Turqia: Sulmet ndaj civilëve shtojnë numrin e dosjeve penale të Rusisë

Turqia bëri të ditur të dielën se Rusia po shton numrin e dosjeve penale të saj nëpërmjet sulmeve ajrore, që kanë në shënjestër drejtpërsëdrejti civilët.

Turqia: Sulmet ndaj civilëve shtojnë numrin e dosjeve penale të Rusisë

Zëdhënësi i Ministrisë turke të Punëve të Jashtme, Tanju Bilgiç, vlerësoi për Agjencinë Anadolli (AA) pretendimet e homologes së tij ruse, Maria Zakharova, në lidhje me politikat e Republikës së Turqisë për Sirinë dhe Krimenë.

Bilgiç theksoi se dëshmitë e rreme, e shtrembra dhe plot shpifje, lëshuar gjatë ditëve të fundit nga zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, nuk janë gjë tjetër veçse një shembull i ri i fushatës dezinformuese dhe i propagandës së zezë, që Moska ndjek në dëm të Ankarasë qysh prej krizës së avionit më 24 nëntor 2015.

Kjo situatë, vijoi ai, shpalos njëherësh përmasat e dëshpërimit dhe e pafuqisë në të cilat Rusia është zhytur keqas në Siri.

“Federata e Rusisë jo vetëm që po bëhet bashkëpunëtore e krimeve kundër njerëzimit, që regjimi i Esadit po kryen në Siri duke përdorur të gjitha llojet e armëve – përfshi këtu bombat fuçi dhe armët kimike – kundër spitaleve, shkollave, kampeve të refugjatëve, fëmijëve e civilëve, si dhe duke ndëshkuar me uri banorët e qyteteve të rrethuara; por edhe po shton numrin e dosjeve penale të saj përmes sulmeve ajrore, të cilat kanë në shënjestër drejtpërsëdrejti civilët”, shtoi zëdhënësi i diplomacisë turke.

Pasi rikujtoi gjithashtu se Moska, partnere e regjimit (sirian) që ushqen organizatën terroriste DAESH dhe ndërmerr me të çdolloj bashkëpunimi të pistë, përfshi këtu tregtinë e naftës, një ditë do të japë llogari për të gjitha këto përpara drejtësisë; Tanju Bilgiç nënvizoi se po ndjekin me shqetësim edhe lajmet, që zënë vend në shtypin ndërkombëtar, sa i përket dërgimit të qëllimshëm të luftëtarëve të huaj terroristë nga Federata e Rusisë në zonat më të nxehta të luftimeve në Siri.

“Po ndjekim nga afër dhe po shënojmë përdorimin në rritje të vazhdueshme të armëve dhe municioneve prodhim rus nga organizatat terroriste, ku ia vlen të përmenden ato PKK, YPG, DAESH dhe Al-Nusra”, sqaroi ai.

Ndërsa në lidhje me disa pretendime të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë rreth politikave të Turqisë për Sirinë dhe Krimenë, Bilgiç u shpreh me këto fjalë: “Historia do të na e rikujtojë përherë si një njollë të zezë aneksimin ilegal të Krimesë nga Rusia, e cila vitet e fundit ka sulmuar drejtpërsëdrejti dhe me taktika luftarake hibride shtete fqinje të saj si Ukraina dhe Gjeorgjia, ka ngjallur indinjatë në të gjithë botën me veprat e saj, madje dhe është sanksionuar për shkak të politikave të paligjshme, që ajo ka përvetësuar deri më sot.”

“Shoqëria ndërkombëtare në përgjithësi dhe Turqia në veçanti s’do ta njohin kurrë aneksimin e jashtëligjshëm të Krimesë”, përfundoi zëdhënësi i MPJ-së në Ankara.



Lajme të ngjashme