Koment – Sektori i bujqësisë në Turqi dhe efeket e tij ekonomike

Në këtë artikull do t’ju informojmë në lidhje me sektorin e bujqësisë, kontributin e tij në ekonomi dhe zhvillimet bujqësore në Turqi.

Koment – Sektori i bujqësisë në Turqi dhe efeket e tij ekonomike

Njeriu ka disa nevoja bazë, siç janë ushqimi, veshmbathja dhe strehimi, për të siguruar kushtet minimale të jetesës. Rrjedhimisht, bujqësia është me rëndësi jetike për të gjitha vendet, qofshin ato të varfra, në zhvillim apo të industrializuara. Përveçse plotëson nevojën e një populli për ushqim, sektori i bujqësisë kontribuon në shumë fusha të ndryshme të lidhura me mirëqenien e qytetarëve, industrinë dhe ekonominë e një vendi. Për shembull: Një kalli gruri, në arë kontribuon si burim ushqimi dhe të ardhurash për fermerin; në fabrikën e miellit si burim punësimi, ushqimi dhe të ardhurash për punëtorët e saj; ndërsa në ekonominë e vendit krijon vlerë të shtuar.

Po ashtu, një numër i madh produktesh të sektorit të bujqësisë përdoren si inpute të lëndës bazë në industrinë e vendit. I trajtuar nga ky aspekt, një sektor i zhvilluar i bujqësisë ngre nivelin e shëndetit publik duke mundësuar ushqimin e rregullt dhe sistematik të qytetarëve, krijon punësim, siguron rritjen e industrialistëve duke iu dhënë atyre lëndën bazë, si dhe kontribuon në ekonominë e vendit. Sektori i bujqësisë subvencionohet me mënyra të ndryshme në shumë vende në zhvillim dhe të zhvilluara të botës. Falë këtyre subvencioneve për prodhuesit e sektorit të bujqësisë, shtetet marrin nën garanci edhe prodhimin e rregullt bujqësor.

Midis atyre në zhvillim e sipër, Turqia është një vend që jep stimuj seriozë për sektorin e bujqësisë. Shteti turk, për të garantuar ushqim të rregullt dhe të shëndetshëm për popullsinë e tij në rritje të shpejtë, ofron subvencione me fokus cilësinë, prodhimtarinë dhe zhvillimin rural në sektorin e bujqësisë. Në këtë sektor, Ankaraja zyrtare jep subvencione të llojllojshme sipas të gjitha proceseve, duke filluar nga prodhimi, të korrat, përpunimi i produktit e deri tek shitja e tij për konsumatorin. Disa nga stimujt më të rëndësishëm, që qeveria turke i jep sektorit të bujqësisë, janë këto: Subvencioni për naftën, plehun dhe analizën e tokës; ai për prodhimin e lajthisë; subvencionet për lulediellin, kolzën, misrin, pambukun, grurin, elbin dhe produkte të ngjashme me këto, të cilat shfrytëzohen edhe në prodhimin industrial; si dhe subvencioni për bujqësinë organike.

Buletini i Zhvillimit Bujqësor, që publikohet periodikisht nga Ministria e Bujqësisë, pasqyron disa të dhëna të hollësishme në lidhje me kontributet, që qeveria turke ka dhënë sidomos gjatë 10 viteve të fundit për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend. Sipas këtyre të dhënave, vlera e përgjithshme e subvencioneve për bujqësinë në periudhën 2003-2014 është 70 miliardë lira turke (TL). Ndërsa shuma totale e subvencioneve për produktet bujqësore me rëndësi strategjike ka arritur në 20,7 miliardë TL. Gjatë harkut kohor nga viti 2006 deri në 2014-n, për fermerët me aktivitet në 81 provincat e vendit janë prerë gjithsej 4,5 milionë polica të sigurimit për rimbursimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore apo nga problemet e tjera; ndërkohë që fermerëve u janë paguar 1,4 miliardë TL si asistencë për kontributet. Sakaq, dëmshpërblimet për fermerët në të njëjtën periudhë kanë arritur në 1,7 miliardë TL.

Si përfundim, bujqësia është një sektor me rëndësi jetike për vendet në zhvillim dhe ato të industrializuara. Përveçse plotëson nevojat themelore të njeriut, siç janë ushqimi dhe veshmbathja, ai krijon edhe vende të reja pune për qytetarët e një vendi. Industrialistët gjithashtu kontribuojnë në rënien e papunësisë dhe rritjen ekonomike të shtetit duke ngritur fabrika, që përpunojnë prodhimet bujqësore. Si një vend në mesin e atyre në zhvillim dhe me një popullsi me rritje të vrullshme, edhe Turqia stimulon fuqishëm sektorin e bujqësisë në shumë drejtime. Në të gjitha proceset bujqësore, duke nisur që nga prodhimi e deri tek shitja e produktit, qeveria turke ofron një sërë subvencionesh; përmes të cilave stimulohet jo vetëm zhvillimi urban, por edhe ai rural. Në këtë mënyrë, zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit bujqësor do të vazhdojë të rrisë mirëqenien e qytetarëve, të ulë nivelin e papunësisë dhe të kontribuojë në rritjen ekonomike të Turqisë.

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabuk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme