Koment – Sektori i pasurive të patundshme dhe zhvillimi ekonomik në Turqi

Në këtë artikull do t’ju informojmë rreth zhvillimeve në sektorin e pasurive të patundshme në Turqi dhe për efektet e këtij sektori në rritjen ekonomike të vendit.

Koment – Sektori i pasurive të patundshme dhe zhvillimi ekonomik në Turqi

Sektori i patundshmërive renditet mes atyre më të mëdhenj, që krijojnë vende të reja pune në ekonomitë e shteteve, ashtu si dhe sektori i ndërtimit apo i turizmit. Së bashku me fillimin e rënies së normave të interesit, veçanërisht pas krizës financiare aziatike të vitit 1997, sektori i pasurive të patundshme nisi të jetojë epokën e artë në shkallë botërore. Kjo fushë garanton një sërë kontributesh në ekonomitë e vendeve në zhvillim dhe atyre të industrializuara. Ai ushqen një numër të madh sektorësh të tjerë, ku ia vlen të përmenden ai bankar, financiar dhe i materialeve të ndërtimit, duke rritur nivelin e punësimit madje edhe në këta sektorë. Përveç këtyre, një pjesë e patundshmërive, që u shiten të huajve sidomos në shtetet në zhvillim e sipër, mundëson hyrjen e sasive të bollshme të valutës në vend. Rritja e kapitalit të vendeve siguron rënien e normave të interesit dhe rritjen e natyrshme të investimeve të tjera.

Në Turqi, sektori i pasurive të patundshme ka kaluar një periudhë rritjeje të pandërprerë mes viteve 2002-2007. Falë rënies së normave të interesit gjatë kësaj periudhe, qytetarët turq kanë gjetur shansin për të marrë kredi të arsyeshme dhe me norma interesi të ulëta duke i shfrytëzuar ato në blerjen e patundshmërive, veçanërisht banesa, dyqane e biznese. Në këtë hark kohor, sektori i pasurive të patundshme në ekonominë e Turqisë ka krijuar gjithashtu një numër jashtëzakonisht të madh të vendeve të reja të punës. Kurse në vitin 2008, ky sektor ka pësuar një tkurrje të lehtë 2-vjeçare për shkak të krizës financiare globale. Por, menjëherë pas vitit 2009, sektori turk i patundshmërive ka nisur sërish të shënojë rritje dhe të kontribuojë fuqishëm në ekonominë e vendit.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK), sektori turk i patundshmërive e ka përmbyllur vitin 2015 me një rekord në shitjen e banesave. Agjencitë e pasurive të patundshme në Turqi kanë shitur në total 1 milion e 165 mijë banesa në vitin 2014, kurse në 2015-n është thyer një rekord i ri me gjithsej 1 milion e 289 mijë shtëpi të shitura. Brenda këtyre të dhënave, një rritje e madhe është regjistruar edhe në shitjen e banesave për shtetasit e huaj. Niveli i shtëpive të shitura të huajve gjatë vitit të kaluar është rritur me 20,4% në krahasim me 2014-n, për një total prej 22 mijë e 830 banesash. Stambolli, me gjithsej 7 mijë e 493 banesa, ka zënë vendin e parë për nga numri i shtëpive të blera nga të huajt; ndërsa në vend të dytë është renditur Antalia, me 6 mijë e 72 banesa. Gjatë kësaj periudhe, një interesim të madh për sektorin e pasurive të patundshme në Turqi kanë shfaqur edhe shtetasit e vendeve të Lindjes së Mesme. Qytetarët irakianë kanë blerë 4 mijë e 228 shtëpi, kurse ata sauditë 2 mijë e 740 të tilla në Turqi.

Ndërkaq, falë edhe përshpejtimit të projekteve të transformimit urban, sektori i patundshmërive në Turqi do të vazhdojë të ofrojë shanse të shumta si për investitorët vendas, si për ata të huaj. Shfrytëzimi i mirë i këtyre shanseve do të mundësojë vijimësinë e efekteve pozitive të sektorit të pasurive të patundshme mbi rritjen ekonomike të Turqisë.

Përfundimisht, sektori i pasurive të patundshme, së bashku me sektorët dhe nënsektorët e tjerë të ndërtimtarisë e turizmit, që gjithashtu kontribuojnë fort në uljen e nivelit të papunësisë, është me rëndësi madhore për ekonomitë e vendeve në zhvillim. Ndërkohë që garanton punësim si për fuqinë punëtore të kualifikuar, ashtu dhe për atë të gjysmëkualifikuar, sektori i pasurive të patundshme ndihmon rrjedhimisht në zhvillimin e shumë sektorëve dhe nënsektorëve të tjerë. Paralelisht me atë të patundshmërive rriten edhe shumë sektorë të tjerë dhe më të rëndësishmit mes tyre janë ai bankar, financiar e padyshim sektori i materialeve të ndërtimit. Ndërsa shitja e pasurive të patundshme shtetasve të huaj sjell sasi të mëdha valute në vend, gjë kjo që kontribuon ndjeshëm në uljen e normave të interesit dhe rritjen e investimeve, punësimit e zhvillimit në përgjithësi.

Si një ndër shtetet në krye në listës së ekonomive në zhvillim, edhe Turqia ofron një numër të madh shansesh në sektorin e pasurive të patundshme. Në këtë aspekt, sektori i patundshmërive në Turqi për vitin 2015 ka thyer një rekord të ri në shitjen e banesave. Kurse Plani i Transformimit Urban, mbi të cilin jemi ndalur veçanërisht në disa shkrime të mëparshme, është vetëm një prej stimujve të shtetit turk për sektorin e pasurive të patundshme. Falë ekonomisë së saj në zhvillim, Turqia klasifikohet njëherësh në mesin e vendeve më të parapëlqyera nga të huajt për investime në patundshmëri. E parë në këtë suazë, sektori i pasurive të patundshme duket se do të vazhdojë të zhvillohet me ritme të shpejta, të kontribuojë në ekonominë turke dhe rrjedhimisht në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Turqisë.


Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli - Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk", Karabuk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme