Stafi i doganave të Kosovës do të trajnohet nga oficerë doganorë të Turqisë

Ndërmjet Doganave të Kosovës e të Turqisë do të krijohen grupe të përbashkëta teknike për të lehtësuar tregtinë, njëkohësisht për ta luftuar evazionin fiskal.

Stafi i doganave të Kosovës do të trajnohet nga oficerë doganorë të Turqisë

Në Kosovë ka qëndruar një delegacion i doganave të Turqisë, kryesuar nga drejtori Xhenap Ashci (Cenap Aşçı). Gjatë kësaj, ata kanë zhvilluar një takim miqësor me drejtorin e doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili pas takimit u shpreh:

“Sot kisha kënaqësinë që ta kem mikun tim në vizitë në doganën e Kosovës, drejtorin e përgjithshëm të doganave të Turqisë. Biseduam për progresin që kanë arritur dy doganat faktikisht, si doganat e Kosovës por edhe dogana e Turqisë por edhe sfidat që na presin në të ardhmen sidomos doganën e Kosovës. Poashtu biseduam edhe lidhur me implementimin e marrëveshjes bilaterale që e kemi mes dy doganave, që është e lidhur mes dy qeverive tona."

Marrëveshja e arritur më herët nga dy qeveritë, përfshin edhe obligime, thotë drejtori Rafuna:

“Në bazë të asaj marrëveshjeje kemi një varg obligimesh si obligimi për shkëmbimin e të dhënave që na ndihmon shumë në luftimin e evazionit fiskal."

Doganat e Kosovës dhe të Turqisë kanë një bashkëpunim të shkëlqyer, potencoi më tej Refuna:

“Është një bashkëpunim i shkëlqyeshëm. Tani u pajtuam të krijojmë edhe grupe të përbashkëta teknike ku në baza të rregullta do të ulen e do të shohin se sa ka ende hapësirë për të bashkëpunuar në fushën e shkëmbimit të të dhënave në mënyrë që ta lehtësojmë tregtinë e ligjshme dhe ta luftojmë evazionin fiskal."

Dy drejtorët kanë biseduar edhe për çështje tjera:

“Fusha e dytë që biseduam ishte shkëmbimi i trajnimeve të stafit doganor. Dogana e Turqisë ka një sektor shumë të avancuar të trajnimeve dhe u dakorduam që ne të përgatisim program të trajnimeve ku stafi i doganës do të trajnohet nga oficerët doganorë të doganës së Turqisë. Si dhe fusha e tretë ishte bashkëpunimi për ti ndihmuar Kosovës për tu anëtarësuar në institucionet ndërkombëtare."

Edhe drejtori i Doganave të Turqisë, Xhenap Ashcë u shpreh i kënaqur me takimin.

“Biseduam për progresin që kanë arritur dy doganat. Ishte një takim për intensifikimin e bashkëpunimit. Ndihemi tw lumtur qw kemi qenw ndwr shtetet e para qw e kemi njohur pavarwsinw e Kosovws si dhe kemi kënaqësinë të shohim zhvillimin e përvitshëm të Kosovës sa herë që vimë këtu", u shpreh Ashci.

Ai tha se synimi i tyre është intensifikimi i marrëdhënieve.

“Synimi kryesor është të ngritim në nivel më të lartë marrëdhëniet tregtare mes dy shteteve tona me lidhje kulturore e vëllazërore. Duke e bërë këtë, poashtu kemi qëllim të shkëmbejmë përvoja në fusha të ndryshme të doganave."

Nga takimet dyditore, drejtori i Doganave të Turqisë shprehu besimin se janë arritur rezultate të rëndësishme.

“Si dy administrata doganore do ti kryejmë detyrat që kanë të bëjnë me lehtësimin e tregtisë, por në këtë drejtim poashtu nuk do ta harrojmë luftimin e tregtisë jo të ligjshme. Në të njëjtën kohë, ne si anëtar të Organizatës Botërore të Doganave, po vazhdojmë përkrahjen e vendit vëlla Kosovës për anëtarësim në çdo mekanizëm ndërkombëtar."

Programi për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme, KOSME, organizoi Forumin për sektorin privat.

Konferenca kishte për qëllim bashkimin e përfaqësueseve të institucioneve përkatëse në Kosovë, për të elaboruar nga këndvështrime të ndryshme zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat dhe ekonomik në Kosovë.

Ngjarja njëkohësisht ishte aktiviteti përfundimtar dhe më i rëndësishëm i organizuar nga projekti tre-vjeçar KOSME.
Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se sektori privat, si shtyllë kryesore e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, është një prioritet në rritje.

“I lënë anash për decenie me radhë, i konfrontuar me sfida strukturore e tranzitore, ky sektor, e në veçanti Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme e kanë pasur të vështirë të përmbushin misionin e tyre: zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin e eksportit, jetësimin e produkteve e shërbimeve inovative dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët tanë."

Ajo në vazhdim theksoi se nga institucionet e Republikës së Kosovës kërkohet më shumë angazhim për krijimin e kushteve për një qeverisje ekonomike më efektive, për mbizotërimin e konkurrencës së lirë dhe ndërtimin e bazës zhvillimore.

“Mbështetja e sektorit privat është përgjegjësi institucionale. Ne nuk guxojmë të kursejmë mundin për të kontribuuar në ngritjen e sfidave përballë, pesha e të cilave na ka qëndruar vazhdimisht mbi supe. Ne duhet të hapim rrugën përpara. Asnjëherë nuk mund të humbin shpresat për të ardhmen dhe duhet të kuptojmë që nuk mund t'i shmangemi përgjegjësive tona. Sa më herët që përballemi me këto sfida, aq më mirë për ne dhe gjeneratat që vijnë."


Prioritetet janë të qarta, tha më tej Jahjaga. Politikë-bërja ekonomike duhet të bazohet në programe të mirëfillta mbështetëse e në të dhëna e hulumtime të besueshme.

“Programet si KOSME kanë dhënë një kontribut të fuqishëm në këtë drejtim. Për krijimin e rritjes ekonomike, aq të nevojshme për zbutjen e varfërisë dhe papunësisë, duhet mënjanuar pengesat që e ndalojnë këtë rritje."

Presidentja tha se për këtë qëllim, në fillim të vitit që mbeti pas, i ka paraqitur Qeverisë së Kosovës një listë të masave ekonomike, që duhej të ndërmerreshin menjëherë, në mënyrë që disa nga pengesat të mënjanohen.

“Ndër masat e propozuara ishin edhe draftimi i ligjit të ri të prokurimit publik për të ulur shkallën e keqpërdorimeve dhe shkallën e korrupsionit. Jam e lumtur që këtë ligj e dekretova pak ditë më parë. Kam kërkuar, mes të tjerash, zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare për të ulur deficitin buxhetor, draftimin e ligjit për investime strategjike, për të tërhequr investime të huaja dhe hartimin e strategjisë për zhbllokimin e resurseve natyrore. Pres nga Qeveria që të përshpejtojë përpjekjet për përmbylljen e kësaj pakoje të masave dhe që reformat në dobi të zhvillimit të sektorit privat të marrin drejtimin e duhur."

Presidentja u ndal edhe tek vizitat që i kishte bërë bashkë me drejtuesit e Odave Ekonomike në Kosovë.

“Në bashkëpunim me Odat Ekonomike të cilat veprojnë në Kosovë, në fillim të këtij viti kam filluar vizitat nëpër komuna të Kosovës, për të nxitur një dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe investimet e huaja. Është tashmë e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të rendit dhe të ligjit dhe me konkurrencë të barabartë."

Ajo tha se qëllimi i këtyre vizitave kishte adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave, për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë, në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në vendin tonë.

“Në përballjen tonë me këto sfida, ne nuk jemi të vetëm. Në takimet që kam pasur me presidentin austriak z. Fischer dhe me homologen time zvicerane, znj. Sommaruga, temë mbizotëruese ka qenë ekonomia. Austria e Zvicra janë ndër mbështetëset kryesore të Kosovës në rrugën e saj të forcimit të shtetësisë e të zhvillimit ekonomik. Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim Zhvillimor, siç e dëshmon edhe ky program, janë ndër kontribuuesit kryesorë të ndihmës zhvillimore në Kosovë. Këto dy shtete janë edhe shtëpi e dytë e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës, të cilët me kapacitetet e tyre profesionale e financiare janë bërë shtyllë e fuqishme e prosperitetit të vendit tonë, të Kosovës."

Programi KOSME është vënë në jetë pikërisht nga pjesëtarë të diasporës, të cilët kanë ndërtuar sinergjitë më të mira me qeveritë e Austrisë e të Zvicrës, për të çuar përpara zhvillimin e sektorit privat.

“Këtu nuk mund ta lë pa ju falënderuar personalisht edhe juve, ish-zëvendës-kancelar Busek, sepse kur pushtuesi na i kishte mbyllur shkollat e universitetet tona në gjuhën amtare, ju ishit ai, që si ministër i edukimit në Austri hapët portat për studentët shqiptarë dhe ju mundësuat atyre që me dijen e mbledhur atje të ndihmojnë sot në rimëkëmbjen e vendit tonë. Ju faleminderit shumë!"

Ajo më tej tha se përpjekjet e përbashkëta për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës duhet të shtohen.

“Më shumë vende pune, më pak varfëri, më shumë siguri, të gjitha këto duhet të bëhen të mundura përmes zhvillimit të sektorit privat. Dialogu me ndërmarrësit duhet të jetë përherë i hapur e duhet të jetë gjithnjë konstruktiv. Ju uroj, prandaj, një forum të suksesshëm dhe frytdhënës."

Kurse, Ish koordinator special i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore Erhard Busek ka thënë se Kosova është në një fazë kritike, por duhet lëvizur përpara. Në këtë drejtim, ai thotë se palët e përfshira duhet të kenë mirëkuptim, dhe se gazi lotsjellës nuk është argument për të ardhmen.

“Ju jeni tani në një fazë kritike, keni disa vështirësi, por mendoj se duhet të lëvizni përpara. Nuk kritikoj aktorët, por mendoj se gazi lotsjellës nuk është argument për të ardhmen. Nuk kritikoj grupet politike, por kritikojë se ju nevojitet mirëkuptim i përbashkët, e që kjo është e rëndësishme në mënyrë ekstreme. Ju nevojiten dallimet, po ashtu ju nevojitet mirëkuptim i përbashkët për të ardhmen e Kosovës."

Ndryshe, nga hulumtimet e Programit për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme, Kosme, ka dalë se mbi 60% e NVM-ve preferojnë grante dhe subvencione si burim të financimit. Poashtu thuhet se gjendja ekonomike, korrupsioni, jostabiliteti politik janë ndër rreziqet kryesore për investime.

Ndër të gjeturat e tjera interesante është se NVM-të eksportuese ankohen se marrin pak mbështetje nga qeveria, shoqatat e biznesit, donatorët. NVM-të eksportuese kanë nevojë për një strategji promovuese dhe të brendingut. Gjetja e klientëve të huaj është pengesë e madhe për shumë NVM eksportuese. NVM-të eksportuese kanë rritje; ato jo-eksportuese shpesh luftojnë për mbijetesë. NVM-të kosovare kryesisht investojnë në teknologji, punësim dhe trajnim. Cilësia e lartë e produktit është faktori më i rëndësishëm i suksesit në eksport. Kurse si sfida për mikro-ndërmarrjet janë gjetja e klientëve (44%) si dhe qasja në financa (46%).

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme