Avokati i Erdoganit: Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore në Gjermani

Avokati i Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili deponoi një ankesë zyrtare kundër humoristit gjerman, Jan Bohmermann, për një vjershë ofenduese në dëm të tij, deklaroi se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore.

Avokati i Erdoganit: Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore në Gjermani

“Nëse marr përsipër një çështje gjyqësore, kjo do të thotë se di ta fitoj atë", tha Hubertus von Sprenger, përfaqësuesi ligjor i Presidentit Erdogan në Gjermani, i ftuar në buletinin qendror të lajmeve në kanalin “ZDF".

Pasi theksoi se do ta ndjekë këtë çështje deri në instancën e fundit ligjore, avokati Von Sprenger vijoi me këto fjalë: “Kreu i shtetit turk kërkon që personi në fjalë të gjykohet, të ndëshkohet dhe që të mos e përsërisë më kurrë një gjë të tillë nga aspekti i të drejtës civile."

Sa i përket Bohmermannit, punët e tij duket se nuk po ecin edhe aq mirë. Moderatori dhe humoristi i famshëm gjerman njoftoi anulimin e programit të tij televiziv për këtë javë.

Bohmermanni dhe kompania, që ka marrë përsipër produksionin e emisionit të tij, vendimin në fjalë e motivoi duke thënë se “presioni i opinionit publik është rritur ndjeshëm për shkak se janë publikuar shumë lajme në lidhje këtë lajme dhe e gjithë vëmendja është përqendruar mbi Bohmermannin dhe programin e tij".

Hetimi kundër Bohmermannit, për shkak të vjershës ofenduese që ai recitoi në emisionit televiziv të drejtuar prej tij, bazohet mbi dy nene të Kodit Penal të Gjermanisë.

Që të hapet gjyq duke u bazuar në nenin 103. “për fyerje ndaj kryetarëve të shteteve të huaja", nevojitet më parë një leje e qeverisë federale gjermane.

Ndërsa Presidenti Erdogan e ka bërë denoncimin në bazë të nenit 185. të Kodit Penal gjerman, që parashikon dënimet për “ofendim".

Të dyja hetimet e sipërcituara po ndiqen nga Prokuroria e Mainzit, ku ndodhet edhe selia e kanalit “ZDF".

Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate e Gjermanisë kërkoi heqjen e nenit 103. të Kushtetutës, i cili rregullon dënimet dhe ndëshkimet “për fyerje ndaj kryetarëve të shteteve të huaja".

Thomas Oppermann, kreu i grupit parlamentar të partisë Socialdemokrate, tha se ky nen duhet të fshihet nga Kushtetuta e Gjermanisë, pasi është “i vjetëruar dhe jo bashkëkohor".



Lajme të ngjashme