Izraeli: Turqia, itinerar shpresdhënës për gazin e Mesdheut drejt Evropës

Ministri izraelit i Energjetikës, Yuval Steinitz, deklaroi se itinerari i Turqisë për transmetimin e gazit natyror të Mesdheut Lindor drejt Evropës është shpresëdhënës.

Izraeli: Turqia, itinerar shpresdhënës për gazin e Mesdheut drejt Evropës

Steinitz bëri vlerësime lidhur me itinerarin Turqi-Greqi për transmetimin e gazit izraelit drejt Evropës në një dalje publike gjatë punimeve të Konferencës Energjetike “IHS CERAWeek 2016", që organizohet në qytetin Huston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kërkesa e Turqisë për gaz do të rritet. Tregu turk dhe opsioni për t'i shitur Evropës gaz përmes Turqisë janë shpresëdhënës", tha ministri izraelit i Energjetikës duke vënë theksin mbi tregun turk të gazit natyror.

Yuval Steinitz nënvizoi domosdoshmërinë e kapërcimit të problemeve diplomatike ndërmjet Tel-Avivit dhe Ankarasë.

“Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve duhet të normalizohen për të jetësuar këtë projekt. Uroj dhe shpresoj që kjo të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur. Të dyja palët po shfaqin vullnet të madh në këtë drejtim. Jam i bindur se problemet do të zgjidhen gjatë javëve apo muajve në vijim", u shpreh ai.

Ministri Steinitz tërhoqi vëmendjen se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Turqisë dhe Izraelit janë të fuqishme, ndërsa potencoi se gjetja e fushave të reja gazmbajtëse në Mesdheun Lindor do të intensifikojë bashkëpunimin energjetik midis Turqisë, Izraelit, Qipros, Greqisë dhe Egjiptit, duke kontribuuar në këtë mënyrë edhe për vendosjen e stabilitetit në rajon.



Lajme të ngjashme