Pendohen terroristët e PKK-së, pohojnë se janë mashtruar

Terroristët, që u janë dorëzuar me dëshirë forcave turke të sigurisë në Jyksekova të Hakjarit, deklaruan se janë mashtruar nga organizata terroriste-separatiste, PKK, si dhe që janë penduar që i janë bashkuar asaj dhe që i kanë bërë keq popullit të zonës.

Pendohen terroristët e PKK-së, pohojnë se janë mashtruar

Një prej terroristëve të dorëzuar pohoi se kanë shpuar muret e shtëpive të qytetarëve, kanë hapur tunele poshtë tyre dhe kanë djegur banesat në ato vende, nga të cilat janë arratisur.

“Popullit kurd dhe atij të zonës lindore e juglindore të Turqisë në përgjithësi u kemi shkaktuar dëme të mëdha. Na kanë mashtruar dhe na kanë lënë të vdesim. Jam penduar. Dua edhe unë të futem nën strehën e drejtësisë së shtetit", tha ai.

Gjatë dëshmisë së tij me gojë, terroristi i dorëzuar shpjegoi edhe çastet e para pas dorëzimit.

“Forcat e sigurisë na pritën mirë dhe na dhanë për të ngrënë. Atje kishte edhe djem të rinj, të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç; që të gjithë po mjerohen për shkak të PKK-së. Le të vijnë dhe të strehohen pranë shtetit; nuk ka asnjë zgjidhje tjetër", theksoi ai.

Një tjetër terrorist u shpreh se “këto barrikada nuk janë në dobi të popullit; nëse do të ishte kështu, atëherë populli do të qëndronte këtu dhe s'do të ikte duke lënë pas hendekët dhe barrikadat".

Kurse një terrorist i tretë vuri në pah se organizata terroriste-separatiste, PKK, mashtron vazhdimisht të rinjtë dhe fëmijët në moshë të vogël.



Lajme të ngjashme