Komisioni Evropian propozon liberalizimin e vizave për shtetasit turq

Komisioni Evropian (KE) propozoi sot një heqje të vizave për qytetarët turq që udhëtojnë në hapësirën Schengen, nën disa kushte, në kuadër të marrëveshjes së arritur më 18 mars mes BE-së dhe Turqisë mbi menaxhimin e krizës së emigrantëve.

Komisioni Evropian propozon liberalizimin e vizave për shtetasit turq

Komisioni Evropian (KE) propozoi sot heqjen e vizave për qytetarët turq që udhëtojnë në hapësirën Schengen, në kuadër të marrëveshjes së arritur më 18 mars mes BE-së dhe Turqisë mbi menaxhimin e krizës së emigrantëve.

KE-ja publikoi raportin e 3-të për zbatimin e hartës rrugore në kontekstin e Dialogut për Liberalizimin e Vizave ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian.

Në raport zë vend edhe rekomandimi, që parashikon heqjen e regjimit të vizave për qytetarët turq në fund të muajit qershor.

Vendimi i KE-së nuk kërkon kohë shtesë për 72 kriteret, që pritet të përmbushen nga Turqia, ndërsa thekson se janë ende 5 kushte për t’u plotësuar.

Deklarata në lidhje me raportin u bë gjatë një konference të përbashkët shtypi nga zëvendëspresidenti i Komisionit, Frans Timmermans dhe eurokomisioneri për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.

“Mes një serie prej 72 kriteresh që duhen përmbushur për të bërë këtë masë të mundshme, Ankarasë i duhet të respektojë edhe pesë kritere deri në fund të qershorit”, shpjegoi Timmermans.

Kurse komisionerja evropiane, Margrethe Vestager, në një mesazh të publikuar në rrjetin social “Tweeter”, postoi një foto ku tregohen dokumente, sipas të cilave, ekzekutivi evropian zyrtarizon këtë masë shumë të pritur nga qeveria turke.

Në këtë mënyrë, Komisioni Evropian përcolli edhe mesazhin se mbështet fuqishëm rekomandimin në lidhje me liberalizimin e vizave për shtetasit turq.

Propozimi i KE-së do të hyjë në fuqi pasi të miratohet në Parlamentin Evropian (PE) dhe në Këshillin e BE-së. Për këtë, rekomandimi duhet më parë që të shqyrtohet në Komisionin e PE-së për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme.

Më pas, vendimi do të votohet në seancë plenare nga Parlamenti Evropian, ku për miratim do të nevojitet shumica absolute. Në rrethanat aktuale, do të kërkohet miratimi nga të paktën 16 vende anëtare, prej gjithsej 28; mirëpo shuma e banorëve të shteteve miratuese duhet të formojë jo më pak se 65% të popullsisë së përgjithshme të Bashkimit Evropian.

Nëse aprovohet edhe në këtë instancë, siç pritet, vendimi do të publikohet në Fletoren Zyrtare të BE-së dhe do të hyjë në fuqi duke u mundësuar qytetarëve turq që nga muaji qershor lëvizje të lirë në Gjermani, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Holandë, Spanjë, Suedi, Zvicër, Itali, Islandë, Letoni, Lihtenshtajn, Lituani, Luksemburg, Hungari, Maltë, Norvegji, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni dhe Greqi.

Krahas këtyre, shtetasit turq do të mund të shkojnë pa viza edhe në Monako, San-Marino e Vatikan.

Në udhëtimet turistike dhe ato me afat të shkurtër, qytetarët e Republikës së Turqisë do të mund të qëndrojnë në vendet e lartpërmendura jo më tepër se 90 ditë.

Regjimi i vizave do të vazhdojë si deri më sot për Anglinë dhe Irlandën, të cilat nuk janë anëtare të hapësirës Schengen.



Lajme të ngjashme