Koment – Politikat për rritjen e punësimit në Turqi

Në këtë artikull do t’ju informojmë në lidhje me punësimin dhe politikat për nxitjen e punësimit në Turqi, si dhe për Agjencinë Turke të Punësimit (ISKUR).

Koment – Politikat për rritjen e punësimit në Turqi

Investimet luajnë një rol të rëndësishëm për të mundësuar rritjen ekonomike dhe ngritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve në vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim e sipër. Falë investimeve, populli gjen shansin e punësimit dhe rrjedhimisht shënohet rritje në nivelin e mirëqenies së vendit. Për të rritur punësimin, shtetet mbështesin investimet dhe politikat për rritjen e punësimit. Menjëherë pas krizës financiare botërore të 2008-s, pothuajse të gjitha ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Japoni, hartuan politika të ndryshme për rritjen e punësimit dhe reduktimin e nivelit të papunësisë. Vendet e industrializuara u përpoqën që të rigjallërojnë ekonomitë e tyre duke injektuar likuiditete pa detyrim në tregjet përkatëse. Veçanërisht SHBA-të, si një sinjal i daljes nga kriza financiare, kishin për qëllim reduktimin e nivelit të papunësisë nën 6%. Megjithatë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian ka qenë gati e pamundur të arrihej niveli i dëshiruar i punësimit dhe i rritjes ekonomike.

Turqia, si një ndër ekonomitë në zhvillim, synon të renditet në mesin e vendeve të industrializuara falë vizionit të saj deri në vitin 2023, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të republikës. Në këtë kontekst, Turqia ka hartuar dhe vazhdon të hartojë një sërë politikash, që kanë për qëllim rritjen e ekonomisë dhe të punësimit. Rol të rëndësishëm në hartimin dhe implementimin e këtyre politikave luan edhe Agjencia Turke e Punësimit (ISKUR). Misioni dhe synimi parësor i agjencisë në fjalë është ndërmjetësimi në tregun e punës, si brenda dhe jashtë vendit, që është i regjistruar në përputhje me të gjitha rregullat ligjore të zbatuara nga qeveria turke, duke krijuar lidhjet mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve, sipas kërkesave të secilës pale. ISKUR gjithashtu konstaton problemet e punëtorëve dhe punëdhënësve, ndërsa mundëson hartimin e politikave, që prodhojnë zgjidhje për këto probleme.

Agjencia Turke e Punësimit ofron:

  • Ndërmjetësim në tregun e punës brenda vendit;
  • Ndërmjetësim në fushën e arsimit dhe shkollimit brenda vendit;
  • Formime profesionale në të gjitha fushat brenda vendit;
  • Punësimin në kompani serioze dhe prestigjioze në kohë konkurruese, në bazë të aftësive të punëkërkuesit;
  • Filtrimin e punëkërkuesve nga një staf profesionist;
  • Bashkëpunim me kompani lidere në tregun e punës;
  • Ndërmjetësim në tregun e punës jashtë vendit;
  • Ndërmjetësim në fushën e arsimit dhe shkollimit jashtë Republikës së Turqisë;
  • Dhe shërbime të tjera.

Bashkë me hovin në rritje të zhvillimit ekonomik të vendit, në qendër të politikave të ISKUR është renditur edhe zgjidhja e problemeve në lidhje me nevojën për personel të kualifikuar. Gjatë ditëve të kaluara, ministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, Suleyman Soylu, publikoi një raport me informacione të hollësishme për vendet e reja të punës, që janë hapur në Turqi, si dhe për rolin e Agjencisë Turke të Punësimit në këtë suazë. Sipas raportit në fjalë, qeveria turke ka akorduar në 11 vitet e fundit një fond prej 58 miliardë lirash turke (TL) për nxitjen e punësimit dhe gjatë kësaj periudhe punësimi është rritur në 27,5%, nga 20,7% që ishte më parë. Ndër të tjera, ministri Soylu bëri me dije se 200.000 persona do të përfitojnë nga programet shtetërore për fuqinë punëtore aktive gjatë vitit 2016. Ai dha gjithashtu sihariqin se në dallim me vitet e mëparshme, tashmë nga programet për stimulimin e fuqisë punëtore do të përfitojnë edhe bankat, sindikatat, shoqatat profesionale dhe disa institucione të tjera, si dhomat industriale e tregtare.

ISKUR implementon aktualisht programe të llojllojshme për të rritur punësimin në Turqi dhe për të siguruar fuqinë punëtore të kualifikuar, që kërkohet nga punëdhënësit. Në kuadrin e planeve të saj, Agjencia Turke e Punësimit thekson se programet më të frekuentuara janë “Trajnimi dhe Praktika Sipërmarrëse", i cili synon nxitjen e të rinjve për të investuar; si dhe “Trajnimi në Vendin e Punës", që mbështetet nga punëdhënësit për të plotësuar kërkesën e tyre për kuadro të kualifikuara.

Si përfundim, krijimi i vendeve të reja të punës dhe rritja ekonomike është një çështje me rëndësi madhore për vendet e industrializuara dhe ato në zhvillim, sidomos në aspektin e mirëqenies së qytetarëve. Në këtë drejtim, shtetet e zhvilluara janë përpjekur të rrisin punësimin duke hartuar një sërë politikash të reja, veçanërisht pas krizës financiare botërore të 2008-s. Kurse Turqia, si një vend që është prekur relativisht më pak nga kjo krizë, punon me ngulm që të renditet në mesin e ekonomive të zhvilluara deri në vitin 2023 duke zbatuar politika të shumta për nxitjen e rritjes së punësimit dhe për zhvillimin ekonomik. Përveç nxitjes së investimeve, sigurimi i fuqisë punëtore të kualifikuar përbën bazën e politikave dhe programeve stimuluese të punësimit në Turqi, ku një rol me peshë luan edhe ISKUR. Gjatë 11 viteve të fundit, Ankaraja zyrtare ka shpenzuar plot 58 miliardë TL për programet e nxitjes së fuqisë punëtore duke shënuar një rritje deri në 7% të punësimit në vend. Krahas këtyre, 200.000 qytetarë do të përfitojnë nga programet shtetërore për fuqinë punëtore aktive gjatë vitit 2016. Rritja ekonomike e Turqisë do të marrë hov më shumë falë vazhdimësisë së politikave dhe programeve stimuluese të investimeve e punësimit, të domosdoshme këto për rritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Turqisë.


Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme