Davutoglu: Terroristët e YPG/PYD-së janë mercenarë të Rusisë

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, deklaroi sot se anëtarët e organizatës terroriste, PYD, janë mercenarë (ushtarë me rrogë – shën. i përkth.) të administratës së Moskës.

Davutoglu: Terroristët e YPG/PYD-së janë mercenarë të Rusisë

Shefi i Ankarasë zyrtare tha se vendi i tij do t'u kundërpërgjigjet këtyre për të penguar sulmet kundër Azazit në Siri, ndërsa theksoi se përparimi në këtë qytezë i organizatës terroriste, YPG, është ndalur pas operacionit të Forcave të Armatosura të Turqisë.

Davutoglu potencoi në një fjalim drejtuar grupit parlamentar të Partisë AK (Drejtësi dhe Zhvillim), që drejtohet prej tij, se Turqia nuk është përgjegjëse për rrezikun e luftës në Siri.

“Thonë se dënojnë bombardimet kundër civilëve në Halep, por thoni haptazi kush janë autorët e këtij bombardimi. Ne e themi qartë dhe me zë të lartë: Janë avionët e poshtër rusë. Në rast se afrohen, elementët e YPG-së edhe këtej e tutje do të pësojnë prej nesh reagimin më të fuqishëm. Ata që nuk arrijnë të shikojnë luftën e vërtetë, shkruajnë skenarë imagjinarë se Turqia po hyn në luftë. Nëse në Siri ka rrezik lufte, Turqia nuk do të jetë kurrë shkaktare e saj", u shpreh ai.

Kreu i ekzekutivit turk vuri në pah se në rajon po bëhet një gjenocid i vetëdijshëm duke nxjerrë si pretekst organizatën terroriste, DAESH.

“YPG-ja dhe PYD-ja janë legjionarë dhe mercenarë të planeve rajonale të Rusisë. Ato nuk janë kurrsesi përfaqësues të kurdëve dhe të Sirisë. Në Halep dhe në Siri synohet që të qëndrojnë vetëm simpatizantët e regjimit dhe të syrgjynosen të gjithë të tjerët. Kjo ngjan me strategjinë, që Rusia ka ndjekur edhe në Çeçeni", theksoi Kryeministri Davutoglu.



Lajme të ngjashme