Ankara - Arrestohet një nga autorët e sulmit terrorist përpara stacionit të trenave

Forcat turke të sigurisë kanë kapur dhe arrestuar të shumëkërkuarin Nihat Urkmez, një nga autorët e sulmit terrorist të 10 tetorit 2015 përpara Stacionit Qendror të Trenave në Ankara, ku humbën jetën 103 persona.

Ankara - Arrestohet një nga autorët e sulmit terrorist përpara stacionit të trenave

Prokuroria e Ankarasë u kishte dërguar të gjitha drejtorive rajonale të policisë në vend fotografitë, që ishin nxjerrë nga kompjuteri i të arratisurit Yunus Durmaz, i cili ka dhënë urdhrin e sulmit.

Ekipe të Policisë së Bingolit konstatuan ditën e enjte se Nihat Urkmez, anëtar i organizatës terroriste, DAESH, i fotografuar bashkë me korrierin e sulmit, Halil Ibrahim Durgun, ishte larguar nga Bingoli dhe kishte shkuar në Elazig.

Urkmez u kap në Elazig, gjatë orëve të vona të ditës së enjte, si rezultat i një operacioni të përbashkët të skuadrave policore antiterror të rretheve Elazig, Bingol dhe Ankara.

Terroristi u dërgua në kryeqytet dhe gjykata përkatëse nxori menjëherë urdhrin e arrestit.

Pas sulmit të 10 tetorit 2015, ekspertët e luftës kundër terrorit në Drejtorinë e Policisë së Ankarasë realizuan në kuadër të hetimeve një sërë operacionesh në Gaziantep, ku gjatë bastisjeve konfiskuan një sasi të madhe materialesh digjitale, që hodhën dritë mbi disa të dyshuar, mes të cilëve edhe Nihat Urkmez.

Autoritetet turke të sigurisë theksojnë se, duke u bazuar në të dhënat e deshifruara të materialeve digjitale të Gaziantepit, brenda një kohe të shkurtër do të ketë edhe arrestime të reja.



Lajme të ngjashme