Koment - Beteja e Lepantit, dy histori robërie dhe kthimi në shtëpi

Beteja e Lepantit (1571), njohur ndryshe edhe si Lepantos, është njëra prej ngjarjeve më të njohura në historinë e marrëdhënieve osmano-evropiane.

454749
Koment - Beteja e Lepantit, dy histori robërie dhe kthimi në shtëpi
İnebahtı Deniz Muharebesi

Ibrahim Kalin - Ambasador dhe zëdhënës i Presidencës së Republikës së TurqisëBeteja e Lepantit (1571) është njëra prej ngjarjeve më të njohura në historinë e marrëdhënieve osmano-evropiane. Simbolika, kujtime dhe ndjenjat që ngjallë kjo luftë prej shekullit të 16-të e këtej, ka mbetur si një tipar i përjetshëm në krahasimin e perceptimeve islame dhe perëndimore. Përveç të qenit një luftë detare, kjo ngjarje në mënyrë të papritur lidhi fatin e njerëzve të ndryshëm. Robëria e shkrimtarit më të famshëm spanjoll i periudhës mesjetare, Miguel Cervantes që ishte një figurë në rritje e letërsisë perëndimore dhe e burrit shtetëror të Perandorisë Osmane, poetit dhe historianit, “Hindi" Mahmudit, ndarja dhe kthimi i tyre në shtëpi në rrethana të papritura, janë shembuj tipik të tregimeve që i dëshmojnë koncepteve të ndërthurura.

Fitorja e betejës së zhvilluar në det të hapur në afërsi të Lepantos në Gjirin e Korintit të Greqisë nga ana e forcave detare të Evropës të komanduara nga austriaku Don John, në mënyrë të drejtë shkaktoj jehonë të madhe në të gjitha anët. Evropianët përjetuan habi më të madhe sesa osmanlinjtë: Mundja ndaj turqve, të cilët me shekuj nuk arritën të mposhten dhe dalja e Evropës nga të qenit një “liqen i turqve".

Në të katër anët e Evropës u organizuan kremtime dhe gosti të mëdha. Euforia e fitores ndjehej në ajër. Afër ishte edhe “rënia e turqve". Perëndia, e cila kishte braktisur krishterët në Evropë për shkak të pabesisë dhe mëkateve, më në fund u doli në ndihmë. Papa Pius i 5-të, i cili luajti një rol të rëndësishëm në fitoren e Betejës së Lepantit, fitoi një pozitë të mirë për filluar një luftë të re kundër “saraçenëve" (kështu quheshin myslimanët gjatë kohës së kryqëzatave).

Mirëpo kjo eufori e fitores nuk zgjati shumë. Vitin e njëjtë osmanlinjtë e morën Qipron. Rindërtuan flotën e tyre dhe u kthyen me forca më të mëdha. Sokullu Mehmet Pashai, veziri i madh i Sulltan Selimit të 2-të, ambasadorit të Venedikut, Marcantonio Barbaros, i tha këto fjalë të famshme: “Ju keni ardhur për të parë sesi do të përballemi me këtë fatkeqësi. Mirëpo dua t'ju tërheq vëmendjen në dallimin mes humbjes tonë dhe tuajës. Me marrjen e Qipros nga ju ne ju shkëputëm dorën; me fitoren e juaj në Betejën e Lepantit ju vetëm na e shkurtuat mjekrën. Dora e prerë nuk rritet më, por mjekra e prerë do të rritet përsëri edhe më e trashë." Pas shumë vitesh Voltaire, i cili nuk humbte rastin për të përdorur mendjen e tij të shkathtë dhe cinizmin, tha kështu: “Duket se turqit kanë fituar në Lepant."

Beteja e Lepantit pas vete la shumë gjurmë. Ajo formoi politikën, perceptimin dhe sjelljet gjatë shekujve të ardhshme. Në territoret e Evropës dhe të osmanlinjve u shumuan tregimet e trimërisë, sakrificës, robërisë dhe kthimit në shtëpi. Këto tregime dhanë një ngjyrë të jashtëzakonshme imagjinatës së brezave të ardhshme. Mes këtyre vlen të përkujtohen tregimet spanjolle dhe osmane nga konteksti historik, gjenialiteti letrar dhe rëndësinë e tyre ndërkulturore.

Miguel Cervantes, i cili ishte plotë entuziazëm për besim dhe atdhe, në vitin 1571 iu bashkëngjit ushtrisë evropiane për ti bërë ballë osmanlinjve në Lepant. Krahas sëmundjes së tij dhe paralajmërimet e përsëritura të komandantit të tij ai e hodhi veten në front dhe u plagos në dorën e majtë. Mirëpo ai këtë e pa si një bekim nga Perëndia, sepse kjo bëri që ai si një shkrimtar të përqendrohet në dorën e shkrimit. Duke përkujtuar me krenari ditët e luftës ai thotë kështu: “Atë ditë unë isha aty". Por pas shumë vitesh Cervantes u rrëmbye nga ana e piratëve myslimanë dhe u dërgua në Algjeri. Këtu ai jetoi në robëri për 5 vjet. Në shumicën e veprave të tij, si p.sh. “El Trato de Argel" (Robi i Algjerisë), “Los Banos de Argel" (Burgjet e Algjerisë) dhe natyrisht veprën e tij të famshme “Don Kishot", ai flet për këtë robëri. Në vitin 1580, ai lirohet në sajë të ndërmjetësimit të Sektit të Trinisë së Shenjtë (dhe pas pagesës së shpërblimit).

Periudha e robërisë 5-vjeçare e Cervantesit u bë temë e debateve në vendlindjen e tij. Çfarë bëri gjatë kësaj kohe? A e tradhtoi besimin e tij? A ishin të vërteta pretendimet se është bërë mysliman fshehurazi? Si shpjegonte marrëdhëniet e mira me Hasan Pashain, Emirin e Algjerisë, e cila ishte nën sovranitetin e osmanlinjve? Po, ai 4 herë tentoi të arratiset, por asnjëherë nuk është ndëshkuar për këtë. Të kundërtën ata silleshin mirë me atë. Pse? Këto lloj pyetjesh duket se shqetësonin spanjollët. Por, ai asnjëherë nuk hoqi dorë nga tentimi i tij për tu arratisur dhe për tu kthyer në shtëpi. Duke i vështruar myslimanët, krishterët dhe hebrenjtë gjatë robërisë, ai bëri vëzhgime të detajuara mbi besimin islam, kulturën, artin dhe gjeografinë e Afrikës Veriore dhe këto përvoja i shtuan pasuri veprave të tij letrare. Natyrisht se Cervantesi nuk ishte një liberal apo pluralist. Ai shikonte në islam dhe myslimanët nga korniza e tregimeve të rrejshme të krishterëve, legjendave dhe të paragjykimeve dhe siç duket urrente edhe robërinë e tij. Pavarësisht nga kjo kthimi i tij në shtëpi u bë një ngjarje kulturore dhe letrare, sepse takimet e panumërta të njerëzve të thjeshtë me udhëheqësit e Algjerisë i krijoi një rast të cilin shumë pakë njerëz modernë të shekullit të 16-të e kishin.

Një person tjetër, fatin e të cilit e përcaktoi Beteja e Lepantit, ishte Hint Mahmudi, një burrë shteti, një poet dhe historian i Perandorisë Osmane. Tregimi i tij ishte robëria dhe kthimi në shtëpi i përmbledhur në vargje në veprën e titulluar “Ditari i Hint Mahmudit". Hint Mahmudi, i lindur mes viteve 1513-1514 në Afyonkarahisar në një familje modeste, u ngrit shpejt në Perandorinë Osmane, ku fillimisht ishte nëpunës i gjykatës, më pas arkëtar dhe ambasador. Nofka e tij Hintli (Indian) i është vënë nga ana e princit Selim, i cili në atë kohë ishte pasardhësi i fronit dhe më pas u bë sulltan. Porta e fatkeqësisë për Mahmudin u hapë në kohën kur mori pjesë në forcat detare të osmanlinjve në Betejën e Lepantit. Pas humbjes së osmanlinjve, ai u kap rob nga ana e Don Johnit. Pas udhëtimit të mundimshëm që zgjati me javë të tëra, ai me të tjerët fillimisht u dërgua në Messina, më pas në Napoli dhe në fund në Romë. Me burgosjen e tij në Castel Sant'Angelo, që ndryshe njihej edhe si mauzoleu i Hadrianit, Mahmudit i filloi një periudhë e re e jetës së tij. Dhe ja pra këtu prehet rruga e Mahmudit me Cem Sulltanin, të vëllain e Sulltan Bayazitit, që në perëndim njihej si Princi Zizim. Pas humbjes së fronit nga vëllai i tij, Cemi 13 vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në robëri të Kalorësve të Rodosit, të Papa Inocentit të 8-të dhe feudalëve të ndryshëm dhe në vitin 1495 vdiq para kohe në Napoli. Cemi gjatë kohës deri sa ishte në Romë ai ka qenë vazhdimisht në burgun e njëjtë që ishte një burim i kureshtjes së madhe në Evropë, i imagjinatave të egra dhe i grindjeve politike. Gjatë kohës së robërisë Hintli Mahmudi asnjëherë nuk humbi shpresat për tu kthyer një ditë në shtëpi. Me lot në sy ai mendonte në familjen, gruan dhe fëmijët e tij. Përballë fatkeqësive ai kërkonte durim prej Allahut. Personave me të cilët ndante qelinë e tij ai u këshillonte të qëndrojnë të fortë. Ata iu afruan njëri-tjetrit. Bënë lutje sëbashku. Ata ishin falënderues ndaj atyre që i burgosën për lejimin e faljes së namazit të xhumasë dhe kremtimin e Ditëlindjes së Profetit të myslimanëve. Madje në burg e këndonin me zë ezanin. Castel Sant'Angela ishte kthyer në një faltore për robërit osmanë.

