Turqia reagon ndaj hapjes së përfaqësisë së PYD në Gjermani

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Tanju Bilgiç në konferencën e shtypit e ka cilësuar si një zhvillim “të papranueshëm” lejimin e PYD nga autoritetet gjermane të hapë zyrë përfaqësimi në Gjermani.

487339
Turqia reagon ndaj hapjes së përfaqësisë së PYD në Gjermani

Turqia ka reaguar ndaj hapjes së përfaqësisë së organizatës terroriste PYD në Gjermani.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Tanju Bilgiç në konferencën e shtypit që organizoi për këtë çështje tha se një zhvillim i tillë është “i papranueshëm”.

Zëdhënësi Bilgiç tha se lidhja e PYD-së me PKK-në është më se e hapur, duke shtuar se vendet aleate duhet ta mbështesin Turqinë në përpjekjen e saj antiterroriste.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kritikoi edhe mocionin e paraqitur në parlamentin gjerman në lidhje me miratimin e një rezolute për ngjarjet e vitit 1915.

Në lidhje me këtë çështje kohët e fundit Gjermania nuk po demonstron një qëndrim të paanshëm, u shpreh Zëdhënësi Bilgiç duke theksuar se marrëdhëniet e të dy vendeve do të ndikoheshin negativisht në rast të miratimit të kësaj projektrezolute.

“Presim që Parlamenti gjerman të veprojë brenda kornizës së gjykimit të shëndoshë dhe logjikës”, cilësoi Bilgiç.

Gazetarët i kërkuan Zëdhënësit Bilgiç edhe një vlerësim në drejtim të shtyrjes së raundit të tretë të bisedimeve të Gjenevës për ti dhënë fund krizës humanitare në Siri. Bilgiç rikujtoi njoftimin e lëshuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për rinovimin e marrëveshjes lidhur me ndërprerjen e luftimeve në Latakia, Gutën Lindore dhe në Halep.

Në lidhje me insistimin e Rusisë për pjesëmarrjen e PYD-së në bisedimet e Gjenevës, Tanju Bilgiç tha: “Agjenda e Rusisë në Siri tashmë dihet. Moska e thotë hapur që PYD-ja duhet të përfshihet në negociata. Por të gjithë e dinë që kurdët nuk përfaqësohen nga PYD-PKK. Madje vetëm mbrojtja e një ideje të tillë do të thotë reduktim i përfaqësimit të kurdëve atje (në Gjenevë). Ne si Turqi e shprehim me çdo rast se PYD-ja nuk duhet të jetë në tavolinën e bisedimeve. Një qasje e tillë e Rusisë nuk është gjë tjetër veçse përkrahje e terrorit”.  

Në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Ripranimit, e arritur në mars në Bruksel me Bashkimin Evropian, Zëdhënësi Bilgiç tha se nga 5 ishuj (grekë) deri më tani janë marrë 396 migrantë të jashtëligjshëm, kurse në vendet e Evropës janë dërguar 125 sirianë.



Lajme të ngjashme