Bozkir-Çavusoglu: Procesi i liberalizimit të vizave përmbyllet deri në fund të qershorit

Ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian, Volkan Bozkir, deklaroi të mërkurën se procesi ligjor në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Turqisë do të përmbyllet deri në fund të muajit qershor.

Bozkir-Çavusoglu: Procesi i liberalizimit të vizave përmbyllet deri në fund të qershorit

Kreu i negociatave të Ankarasë me Brukselin, Volkan Bozkir dhe ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, organizuan në ambientet e Ministrisë për Çështjet e BE-së një konferencë të përbashkët shtypi rreth raportit vlerësues të Komisionit Evropian (KE) për liberalizimin e vizave për shtetasit turq.

Bozkir theksoi se është plotësuar shumica e 72 kritereve të domosdoshme për liberalizimin e vizave, ndërsa shtoi se “këtë gjë e konfirmon në përgjithësi edhe vetë Komisioni i BE-së”.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, tha se kanë bërë përpjekje intensive për zbatimin në qershor të lëvizjes së lirë në hapësirën Schengen.

Ai gjithashtu u shpreh i kënaqur që përpjekjet e jashtëzakonshme të Turqisë janë theksuar edhe në raportin e KE-së.

“Ne jemi të kënaqur me këtë pikë të arritur dhe këtej e tutje, në procesin në vijim, Republika e Turqisë, qeveria dhe ministritë përkatëse do të vazhdojmë të kryejmë detyrat tona me sinqeritet deri në fund”, deklaroi kreu i diplomacisë së Ankarasë.

Marrëdhëniet tona me BE-në, vijoi Çavusoglu, ne nuk i shikojmë vetëm nga një dritare, por nga një vizion më i gjerë; pasi synimi ynë është anëtarësimi me të drejta të plota në Bashkimin Evropian dhe të njëjtin sinqeritet e presim gjithashtu nga Brukseli.

Në fund ministri Çavusoglu u ndal te pasaportat biometrike, një nga kriteret e Unionit për liberalizimin e vizave.

“Mikroqarqeve të pasaportave do t’u ngarkohen shenjat e gishtave duke nisur nga data 1 qershor. Pasaportat e vjetra do të ndryshohen me këto të reja, që kanë edhe shenjat e gishtave si elementë sigurie. Ndërsa si tarifë për pasaportën biometrike do të paguhet vetëm kostoja”, nënvizoi ai.



Lajme të ngjashme