Vazhdon hetimi për shpërthimin e Ankarasë

12 prokurorë ndjekin procesin hetimor për zbardhjen e sulmit me autobombë në Ankara, ndërkohë që jeta në Kizilay i është kthyer normalitetit.

Vazhdon hetimi për shpërthimin e Ankarasë

Në 11 spitale të ndryshme të Ankarasë vazhdon kurimi i 35 të plagosurve në sulmin e pabesë terroristë që tronditi kryeqytetin turk të dielën në mbrëmje.

11 nga të plagosurit janë të shtruar në repartin e trajtimit intensiv.

Ndërkohë ka përfunduar identifikimi i viktimave të sulmit terrorist me autobombë. Familjarëve u janë dorëzuar 35 kufoma që ruheshin në spitalin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërsa veprimet e varrimit të personave që humbën jetën në këtë sulm të pabesë vazhdojnë edhe sot.

Në mesin e viktimave që gjetën vdekjen në vendngjarje bëjnë pjesë edhe dy terroristët që realizuan sulmin kamikaz.

Punimet në lidhje me analizat e ADN-së mbi kufomat e terroristëve vazhdojnë ende.

Vazhdon me ritme të shpejta edhe procesi hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Për hetimin e rastit janë ngarkuar me detyrë 12 prokurorë.

11 personat e ndaluar deri më tani si të dyshuar vazhdojnë të merren në pyetje në Policinë e Ankarasë.

Në qendrën e kryeqytetit turk, Kizilay, aty ku ndodhi edhe sulmi, jeta i është kthyer normalitetit.

Gjatë natës pjesa ku ndodhi shpërthimi mbi Bulevardin e Ataturkut u asfaltua dhe është hapur për qarkullimin e makinave.

Banorët e Ankarasë vizitojnë vendin e ngjarjes dhe vendosin karafila.


Lajme të ngjashme