Koment – Rëndësia e marrëdhënieve ekonomike të Iranit me Turqinë

Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani, mori pjesë në Samitin 13. të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), që u mbajt më 14-15 prill në Stamboll, ndërsa më pas realizoi një sërë takimesh zyrtare në Ankara.

Koment – Rëndësia e marrëdhënieve ekonomike të Iranit me Turqinë
hasan ruhani - recep tayyip erdoğan 3
hasan ruhani - recep tayyip erdoğan

Në të vërtetë kishte shumë gjasa që ai të mos vinte fare në Turqi për samitin e OBI-t, sepse dihej që në tekstin e Komunikatës Përfundimtare të tij do të zinin vend disa fraza negative për Iranin. Megjithatë administrata e Teheranit vendosi që të merrte pjesë në konferencë. I parë nga këndvështrimi iranian, ky vendim do të sillte të paktën dy avantazhe: Do të vendosnin shënime kundërshtuese në Komunikatën Përfundimtare dhe do të pengonin krijimin e imazhit të shtetit të veçuar apo të përjashtuar nga bota islame.

Komunikata Përfundimtare e Samitit 13. të OBI-t rezultoi pikërisht ashtu siç e kishte parashikuar Irani, që u dënua nga shtetet anëtare jo vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe për mbështetjen e Hizbullahut. Rol madhor në këtë pikë luajti edhe efektiviteti i Arabisë Saudite, por arsyeja kryesore, që i shtyu vendet islame të vepronin në këtë mënyrë, ishte mbështetja e Teheranit për regjimin e Esadit në Siri. Siç dihet, edhe Hizbullahu libanez, element aktiv i luftës në Siri, është pjesë e kësaj katrahure pikërisht për shkak të ndikimit iranian. Shkatërrimet dhe qindra-mijëra vdekjet e shkaktuara nga kjo luftë kanë bërë që Irani dhe Hizbullahu, përkrahës të fuqishëm të regjimit të Esadit në Siri, të humbasin reputacionin e tyre në pjesën dërrmuese të botës islame.

Përgjithësisht, një gjuhë dënuese e këtij lloji nuk përdoret në komunikatat përfundimtare të OBI-t; por kriza siriane dhe Lufta e Ftohtë, që kanë marrë nën ndikim të gjithë rajonin, u pasqyruan edhe në Komunikatën Përfundimtare të Samitit 13. të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Dhe sigurisht që kjo situatë nuk u prit mirë nga Irani.

Megjithatë kjo nuk e pengoi Presidentin e Republikës Islamike të Iranit, Hasan Ruhani, që të veprojë me pragmatizëm dhe me shpirtin e negociatorit. Ai i realizoi të gjitha takimet zyrtare në Ankara. Edhe pse marrëdhëniet Turqi-Iran janë ndikuar negativisht për shkak të krizës siriane që nga gjysma e vitit 2011 e këtej, deri në 2013-n problemi nuk ishte edhe aq i madh. Presidenti Recep Tayyip Erdogan, asokohe kryeministër i Republikës së Turqisë, ishte pritur shumë mirë në Teheran. Kënaqësinë e tij nga kjo vizitë Erdogani e kishte shprehur me fjalët: “Në Teheran ndihem si në shtëpinë time.”

Siç e kemi thënë më parë edhe në komentin tonë rreth vizitës në Iran të Kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu, Teherani dhe Ankaraja janë shqetësuar nga nisma e ndërmarrë nga Uashingtoni dhe Moska për zgjidhjen e problemit sirian; një situatë kjo që nënkupton përjashtimin e shteteve të rajonit prej dy superfuqive jashtërajonale nga ekuacioni në lidhje me një problem rajonal.

