Erdogan: Kundërpërgjigje për çdo sulm ndaj territoreve e qytetarëve të Turqisë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot në Ankara se i janë kundërpërgjigjur dhe do t’i kundërpërgjigjen çdo sulmi ndaj territoreve dhe qytetarëve të Republikës së Turqisë.

Erdogan: Kundërpërgjigje për çdo sulm ndaj territoreve e qytetarëve të Turqisë

Kreu i shtetit turk mbajti një fjalim në Mbledhjen e 25-të me të Zgjedhurit Lokalë, organizuar në ambientet e Kompleksit Presidencial në kryeqytet.

Erdogan reagoi ashpër ndaj sulmeve me raketa në Kilis, kryer nga pozicionet siriane të organizatës terroriste, DAESH, duke rikujtuar operacionet e ditëve të fundit ndaj këtij grupi radikal.

“DAESH-i ka pësuar humbjet më të mëdha nga operacionet e ushtrisë turke, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të tilla në Kilis. Nëse vazhdojnë me të këtilla sulme, atëherë DAESH-i do të pësojë humbje edhe më të mëdha. Ne i njohim shumë mirë synimet, që fshihen pas provokimeve të organizatave terroriste ndaj vendit tonë. Por të jeni të bindur se nuk do t’ia arrijnë kurrë qëllimit”, theksoi Presidenti Erdogan.

Lideri turk u ndal edhe mbi bisedimet në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë lidhur me ndryshimin kushtetues për imunitetin e deputetëve.

“E dimë shumë mirë se deri ku zgjaten kapistallët qoftë të pseudodeputetëve, që dalin nga bisedimet për imunitetin parlamentar duke kënduar marshin e organizatës terroriste, qoftë dhe të institucioneve mediatike, të cilat i trajtojnë ata në lajmet e tyre sikur të ishin heronj”, përfundoi Erdogan.



Lajme të ngjashme