Merkel: Besoj se Turqia do të plotësojë mangësitë për liberalizimin e vizave

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu besimin e saj se Turqia do të plotësojë shumë shpejt edhe kriteret ende të parealizuara për liberalizimin e vizave.

Merkel: Besoj se Turqia do të plotësojë mangësitë për liberalizimin e vizave

Merkel u shpreh kështu gjatë një takimi në Berlin me Kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, i cili ndodhej në Gjermani për një vizitë zyrtare.

Dy liderët organizuan një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit të zhvilluar në Pallatin Meseberg.

Shefja e ekzekutivit gjerman u shpreh e kënaqur nga raporti pozitiv  i Komisionit Evropian, që rekomandoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Turqisë.

“Besoj se fakti që Turqia ka shënuar progres të rëndësishëm në kriteret e tjera është një shans realist për të plotësuar edhe kushtet që ende mungojnë”, tha ajo.

Pasi theksoi se beson fuqishëm që Turqia do të përmbushë të gjitha kriteret për lëvizjen e lirë në zonën Schengen, Merkel tërhoqi vëmendjen se në mesin e kritereve të rëndësishme renditen ligjet për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe për Luftën Antiterrorizëm.

Kancelarja gjermane cilësoi si “një hap politik madhor” edhe vendimin e Ankarasë për të hequr regjimin e vizave për qytetarët e Bashkimit Evropian, përfshi këtu edhe grekoqipriotët.

Angela Merkel nënvizoi se tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse të zbatohen reciprokisht marrëveshjet dhe të garantohet besueshmëria e marrëveshjes Turqi-BE të 18 marsit për menaxhimin e krizës së refugjatëve.



Lajme të ngjashme