Merkel: Është gjetur fondi prej 3 miliardë eurosh për Turqinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi sot se është gjetur fondi prej 3 miliardë eurosh, që do t'i jepet Turqisë si ndihmë për emigrantët.

Merkel: Është gjetur fondi prej 3 miliardë eurosh për Turqinë

Pjesëmarrëse në një emision televiziv në kanalin “ARD", Angela Merkel theksoi gjithashtu se ka filluar implementimi i projekteve të para për zgjidhjen e krizës së emigrantëve.

“Së bashku me Holandën dhe Komisionin e Bashkimit Evropian po punojmë me Turqinë mbi një zgjidhje të arsyeshme. Uroj dhe shpresoj që zgjidhja do të dalë nga samiti Turqi-BE, i cili do të mbahet javën e ardhshme (7 mars)", tha ajo.

Merkel e cilësoi këtë proces si “një periudhë shumë të rëndësishme të historisë sonë" dhe shtoi se “askush nuk duhet të besojë se kriza e emigrantëve do të zgjidhjet duke mbyllur kufijtë".

Shefja e Berlinit zyrtar nënvizoi se angazhimi i Ankarasë është i qartë për sa i takon përfshirjes së NATO-s, mbrojtjes së kufijve dhe bashkëpunimit me Frontex-in; ndërsa kritikoi veçanërisht shtetet ballkanike, të cilat kanë filluar të kërkojnë zgjidhje individuale, teksa vazhdojnë ende bisedimet për gjetjen e zgjidhjes në lidhje me krizën e emigrantëve.

“Nuk është aspak e drejtë që nga njëra anë t'i thuash Turqisë se po bëj marrëveshje me ty, por nuk besoj se do të arrihet; prandaj po kërkoj zgjidhjen time", u shpreh ajo.

“Ky është një hap madhor, që Turqia ka bërë për zgjidhjen. Kur të vërehet se kufijtë po mbrohen, do të vlerësohet pozitivisht ideja e pranimit të refugjatëve për lehtësimin e barrës së Turqisë. Unë jam për vazhdimësinë e kësaj rruge, të cilën e vlerësoj si të drejtë", shtoi Angela Merkel.

Kancelarja gjermane theksoi se po përpiqet për të mbajtur në këmbë idenë e Evropës së bashkuar, ndërsa përcolli mesazhin se do të vazhdojë me këmbëngulje politikat e ndjekura prej saj deri më sot.

Në fund, Merkel vuri në pah se nuk do të dorëzohet në rast të dështimit të bisedimeve lidhur me krizën e emigrantëve në samitin BE-Turqi, që do të mbahet më datë 7 mars; por do të vijojë punimet për t'i gjetur zgjidhje kësaj çështjeje në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian, më 17-18 mars.



Lajme të ngjashme