Erdogan: Më 22 maj do të qartësohet emri i kryeministrit të ri të Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të enjten se do t’i japë detyrën e formimit të qeverisë kryetarit të ri të Partisë AK në pushtet, që do të zgjidhet mbrëmjen e të dielës (22 maj) në kongresin e jashtëzakonshëm të saj.

Erdogan: Më 22 maj do të qartësohet emri i kryeministrit të ri të Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të enjten se do t’i japë detyrën e formimit të qeverisë kryetarit të ri të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) në pushtet, që do të zgjidhet mbrëmjen e të dielës (22 maj) në kongresin e jashtëzakonshëm të saj.

Gjatë një bashkëbisedimi me rininë, realizuar në Kompleksin Presidencial në Ankara dhe transmetuar drejtpërsëdrejti në një kanal televiziv privat, kreu i shtetit turk bëri me dije se emri i kryeministrit të ri të vendit do të qartësohet mbrëmjen e të datës 22 maj.

Erdogan theksoi në përgjigje të një pyetjeje mbi heqjen e imunitetit parlamentar se organi, që do të japë vendimin përfundimtar mbi deputetët e përmendur në procedura ligjore, është Gjyqësori.

“Në njërën anë thonë ‘ja sheshi ja mejdani’ dhe në anën tjetër përpiqen t’i bëjnë bisht procesit. Nëse e pranoni sfidën, atëherë hapini rrugën procedimit. Le të dalin përpara drejtësisë dhe të gjykohet të gjithë. Çfarë kuptimi ka t’i shmangeni gjykimit? Asnjë lloj kuptimi. Sepse në mos sot, nesër do të gjykoheni patjetër. Vallë kur? Do të gjykoheni me doemos atë ditë që përfundoni mandatin e deputetit. Ky proces është i pashmangshëm. Të paktën mos i shkaktoni kokëçarje Kuvendit të Madh Popullor të Republikës së Turqisë”, u shpreh ai.

Mes të tjerash, lideri turk u ndal edhe mbi debatet rreth sistemit presidencial duke paraqitur si shembull vendet anëtare të G20-s, më shumë se gjysma e të cilave qeverisen me sistem presidencial.

Sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët turq, Presidenti Erdogan tha se herët a vonë Bashkimi Evropian do t’i japë Turqisë lëvizjen e lirë.

“Evropa po vepron me hipokrizi. Shikoni që u jep lëvizje të lirë vendeve të Amerikës Latine, pra, i konsideron ato në Schengen. Por çfarë lidhje kanë këto shtete me Bashkimin Evropian? Nëse ua njihni këtë mundësi vendeve amerikanojugore, atëherë përse nuk e bëni edhe për Turqinë, që është një shtet negociues?”, nënvizoi ai.

Një tjetër çështje, mbi të cilën u ndal kreu i shtetit turk, ishte gjithashtu lufta kundër terrorit.

“Të dihet mirë, mbi të gjitha, se operacionet antiterror nuk do të përfundojnë derisa kjo punë të marrë fund, të zgjidhet dhe të barazohet me zero. Ne do ta vazhdojmë këtë luftë, padyshim, derisa të garantojmë plotësisht autoritetin, sovranitetin dhe hegjemoninë e shtetit të Republikës së Turqisë në këtë vend, si dhe qetësinë e kombit tim”, sqaroi Erdogan.

Ndërsa në përgjigje të një pyetjeje mbi turkmenët dhe situatën në Siri, presidenti turk vuri në pah se rrethanat, vështirësitë dhe peripecitë, në të cilat po jetojnë sot turkmenët e Bayirbucakut, nuk janë aspak ngjarje dhe zhvillime të zakonshme.

Erdogan tërhoqi vëmendjen se përpjekjet e Turqisë në lidhje me Sirinë janë madhore dhe se kanë bërë e do të bëjnë çdolloj ndihme për turkmenët e Bayirbucakut, në përpjekje për të mos i braktisur ata kurrë në vetmi.

“Unë jam i bindur se fitorja do të jetë e Malit Turkmen”, vlerësoi Presidenti Recep Tayyip Erdogan.



Lajme të ngjashme