Roli aktiv i përvetësuar nga Rusia në terren dhe përpjekjet e saj disa muaj më vonë për të reduktuar praninë ushtarake, madje pa u këshilluar aspak me Iranin, po e shtynte Teheranin drejt një roli figuranti në skenarin e shkruar prej tij. Një marrëdhënie të ngjashme me këtë përjetoi edhe Turqia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vetëm nga aspekti i pikëpamjes së Uashingtonit në lidhje me PYD-në. Po ashtu, Ankara zyrtare ishte e mendimit se nuk gëzonte mbështetjen e mjaftueshme të aleatit të saj që prej fillimit të krizës siriane.

Këto eksperienca të ndryshme të Turqisë dhe të Iranit për sa i takon luftës në Siri nxorën në pah terrenin e përshtatshëm të një emëruesi të përbashkët për riafrimin e dy vendeve.

Mirëpo, nëse e shikojmë nga aspekti i Iranit, duhet të theksojmë se afrimi i tij me Turqinë ka edhe disa motive të brendshme. Pavarësisht se sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit janë hequr, efektet pozitive të këtij zhvillimi nuk janë pasqyruar ende tek populli iranian dhe, për më tepër, kjo duket se do të marrë më shumë kohë. Çmimet e ulëta të energjisë tregojnë qartë se efekti i rëndë në fjalë nuk do mund të eliminohet për një kohë të shkurtër. Prandaj Irani kërkon të ndjekë një politikë, që jo vetëm do të shkurtonte afatet e zhvillimit ekonomik, por edhe do ta përshpejtonte atë. Ndërsa në kuadrin e kësaj politike po kërkon shanset e bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit duke marrë për bazë ndërvarësinë.

Në këtë aspekt, marrëdhëniet e Iranit me Turqinë dhe me Pakistanin kanë një rëndësi të veçantë. Të para nga ky prizëm, Siria dhe Iraku nuk janë zgjedhje të mira për Iranin. Edhe në rast se regjimi i Esadit arrin të mbijetojë, ai është shumë larg një gjendjeje të mjaftueshme për të përmbushur nevojat ekonomike të Teheranit. Kurse Iraku, pavarësisht se është në një situatë më të mirë sesa Siria, po përballet me një numër të madh problemesh politiko-ekonomike, të cilat nuk e bëjnë atë një alternativë të fuqishme për bashkëpunim rajonal në fushën e tregtisë dhe të ekonomisë. Nga ana tjetër, edhe pse është lehtësuar disi nga kërcënimi i DAESH-it, që nuk është më kaq i rrezikshëm sa pak kohë më parë, Iraku është i mbarsur me probleme politike të reja dhe ka shumë pak gjasa që t’i ndreqë të gjitha këto brenda një kohe të shkurtër.

Përpjekjet e Iranit, një vend ky me marrëdhënie të prishura jo vetëm me Izraelin, por edhe me shtetet arabe, për të zhvilluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Turqinë, janë një zgjedhje realiste. Kompanitë perëndimore në njërën anë duan të zhvillojnë marrëdhëniet e tyre me Iranin, por në anën tjetër përpiqen t’i shmangen një reagimi të mundshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj janë duke proceduar me ngadalësi. Në këtë suazë, Turqia nuk e humbet kurrë rëndësinë e saj nga aspekti i Iranit.

Siç e tregoi qartë edhe vizita e fundit e Kryeministrit Ahmet Davutoglu në Iran, qeveria turke e konsideron Teheranin si një faktor ekuilibri dhe stabiliteti në rajon. Mospërjashtimi i plotë i Iranit nga Turqia në këtë periudhë, që po shënon progres madhor në zhvillimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite, është një shans kolosal edhe për administratën Ruhani që të hapë një faqe të re.

Aspirata e Presidentit Ruhani për të zhvilluar marrëdhëniet me Turqinë bart me vete gjithnjë mundësinë e disa problemeve në politikën e brendshme iraniane. Por në këtë pikë, nëse peshohet qari dhe qederi, themelimi i marrëdhënieve të mira me Turqinë është një fitim i madh për Iranin, sikurse dhe për çdo vend tjetër.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara​​​​​​



Lajme të ngjashme