Koment – Kultura e bashkëjetesës në Turqi

Bashkëjetesa është një art, një projekt që mund të realizohet nga politika, kurse hapi i parë për ta siguruar këtë mundësi fillon me rikthimin e njeriut tek vetvetja, pasi njeriu në momentin që prek tjetrin njeh dhe dallon edhe vetveten.

Koment – Kultura e bashkëjetesës në Turqi

Sipas një besimi të përhapur, romancieri i famshëm rus, Leon Tolstoi kur kishte qenë i vogël kishte humbur ndërsa luante me vëllezërit e tij. Dhe arsyeja e kësaj kishte qenë se ai kishte mbetur prapa tyre gjatë vrapimit. Pastaj kur u gjet, vëllezërve të shqetësuar u kishte thënë: “Unë nuk humba, por kërkoja degën e gjelbër”. 

Dega e gjelbër për Tolstoin kishte qenë një hajmali (besim i kotë) që do të shpëtonte njerëzimin, do ta bënte atë të lumtur dhe do ta çonte në paqe. Edhe ai donte të gjente pikërisht këtë shkop magjik. Kërkonte mundësinë e të jetuarit si një filozof që përpiqet për fatin dhe të ardhmen e njerëzimit. 

Pavarësisht kushteve që e detyrojnë njeriun të bashkëjetojë, njeriu në të vërtetë është një qenie shoqërore. Të qënurit bashkë në fakt është një gjendje normale. Vetëm se kohët moderne këtë e bëjnë edhe më të domosdoshme.

Nëse bashkëjetesën e shikoni si një diçka të natyrshme atëherë nuk margjinalizoni askënd. Por nëse e shikoni këtë (bashkëjetesën) si një detyrim atëherë sjelljet tuaja ndryshojnë. Pra çështja përmban në vetvete ndjenjën e durimit. Ndjenjat ndaj dikujt, të cilin jemi të detyruar ta durojmë janë plotësisht të ndryshme nga ato të bashkëjetesës me dikë që ka të njëjtin thelb me ne dhe që na plotëson neve.

Shtetkombet në histori kanë bërë sovran një mekanizëm politik që parashikon bashkëjetesa të detyrueshme ligjore. Sistemet politike të ndërtuara vetëm mbi vetëdijen politike të strukturave të caktuara etnike i kanë sjellë njerëzimit dhimbje të mëdha. Dhe pasi nacionalizimi kishte hedhur rrënjë, ishte bërë e pamundur përkufizimi i “tjetrit” përmes një fushe jashtë asaj të etnicitetit. Kjo është edhe arsyeja që çdo projekt politik është i detyruar të angazhohet edhe me zgjidhjen e problemeve etnike.

Bashkëjetesa është një art, është një projekt që mund të realizohet nga politika. Dhe hapi i parë për ta siguruar këtë mundësi fillon me rikthimin e njeriut tek vetvetja. Njeriu në momentin që e prek tjetrin njeh dhe dallon edhe veten e tij. 

Nuk dihet nëse Tolstoi arriti ta gjejë apo jo hajmalinë që kërkonte, por ajo që dihet është se sot për këtë hajmali ka më shumë nevojë se asnjëherë tjetër. Sepse globalizimi në botë sot sjell “standardizim”, dhe edhe pse duket sikur i afron edhe më shumë njerëzit, në fakt diversitetet e komunikimit i bëjnë edhe më të theksuara dallimet. Tashmë diversitetet ekzistuese në botë e tejkalojnë zgjimin e një interesimi intelektual dhe po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një element, me të cilin mund të përballemi çdo ditë. Me trashëgiminë historike dhe me vizionin që ka Turqia është një vend që mund të kontribuojë në këtë botë të re. 

Sepse Turqia zotëron një strukturë pak më ndryshe se pluralizmi që haset sot në botën moderne. Një pjesë e rëndësishme e vendeve që sot bartin brenda tyre diversitetete të ndryshme e kanë arritur këtë strukturë pas migrimit të shkaktuar nga industrializimi. Kurse Turqia ka një strukturë të tillë shoqërore që diversitetet i ka mbajtur historikisht brenda saj.

 - Nga Prof. Dr. Mazhar Bağlı, ligjërues në Degën e Sociologjisë së Fakultetit të Shkencave Njerëzore dhe Sociale pranë Universitetit “Karatay", Konya -



Lajme të ngjashme