Koment – Sektori i telekomunikacionit dhe teknologjia 4.5G në Turqi

Në këtë artikull do t’ju informojmë në lidhje me sektorin e telekomunikacionit në Turqi dhe efektet e këtij sektori në ekonominë e vendit.

Koment – Sektori i telekomunikacionit dhe teknologjia 4.5G në Turqi

Globalizimi i ekonomisë apo procesi i lidhjes së ekonomive të shteteve të ndryshme me njëra-tjetrën, një fenomen ky që është përshpejtuar pas Luftës II Botërore, bën të domosdoshëm një komunikim të vazhdueshëm ndërmjet vendeve. Sektori dhe mjetet e telekomunikacionit kanë marrë një tjetër përmasë sidomos falë zvogëlimit të dimensioneve të kompjuterëve dhe përhapjes së përdoruesve individualë. Sot, telefonat celularë, kompjuterët dhe interneti janë lehtësisht të arritshëm nga të gjithë. Këto zhvillime garantojnë një komunikim e ndërveprim shumë më efektiv dhe më të mirë, në lidhje me fusha e çështje të llojllojshme, jo vetëm mes individëve e kompanive, por edhe ndërmjet institucioneve shtetërore. Tashmë qytetarët e shumë vendeve të botës i kryejnë një pjesë të mirë të punëve të tyre përmes telefonave inteligjentë apo kompjuterëve, pa humbur kohë. Falë zhvillimeve të rrufeshme në sektorin e telekomunikacionit, kompanitë jo vetëm që fitojnë para duke prodhuar teknologji të reja, por reduktojnë edhe kostot e tyre; ndërsa shtetet dhe qeveritë kanë filluar t'iu ofrojnë qytetarëve shërbime publike mjaft më cilësore dhe të shpejta.

Edhe Turqia, me ekonominë e saj në zhvillim dhe popullsinë e re në moshë dhe dinamike, po u përshtatet me shpejtësi zhvillimeve teknologjike në botë. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK), rreth 55% e qytetarëve turq të grupmoshës 16-74 vjeç janë regjistruar si përdorues të kompjuterit në 2015-n. Bazuar mbi një tjetër statistikë të vitit të kaluar, në 97% të banesave në Turqi ka të paktën një telefon celular. Ndërsa një tjetër praktikë, që zhvillohet në vijë paralele me përdorimin e kompjuterit dhe internetit, është rritja e vazhdueshme e numrit të personave, të cilët realizojnë shitblerje apo bëjnë pazar me anë të internetit. Ndërkohë që në 2014-n vetëm 30% e përdoruesve të kompjuterit bënin “shoping" nga interneti, një vit më pas ky nivel është rritur në 33%. I vlerësuar në këtë prizëm, sektori i telekomunikacionit garanton të mira ekonomike në shumë fusha.

Rritja e vrullshme në transferimin e të dhënave dhe zhvillimet teknologjike bënë të domosdoshëm shfrytëzimin e teknologjive të reja edhe në sektorin e telekomunikacionit. Në këtë suazë, Turqia realizoi në 2015-n tenderin për teknologjinë 4.5G dhe pajisi me licenca të ndryshme disa kompani operuese në këtë fushë, për t'u mundësuar qytetarëve të saj internet më të shpejtë dhe komunikim më cilësor. Si rezultat i tenderit të lartpërmendur, në arkën e shtetit kanë hyrë 1,15 miliardë euro. Teknologjia 4.5G shkurton kohën e veprimeve në internet dhe redukton ndjeshëm kostot. Falë kësaj teknologjie, qytetarët e Turqisë dhe firmat me aktivitet në këtë vend, qofshin ato vendase apo të huaja, gjejnë shansin për të pasur qasje në një komunikim më të shpejtë dhe më cilësor. Përveç këtyre, një rritje e dukshme shënohet edhe në cilësinë e shërbimeve publike, që u ofrohen qytetarëve. Një tjetër “plus" i teknologjisë 4.5G është se rrjetet GSM dhe ato të internetit do të shtrihen në mbarë kufijtë e Turqisë. Në këtë mënyrë, Turqia do të pajiset me një infrastrukturë telekomunikacioni, që do të mundësojë lidhje të shpejta dhe në kohë reale në çdo skaj të vendit.

Si përfundim, teknologjitë në zhvillim dhe lidhjet e ngushta të ekonomive të shteteve të ndryshme me njëra-tjetrën, e bëjnë sektorin e telekomunikacionit gjithnjë e më tepër të rëndësishëm. Komunikimi i vazhdueshëm kombëtar e ndërkombëtar mes individëve dhe firmave luan një rol me peshë madhore për ekonomitë. Një vend bëhet më joshës për investitorët e huaj dhe kompanitë ndërkombëtare nëse ka një infrastrukturë të zhvilluar telekomunikacioni. Nga ana e saj, edhe Turqia, një vend me popullsi të re dhe dinamike, po i ndjek nga afër zhvillimet teknologjike duke shfrytëzuar në mënyrë efektive mjetet e telekomunikacionit. Falë teknologjisë 4.5G, tenderimi i të cilës u realizua vitin e kaluar dhe më datë 1 prill filloi të përdoret, sektori i telekomunikacionit në Turqi është forcuar edhe më shumë. Teknologjia 4.5G ka shkurtuar ndjeshëm kohën e transferimit të të dhënave dhe ka rritur shumë shpejtësinë e qasjes në informacion. Rritja e shpejtësisë së qasjes në informacion është një faktor që redukton edhe kostot e qytetarëve dhe firmave për të mbërritur tek informacioni në jetën e përditshme. Duke qenë se edhe Turqia po ecën me hapin e kohës në këtë fushë, zhvillimi i sektorit të telekomunikacionit do të vazhdojë të kontribuojë në rritjen ekonomike turke.


Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme