Cilat janë pikat kryesore të marrëveshjes BE-Turqi?

Marrëveshja e arritur dje në Bruksel mes BE-së dhe Turqisë përmban masa të pazakonta dhe të përfolura, ku më spektakolarja është kthimi i emigrantëve të rinj që mbërrijnë në Greqi drejt Turqisë duke filluar nga 20 marsi, përfshirë edhe azilkërkuesit.

Cilat janë pikat kryesore të marrëveshjes BE-Turqi?

Kthimi i emigrantëve

Gjithë emigrantët e rinj të parregullt që vijnë nga Turqia në ishujt grekë duke filluar nga 20 mars 2016 do të kthehen. Kjo masë e përkohshme dhe e jashtëzakonshme synon t'i japë fund kalimeve të rrezikshme të detit Egje dhe të shpërbëjë biznesin e trafikantëve.

Që rikthimi i azilkërkuesve të mos shkelë ligjet ndërkombëtare, marrëveshja garanton që të gjitha kërkesat për azil do të jenë objekt i një shqyrtimi individual në ishujt grekë, që përbën një sfidë logjistike që do të jetë e vështirë për t'u realizuar.

Një për një

Për çdo sirian të kthyer drejt Turqisë nga ishujt grekë, një tjetër sirian do të merret nga Turqia drejt BE-së, parashikon projektmarrëveshja. Prioritet do t'i jepet emigrantëve që nuk janë përpjekur të shkojnë ilegalisht në BE.

Për të garantuar shtetet anëtare dyshuese përballë premtimeve të reja për pritje, projekti parashikon një nivel prej 72 000 emigrantësh gjithsej, sipas kuadrit të angazhimit të marrë nga vendet e BE-së por ende të pakonkretizuar.

Nëse numri i emigrantëve të pranuar do t'i afrohet këtij niveli, mekanizmi do të rishikohet dhe nëse numri kalon këtë nivel mekanizmi do të bllokohet.

Liberalizimi i vizave

Një nga kërkesat e Ankarasë është përshpejtimi i liberalizimit të vizave për shtetasit turq drejt Evropës deri në fund të qershorit 2016.

Ndihmë financiare

BE-ja angazhohet të përshpejtojë dhënien e tre miliardë eurove që i janë premtuar më parë Turqisë për përmirësimin e kushteve të jetës të rreth 2,7 milionë refugjatëve që ajo pret.

Kur këto burime të jenë duke u mbaruar dhe me kusht që Turqia të respektojë disa angazhime mbi përdorimin e tyre, BE-ja do të mobilizojë një financim shtesë prej tre miliardë eurosh deri në fund të vitit 2018.

Aderimi në BE

Qiproja kishte kërcënuar se do të bllokonte marrëveshjen me Turqinë, pasi është kundër premtimit që i është bërë Ankarasë për një hapje të shpejtë të një kapitulli të ri në negocimet e saj për aderim në BE.

Përfundimisht, formula e kompromisit të arritur citon vetëm një kapitull. BE-ja dhe Turqia vendosën të hapin kapitullin 33, që përkon me çështjet buxhetore, gjatë presidencës holandeze, që përfundon në fund të qershorit.

Ndërsa puna përgatitore për hapjen e kapitujve të tjerë do të vazhdojë me një ritëm të përshpejtuar pa paragjykim ndaj pozicionimeve të shteteve anëtare sipas rregullave ekzistuese.



Lajme të ngjashme