Koment – Faqe e re në marrëdhëniet Turqi-Iran

Vizita e fundit e Kryeministrit të Turqisë, Ahmet Davutoglu, në Iran, kishte rëndësi të madhe nga aspekti i mosmarrëveshjes politike ndërmjet dy vendeve, për shkak të krizës siriane.

Koment – Faqe e re në marrëdhëniet Turqi-Iran

Në periudhën përpara Pranverës Arabe, politika e jashtme turke kishte ndërmarrë një nismë të re, të vlerësuar lartë edhe nga bota, në lidhje me Lindjen e Mesme. Gjatë kësaj periudhe, marrëdhëniet e Turqisë me vendet e rajonit ishin zhvilluar edhe më shumë në prizmin tregtar, ekonomik dhe politik. Ishte krijuar një klimë bashkëpunimi e paparë më herët në historinë republikane për Turqinë.

Kjo situatë kishte pasqyruar efekte pozitive edhe në marrëdhëniet me Iranin. Turqia së bashku me Brazilin kishin marrë përsipër rolin e ndërmjetësuesit në zgjidhjen e problemit ndërmjet shoqërisë ndërkombëtare dhe Iranit për shkak të programit të tij bërthamor. Njëkohësisht, Ankaraja mbështeste fuqishëm të drejtën e Teheranit për të shfrytëzuar energjinë nukleare për qëllime paqësore.

Por në rastin e krizës siriane të dyja këto shtete u pozicionuan në pole të kundërta me njëra-tjetrën. Krahas luftës civile në Siri, Turqia me Iranin përjetuan divergjenca edhe në lidhje me problemet në Irak, Liban e Jemen. Po ashtu, Teherani nuk e ka pritur mirë as bashkëpunimin strategjik, që po zhvillohet me shpejtësi veçanërisht gjatë vitit të fundit ndërmjet Turqisë dhe Arabisë Saudite. Si pasojë e të gjitha këtyre ngjarjeve, marrëdhëniet politike dhe tregtare Turqi-Iran kanë hyrë në një trend rënieje që prej vitit 2012 e në vijim. Kjo duket qartë edhe në shifra: Vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve ishte 22 miliardë dollarë në 2012-n, ndërkohë që në vitin 2015 shkëmbimet tregtare Turqi-Iran pësuan një rënie deri në nivelin e rreth 10 miliardë dollarëve.

Sakaq, vizita e Kryeministrit Davutoglu javën e kaluar në Teheran dha sinjalet e shumëpritura për hapjen e një faqeje të re ndërmjet dy vendeve. Pavarësisht divergjencave në problemet rajonale të sipërcituara, Turqia dhe Irani ranë dakord në këto 5 pika për Sirinë:

  • Çështjet rajonale duhet të zgjidhen nga vetë shtetet e rajonit.
  • Aktorët jashtërajonal nuk duhet të jenë përcaktues në çështjet rajonale.
  • Ruajtja e tërësisë territoriale të Sirisë është e padiskutueshme.
  • Mbështetja e armëpushimit aktual është një situatë në interesin e të gjitha palëve.
  • Duhet të tregohet kujdes maksimal për aftësinë përfaqësuese të tablosë, që do të krijohet në përpjekje për t'i gjetur zgjidhje krizës siriane.

Gjatë kësaj vizite, që kishte cilësinë e riparimit të thyerjes Ankara-Teheran në boshtin e Sirisë, një tjetër synim ishte rigjallërimi i marrëdhënieve ekonomike dhe përshpejtimi i tregtisë. Turqia aspiron zhvillimin e marrëdhënieve të saj ekonomike me Iranin, një vend ky që është rehatuar si rezultat i shfuqizimit të sanksioneve ndërkombëtare. Është e qartë se zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike do të ketë një ndikim pozitiv edhe në konsolidimin e atyre politike. Kryeministri Davutoglu ka theksuar se qëllimi është që vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve të arrijë nivelin e 30 miliardë dollarëve brenda tri viteve të ardhshme. Të dyja shtetet do të përpiqen për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e energjisë, në sektorin bankar dhe në turizëm, ndërsa do të punojnë së bashku për ndërlidhjen e porteve dhe rrjeteve hekurudhore e rrugore. Po ashtu, është vendosur për zgjerimin e përfshirjes së marrëveshjes për tregti preferenciale.

Vëllimi aktual i eksporteve të Turqisë drejt Iranit është rreth 3,6 miliardë dollarë në vit. Afro 200 firma turke ushtrojnë aktivitet në Iran dhe investimet e tyre kapin vlerën totale të 2,1 miliardë dollarëve. Brenda një kohe të shkurtër, kompanitë turke pritet të bëjnë investime të reja në Iran, sidomos në veshmbathje dhe tekstile në përgjithësi, në sektorin e ndërtimit dhe veçanërisht në ndërtimin e qendrave tregtare, rrugëve e hekurudhave; në fushën e energjisë, në hoteleri-turizëm dhe në sektorin e automobilistikës.

Mirëpo cilat janë zhvillimet që mundësuan hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet Turqi-Iran?

Së pari, zgjedhjet e fundit në të dyja këto vende rivendosën besimin ndaj qeverive aktuale. Duke qenë se të dyja këto qeveri, e Ankarasë dhe e Teheranit, kanë një vullnet të përbashkët për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, fillimi i një periudhe të re bëhet edhe më i thjeshtë, pasi rruga është e hapur. Së dyti, rol të rëndësishëm në afrimin e fundit Ankara-Teheran ka luajtur përfshirja e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Rusisë në zhvillimet rajonale duke e justifikuar këtë me praninë e DAESH-it. Lakimi i mundësisë së copëtimit të Sirisë fillimisht nga Uashingtoni dhe më pas i asaj të një shteti federal nga Moska, shkaktoi shqetësime të përbashkëta tek Irani dhe Turqia. Prania e shqetësimeve të përbashkëta i shtyu natyrshëm këto dy vende që të kërkojnë rrugët e bashkëveprimit mbi bazën e interesave reciproke. Në zgjidhjen e krizës siriane sipas rrethanave të sotme, bëhet fjalë që SHBA-të dhe Rusia të dalin një hap përpara dhe të kërkojnë kufizimin e kontributit të aksit Ankara-Teheran; gjë kjo që për rrjedhojë shkakton kokëçarje tek vendimmarrësit e këtyre dy fuqive rajonale.

Tani për tani ka shumë faktorë përcaktues në sesinë e trajtës, që ecuria e marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Iranit do të marrë gjatë periudhës në vijim. Zhvillimet në Siri kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë se përvetësimi i luftës vetëm si politikë nuk sjell asgjë tjetër veçse shkatërrim. Rruga për t'i dhënë fund një orë e më parë kësaj situate kalon, mbi të gjitha, nga shmangia e ndërsjellë e retorizmit margjinalizues dhe luftënxitës. Për të arritur këtë gjë, nevojitet një përqendrim tek emëruesit e përbashkët dhe jo te divergjencat. Në këtë pikë i domosdoshëm bëhet angazhimi i mekanizmave dhe metodave politike, që përjashtojnë tërësisht luftën. Rritja e varësisë reciproke dhe reduktimi në minimum i problemeve do të ishin më mirë dhe më të dobishme për të dyja vendet. Po ashtu, jashtë mase do të lehtësohej edhe hapja e një faqeje të re në marrëdhëniet Turqi-Iran. Në anën tjetër, rilindja përmes Procesit të Zgjidhjes (së problemit të terrorit në vend) është një situatë e ndërlikuar, e cila nuk varet vetëm nga dinamikat e brendshme turke; pasi është mjaft e vështirë të kërkosh dhe të gjesh zgjidhjen e problemit kurd në një mënyrë të izoluar nga zhvillimet rajonale. I parë në këtë prizëm, riafrimi ndërmjet Turqisë dhe Iranit është tërësisht me rëndësi madhore për stabilitetin e rajonit.


Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme