Çavusoglu: Presioni i BE-së për ndryshimin e ligjit të terrorit nënkupton përkrahjen e tij

Çavusoglu kritikoi ashpër imponimin e BE-së që nëse nuk ndryshohet ligji i terrorit nuk do të ketë liberalizim të vizave.

Çavusoglu: Presioni i BE-së për ndryshimin e ligjit të terrorit nënkupton përkrahjen e tij

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu ka thënë se presioni i Bashkimit Evropian ndaj Turqisë për ndryshimin e ligjit të terrorit nënkupton “përkrahjen e terrorit”, ndërsa bëri të ditur se kurrë nuk do të përulen para kësaj.

Ministri Çavusoglu pas mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të mbajtur me temë “Libinë”, të organizuar në Vjenë të Austrisë, u takua në darkë me përfaqësuesit e OJQ-ve dhe biznesmenët turq.

Në fjalën e tij të mbajtur këtu Ministri Çavusoglu tha se imponimet e BE-së në lidhje me liberalizimin e vizave nuk do të pranohen, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Imponimi që ‘ligji i luftës kundër terrorit duhet të ndryshohet, në të kundërtën nuk do ti liberalizohen vizat’, në një kohë kur Turqia lufton kundër organizatave terroriste PKK dhe DAESH, nuk është gjë tjetër veçse përkrahje e terrorit. Ne nuk do të lejojmë një gjë të tillë. Dua të theksoj se ne kurrë nuk do të përulemi përball një imponimi të tillë”.

Mevlut Çavusoglu tha se ai i di shumë mirë standardet dyfishe dhe i bëri thirrje BE-së të jetë e sinqertë, ndërsa rikujtoi se disa vende anëtare të BE-së janë anëtarësuar pa përmbushjen e kritereve.

Çavusoglu gjithashtu bëri të ditur se anëtarësimi i Turqisë në BE është bllokuar dhe shtoi se do të insistojnë në liberalizimin e vizave të Schengenit për qytetarët turq.

Duke e bërë të ditur se BE-ja pa Turqinë nuk mund të bëhet fuqi globale dhe nuk do të mund ti zgjidh problemet e saj ekonomike, Ministri Çavusoglu tha: “Çështjen e vizave me BE-në do të bisedojmë me gjakftohtësi, duhet të përcaktojmë hartën rrugore. Të gjithë duhet të mbajnë fjalën e dhënë”.

Në lidhje me çështjen e Libisë, Çavusoglu bëri të ditur se ky vend kapërcen ditë të vështira dhe se me qeverinë e tranzicionit dalin në pah edhe shpresat e reja dhe se Turqia përkrahë Libinë.  



Lajme të ngjashme