Hintli Mahmudi, në ditarin e tij të shkruar me një gjuhë poetike, disa pjesë e të cilit arritën deri në ditët e sotme, aftësinë e tij letrare e përdori si një mbështetje gjatë ditëve të robërisë së tij në Romë. Ai lavdëroi qëndrimin e butë dhe fisnik të Don Johnit ndaj tyre. Kritikoi politikat papate të Vatikanit. Nga qelia e tij e burgut ai i dëshmoi kryengritjeve të Romës në vitin 1572, vdekjen e Papa Piusit të 5-të dhe emërimin e Gregoryit të 8-të në vend të tij. Bëri vëzhgime të larmishme mbi evropianët dhe kulturën evropiane. Ai një ditë imagjinoi pushtimin e Romës, qëllimin përfundimtar të turqve për këtë qytet të lashtë dhe për të përshkruar ardhjen në pushte atë e quajti me në shprehje të vjetër “Molla e Kuqe". Pas lirimit të tij me shkëmbimin e robërve në vitin 1575, Hintli Mahmudi ishte në moshën 64-vjeçare. Pjesën e mbetur të jetës së tij e kaloi në Stamboll duke e shkruar veprën me titull “Kisas-i Enbiya" (Tregimet e Profetëve). Këtë vepër ai e dedikoi Sulltan Muratit të 3-të, i cili ia dhuroi lirinë.

Kthimi në shtëpi edhe për Cervantesin edhe për Mahmudin kanë qenë një rilindje dhe një burim i madh i entuziazmit dhe falënderimit. Edhe pse ishin njerëz të ndryshëm dhe kanë përjetuar përvoja të ndryshme, gjërat të cilat ju ndihmuan për të përballuar vitet e robërisë kanë qenë pak a shumë të ngjashme: besimi, shpresa dhe qëndresa. Në të njëjtën kohë ata ishin persona të jashtëzakonshëm me aftësitë e tyre letrare, imagjinatën dhe thellësinë ndërkulturore-këto janë mu ato virtyte të cilat bënë që emrat e tyre të arrijnë deri më sot.

Por kjo nuk është e tëra. Tregimet e tyre përputhen me tregimin e Hasan al-Wazzan që ishte një personalitet tjetër i çmuar i shekullit të 16-të që në Afrikën Perëndimore njihet me nofkën Leo. Al-Wazzan, i cili në vitin 1518 ishte kapur rob, ka qenë shërbëtori i Papa Leonit të 10-të dhe shkroi veprën e njohur botërore me titull “Përshkrimi i Afrikës". Libri i Amin Maalouf me titull “Leo i Afrikës" tregimin e tij e shndërron në një kryevepër letrare dhe tregon se si ky njeri i jashtëzakonshëm arriti ti kapërcej barrierat fetare, gjuhësore dhe kulturore dhe të kthehet në shtëpi.

Këto tregime japin shumë mësime në lidhje me sprovat e shpirtit të njeriut dhe rezistencën e tij përballë fatkeqësive. Tregojnë pikën e tyre të përbashkët të robërisë dhe kthimit në shtëpi. Në të njëjtën kohë tërheq vëmendjen edhe në strukturën e ndërthurur dhe të ngatërruar të komunikimit mes shoqërive islame dhe atyre perëndimore. Nuancat të cilat sjellin këto tregime në të kuptuarit aktual islamike dhe perëndimore, janë shumë të rëndësishme për testimet dhe fatkeqësitë e sotme të cilat nuk mund të injorohen.


Autor: Ibrahim Kalin - Ambasador dhe zëdhënës i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Ergjan Muharremi - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme