Koment – Qeveria e unitetit kombëtar në Libi, ndërhyrja e jashtme e dytë dhe Turqia

Libia duket se drejtohet nga dy qeveri që prej gjysmës së vitit 2014 dhe që nga ajo kohë e deri më sot vijojnë përpjekjet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar.

Koment – Qeveria e unitetit kombëtar në Libi, ndërhyrja e jashtme e dytë dhe Turqia

Nga ajo ditë e këtej diskutohet madje nëse do të ketë apo jo një ndërhyrje të jashtme të dytë në këtë vend. Por pas gjysmës së dytë të 2014-s, ndërhyrja e jashtme në Libi u shndërrua në një çështje mjaft të lakuar. Flitej edhe për emrat e shteteve që do të përfshiheshin në ndërhyrje. Ato çka nuk diheshin ishin mënyra sesi dhe koha kur do të kryhej ndërhyrja, me cilët elementë brenda Libisë do të bashkëveprohej, si dhe cila do të ishte forma e marrëveshjes ndërmjet këtyre grupeve.

Pas zgjedhjeve të 7 korrikut 2012, të cilat u mbajtën në përputhje me kriteret demokratike, asnjë forcë politike në Kongresin e Përgjithshëm Kombëtar nuk zotëronte shumicën e mjaftueshme për të qeverisur vendin. Rrjedhimisht, qeveria e formuar pas zgjedhjeve kishte cilësinë e qeverisë së unitetit kombëtar, ku kryesisht përfaqësoheshin të gjitha forcat politike. Megjithatë Kongresi i Përgjithshëm Kombëtar nuk arriti të funksionojë si një kuvend i bashkimit kombëtar. Ndërmjet bllokut të partive të mbledhura përreth Vëllezërve Myslimanë dhe koalicionit politik të udhëhequr nga Mahmoud Jibril, një nga kryeministrat e periudhës së tranzicionit përpara zgjedhjeve, u përjetua një rivalitet i tensionuar. Lufta e ashpër për pushtet midis politikanëve solli me vete përleshje mes forcave të milicisë, të cilat nuk ishin spastruar dot pas rrëzimit të regjimit të Muammar Gaddafit. Në Libi kishte mbi 200 grupe aktive të milicisë dhe të paktën 200.000 trupa milicie.

Arsyeja që në Libi nuk u realizua dot një likuidim i ngjashëm me atë të Vëllezërve Myslimanë në Egjipt, gjatë verës së vitit 2013, ishte fakti që koalicioni politik, në të cilin bënte pjesë edhe kjo lëvizje, kishte nën urdhra një forcë milicie të konsiderueshme dhe mjaft të efektshme. Në gjysmën e parë të 2014-s, angazhimi i Gjeneralit Khalifa Belqasim Haftar, i njohur për lidhjet e tij me CIA-n, përmes një skenari nën bashkautorësinë e vendeve të Gjirit dhe Egjiptit, e koklaviti edhe më tepër situatën politiko-ushtarake në Libi. Haftari, i cili ishte një figurë e pasivizuar pas rrëzimit të Gaddafit, u riaktivizua si me magji. Ai nisi një luftë ushtarake për tjetërsimin, margjinalizimin dhe izolimin e Vëllezërve Myslimanë duke fituar menjëherë mbështetjen e Mahmoud Jibrilit dhe aleatëve të tij. Ndërsa për të ligjësuar veten në arenën ndërkombëtare, Gjenerali Haftar përvetësoi sloganin e luftës kundër terrorit.

Duke nisur nga muaji qershor 2014, në zonat lindore dhe perëndimore të vendit filluan përleshjet ndërmjet grupeve të ndryshme të milicisë. Njëkohësisht u shfaqën edhe dy qeveri kundërshtare të njëra-tjetrës: Qeveria e Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar me seli në kryeqytetin Tripoli, bërthama e të cilës formohej nga Vëllezërit Myslimanë dhe milicët e Misuratës; si dhe Qeveria e Dhomës së Përfaqësuesve me seli në qytetin Tobruk, në pjesën lindore të vendit. Mirëpo shoqëria ndërkombëtare njohu si qeveri zyrtare atë të Dhomës së Përfaqësuesve, formuar si rezultat i zgjedhjeve të qershorit 2014, që u mbajtën nën një nivel pjesëmarrjeje me cilësi përfaqësimi shumë të ulët.

Përshkallëzimi i vazhdueshëm i paqëndrueshmërisë në këtë vend u hapi rrugën dy zhvillimeve duke ngritur ndërhyrjen ushtarake përsëri në rendin e ditës së vendeve perëndimore: Libia ishte kthyer në qendrën e itinerarit të emigrantëve, që kërkonin të shkonin nga Afrika në Evropë; ndërsa DAESH-i kishte gjetur terren të përshtatshëm në Libi dhe kishte zgjeruar fushën e influencës.

Ndërkohë që luftimet ndërmjet dy kampeve në Libi po shkonin me vrull drejt luftës civile, Turqia u bë shteti i parë që shqetësohej nga kjo ecuri dhe bëri një hap të rëndësishëm në përpjekje për të ndërmjetësuar palët. Mirëpo Turqia, e cila ndjek politikën e dialogut me çdo grupim politik, u shpallë armike nga qeveria libiane me seli në Tobruk për shkak se nuk mbante qëndrim kundërshtar ndaj Vëllezërve Myslimanë, ashtu siç bënin vendet e tjera. Kur kuptuan se trupat e Gjeneralit Haftar, pavarësisht mbështetjes së vendeve të Gjirit dhe të Egjiptit, nuk do të dominonin dot përballë forcave të armatosura të qeverisë me seli në Tripoli, vendet perëndimore përvetësuan rrugën e dialogut për pajtim mes palëve dhe për themelimin e qeverisë së unitetit kombëtar me ndërmjetësimin e OKB-së.

Qeveria e Tobrukut, e njohur zyrtarisht nga vendet perëndimore, u ka bërë këtyre të fundit me dhjetëra thirrje për ndërhyrje të jashtme në Libi. Madje për një kohë të caktuar ka marrë gjithashtu mbështetjen e Egjiptit dhe atë të Emirateve të Bashkuara Arabe. Por ngurrimi i fuqive perëndimore e ka shtyrë Kajron që të heqë dorë nga ndihma ushtarake dhe të orientohet drejt mbështetjes politike. Qeveria me seli në Tobruk i ka bërë thirrje për ndërhyrje bile edhe Rusisë. Mirëpo vendet perëndimore duhet të kenë menduar se një ndërhyrje e jashtme, që do të bëhej duke u bazuar vetëm në ftesën e qeverisë në Tobruk, nuk do të gëzonte ligjshmërinë e nevojshme.

Grupet formuese të qeverisë me seli në Tripoli, të cilat nuk kanë besim tek formacionet politike përbërëse të qeverisë në Tobruk, me në krye simpatizantët e Gjeneralit Haftar, nuk i shikonin me sy të mirë nismat e ndërmjetësimit përmes OKB-së. Turqia u angazhua pikërisht në këtë situatë dhe luajti një rol me peshë për të bindur qeverinë e Tripolit për t'u ulur në tavolinën e bisedimeve. Përcaktues në këtë qasje të Turqisë është realiteti konkret i Libisë: Duket qartë se asnjëra nga të dyja palët nuk do të mund të dominojë tjetrën brenda një kohe të shkurtër dhe vazhdimi i luftimeve po e shtyn Libinë drejt një gremine të thellë. Rrjedhimisht, në lidhje me këtë çështje Turqia ka përvetësuar një qëndrim, që i jep përparësi stabilitetit të Libisë.

Në kuadër të bashkëbisedimeve të realizuara në muajt korrik dhe dhjetor 2015, qeveria me seli në Tripoli dhe ajo me qendër në Tobruk kanë arritur të eliminojnë shumicën e divergjencave mes tyre. Këshilli i Ministrave, që u përcaktua nga organi i quajtur Qeveria e Pajtimit Kombëtar, formuar nga 9 anëtarë në suazën e marrëveshjeve të arritura mes palëve si rezultat i negociatave, nuk është miratuar nga qeveria në Tobruk duke kërkuar që të mos ketë më tepër se 17 ministra. Kabineti i ri, që u formua më pas, pret aktualisht miratimin e Qeverisë së Dhomës së Përfaqësuesve.

Por sakaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur në Libi operacione me mjete ajrore të telekomanduara (dron). Rreth një javë më parë, dronët amerikanë kanë goditur pozicionet e DAESH-it në afërsi të kryeqytetit Tripoli. Ndërsa një dokument i publikuar nga shtypi vërteton se Franca ka dërguar në Bengazi një ekip të vogël me forca speciale për t'u shkuar në ndihmë njësive të Gjeneralit Haftar. Kjo situatë demonstron fare qartë se tashmë vendet perëndimore nuk kanë ndërmend të presin më shumë për një ndërhyrje ushtarake në Libi. Prandaj është e sigurt se ato do të ushtrojnë presion që Qeveria e Dhomës së Përfaqësuesve të miratojë urgjentisht kabinetin e ri.


Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme