndryshme të botës, madje ngandonjëherë edhe në të njëjtin vend, njerëzit kanë standarde shumë të ndryshme sigurie dhe jetese, cilësoi Erdoan.

“Shikojmë atë që në njërën anë dominon luksi, harxhime të kota dhe salltanet, kurse ngjitur me këtë vëmë re që me miliona njerëz mundohen të mbijetojnë në skamje, varfëri dhe uri. Kjo nuk është një botë e drejtë. Asnjë individ i shoqërisë ndërkombëtare, asnjë vend i ndërgjegjshëm nuk duhet të heshtë, të qëndrojë indiferent ndaj këtij kontrasti kaq të thellë. Uroj që Samiti Botëror Humanitare të jetë pikëkthesa e një ndryshimi themelor të mentalitetit në lidhje me këtë çështje", shtoi ai.



Lajme të ngjashme