Ushtria turke vijon operacionet antiterror kundër PKK-së

Forcat e Armatosura të Turqisë vazhdojnë t'i japin goditje të rënda organizatës terroriste dhe separatiste, PKK.

Ushtria turke vijon operacionet antiterror kundër PKK-së

“Sot janë asgjësuar gjithsej 8 terroristë, 7 në zonën Nusajbin të Mardinit dhe 1 në qendër të Shërnakut", theksohet në një komunikatë të sotme të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë turke.

Në total, numri i terroristëve të vrarë gjatë operacioneve të fundit ka arritur në 344 në Nusajbin dhe në 324 në Shërnak.

Po ashtu, forcat turke të sigurisë kanë sekuestruar një sasi të madhe municionesh dhe neutralizuar shumë kurthe artizanale me lëndë plasëse.

Sakaq, janë arrestuar 14 anëtarë të organizatës terroriste dhe separatiste, YDG-H, të cilët ishin ndaluar gjatë një kontrolli rrugor në Shanllëurfa.

Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë turke publikoi sot në uebfaqen e tij zyrtare edhe një raport të aktiviteteve të përditshme të kërkim-shpëtimit, sipas të cilit 195 persona janë kapur teksa përpiqeshin për të hyrë me rrugë ilegale nga Siria në Turqi.

Gjithashtu janë kapur 11 persona që tentonin të shkonin ilegalisht nga Turqia në Siri, 21 të tjerë nga Turqia në Greqi dhe 11 vetë nga Turqia në Bullgari. Autoritet turke kanë bërë procedurat e nevojshme ligjore për të lartpërmendurit.

Si rezultat i ndërhyrjeve në kufirin turko-sirian, forcat turke të sigurisë kanë sekuestruar 450 steka cigaresh dhe disa telefona celularë, që përdoreshin për kontrabandë.

Procedurave u janë nënshtruar po ashtu 70 persona, që nuk kishin domosdoshmëri ligjore për të qëndruar në Turqi, si dhe 16 klandestinë të kapur në ujërat territoriale të Egjeut.

Ndërsa në jug të zonës Akjarllar, njësi administrative e qytezës Bodrum, 16 emigrantë të tjerë janë kapur të fshehur nën një gomone, gati për të udhëtuar ilegalisht drejt ishujve grekë.



Lajme të ngjashme