Davutoglu paralajmëron Rusinë: Terrori është bumerang, një ditë kthehet e ju godet

Kryeministri Ahmet Davutoglu i bëri këto deklarata në dalje nga Shtatmadhoria e Turqisë, ku realizoi një vizitë ngushëlluese për sulmit terrorist të së mërkurës në zemër të kryeqytetit.

435334
Davutoglu paralajmëron Rusinë: Terrori është bumerang, një ditë kthehet e ju godet

Ahmet Davutoglu deklaroi se autori i sulmit terrorist në Ankara, që shkaktoi vdekjen e 28 personave dhe plagosjen e 61 të tjerëve, quhej Saleh Nejar, i lindur në Siri dhe anëtar i organizatës terroriste, YPG, e cila mbështetet nga vendet aleate të Turqisë.

“Tashmë e kemi zbardhur të gjithë çështjen në lidhe me autorët e sulmit. Këtë akt terrorist e kanë organizuar anëtarët e organizatës terroriste dhe separatiste brenda Turqisë së bashku me një pjesëtar të YPG-së. Ky person është anëtar i PKK-së dhe njëherësh i YPG-së. Kemi zbuluar lidhjen e sulmit me organizatën terroriste, YPG. Personi quhet Saleh Nejar, lindur në Amuda të Sirisë, në vitin 1992", nënvizoi shefi i Ankarasë zyrtare.

YPG-ja, vijoi ai, është një vegël e regjimit sirian dhe ky i fundit është përgjegjës i drejtpërdrejtë i këtij sulmi; prandaj kjo na jep të drejtën për të ndërmarrë çdo lloj mase kundër regjimit në Siri.

“Padyshim që çmimin e këtij sulmi do ta paguajnë shtrenjtë. Cili është çmimi? Kur dhe si do ta paguajnë? Këto i dimë ne, por në kufi do të marrim të gjitha llojet e masave, përfshi këtu dhe vetëmbrojtjen. Madje kundër këtyre elementëve tradhtarë dhe mashave të fuqive të huaja do të kundërpërgjigjemi pa asnjë hezitim në mënyrën më të fuqishme të mundshme", shtoi Davutoglu.

Kreu i ekzekutivit turk u ndal edhe mbi bisedimet ndërkombëtare në lidhje me zgjidhjen e krizës në Siri.

“Me këtë rast, pas këtij sulmi terrorist këtu, i drejtohem edhe një tjetër herë atyre që duan të ftojnë YPG-në në tavolinën e negociatave, sikur të ishte një element demokratik. Organizata terroriste, YPG, nuk mund të ulet në tavolinën e bisedimeve, saktësisht ashtu siç nuk mund të jenë në këtë tryezë negociatash Al-Kaida me DAESH-in", theksoi ai.

“Paralajmëroj edhe një tjetër herë Rusinë, vend ky që kohëve të fundit mbështet nga ajri YPG-në për të avancuar drejt Azazit dhe bombardon njerëzit e pafajshëm, që të mos shfrytëzojë organizatën terroriste kundër Turqisë dhe popullatës civile apo njerëzve të pafajshëm në Siri. Dje, Moska e dënoi këtë sulm terroriste. Kjo është një shenjë e mirë, por dënimi nuk është i mjaftueshëm. Le ta dinë mirë të gjitha ata, që aspirojnë të përdorin terrorin si gur shahu kundër Turqisë, se terrori është si bumerangu, që kthehet e godet edhe vetë ata", përfundoi Kryeministri Davutoglu.


Lajme të ngjashme