Koment – Politika e Kinës për Lindjen e Mesme

Qëndrueshmëria e stabilitetit politik kinez varet nga vijimësia e zhvillimit ekonomik pa humbur shumë nga shpejtësia, ndërsa vazhdimësia e zhvillimit ekonomik është kryesisht e varur nga garantimi i sigurisë energjetike.

xi jinping-hasan ruhani2
xi jinping-kerry
xi jinping-haydar el-abadi

Republika Popullore e Kinës ka arritur të ketë një zhvillim ekonomik të vrullshëm deri në ditën e sotme falë politikave ekonomike, që Pekini zyrtar ndjek prej vitit 1979. Ky proces e ka bërë shtetin me popullsinë më të madhe në botë çdo ditë e më shumë të varur ndaj naftës së Lindjes së Mesme. Gati 50% e naftës, që Kina konsumon sot, importohen nga rajoni në fjalë dhe gjatë viteve në vijim kjo varësi do të jetë akoma më e madhe.

Rrjedhimisht, garantimi i trafikut të pandërprerë të naftës së Lindjes së Mesme ka një rëndësi madhore për Kinën. Qëndrueshmëria e stabilitetit politik kinez varet nga vijimësia e zhvillimit ekonomik pa humbur shumë nga shpejtësia, ndërsa vazhdimësia e zhvillimit ekonomik është kryesisht e varur nga garantimi i sigurisë energjetike.

Në përpjekje për të garantuar sigurinë energjetike të vendit, Pekini njëherësh i ka kushtuar rëndësi forcimit të varësisë ekonomike të ndërsjellë me vendet eksportuese të naftës në Lindjen e Mesme dhe është shndërruar në një prej partnerëve ekonomiko-tregtarë dominant të rajonit. Krahas marrëdhënieve tregtare, ky shtet gjigant i Azisë jo vetëm që ka investuar me miliarda dollarë në Iran, Irak dhe në vendet e tjera të Gjirit Persik, por edhe i ka orientuar këto vende të pasura me hidrokarbure, sidomos Katarin, që të bëjnë investime të Kinë. Sakaq, Pekini po bën përpjekje maksimale për të arritur edhe një marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet e Gjirit.

Miq të vyer! I parë nga aspekti i Pekinit, stabiliteti i rajonit të Lindjes së Mesme është i domosdoshëm si për të përballuar nevojën e Kinës për energji, ashtu dhe për të garantuar sigurinë e investimeve të vendit. Megjithatë Kina përpiqet edhe të mos i fusë shumë hundët në politikën e koklavitur të rajonit. Derimë sot, në vend të aleancave strategjike, që përfshijnë përgjegjësi të ndërsjella, ky shtet ka parapëlqyer që të shtyjë në plan të parë marrëdhëniet e varësisë reciproke.

Mirëpo situata, në të cilën rajoni ndodhet prej një kohe relativisht të gjatë, ka vite që e detyron Pekinin për të bërë lëvizje të rëndësishme gjeopolitike. Pikërisht për këtë synim dhe për të marrë në dorë kontrollin e sigurisë energjetike të vendit, Kina ka filluar të bëjë hapa të shpejtë në rrugën e zgjerimit dhe përsosjes së flotës detare.

Atëherë, vetoja që vendosi Kina në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër ndërhyrjes ndërkombëtare në Siri, a nuk duhet kuptuar se ajo renditet në krah të aleancës, e cila mban në këmbë regjimin sirian? Nëse përgjigjja e kësaj pyetjeje është “po", vallë a nuk bie Pekini në kontradiktë me vetë politikën e tij, që më sipër u përpoqëm të përmbledhim me pak fjalë?

Arsyeja e vetos së Pekinit në Këshillin e Sigurimi të Kombeve të Bashkuara, një votë kjo që bashkë me atë të Moskës i mbylli portën ndërhyrjes ndërkombëtare, nuk ka të bëjë me një pjesëmarrje në aleancën ndërmjet Iranit, regjimit të Esadit dhe Rusisë. Pasi Kina nuk e kishte penguar ndërhyrjen ndaj Libisë në mars të vitit 2011. Por, duke qenë se ndërhyrja shumëkombëshe në fjalë kishte marrë trajtën e një projekti për ndryshimin e regjimit, Pekini nuk ka dashur që një diçka e ngjashme të jetësohet edhe në Siri. Përse?

Sepse, në marrëdhëniet ndërkombëtare, Kina është ende një mbrojtëse e flaktë dhe jashtëzakonisht këmbëngulëse e parimit për të mos u përzierë në punët e brendshme të shtetkombeve. Pekini është i mendimit që në rast se kjo formon precedent dhe më pas kthehet në praktikë, atëherë intervencioni mund të bëhet një zhvillim, që do t'u shkaktojë atyre kokëçarje të mëdha në të ardhmen.

Ndërkohë, Presidenti kinez, Xi Jinping, realizoi javën e kaluar një turne vizitash zyrtare në Lindjen e Mesme, ku përfshiheshin Arabia Saudite, Egjipti dhe Irani. Faktikisht, këto vizita do të zhvilloheshin në prill të vitit të kaluar dhe nuk parashikohej një ndalesë në Iran; por ato u shtynë për një datë tjetër, meqenëse asokohe mund të komentoheshin si një miratim i ndërhyrjes së udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen. Irani nuk përfshihej as në turneun e vizitave të javës së kaluar në rajon. Mirëpo ekzekutimi i klerikut shiit, Nimr Baqir al-Nimr, nga autoritetet saudite në ditët e para të 2016-s, krijoi një dilemë të ngjashme me atë të prillit 2015; të cilën Presidenti Jinping e kapërceu duke shtuar edhe Iranin në programin e vizitave.

Përfshirja e Iranit në turneu e vizitave të kryetarit të shtetit kinez në Lindjen e Mesme bëri të mundur që Pekini të përcjellë lehtësisht mesazhin se nuk është palë në tenisonimin Teheran-Riad. Në të njëjtën kohë, realizimi i vizitës menjëherë pas heqjes së sanksioneve perëndimore kundër Iranit ka edhe një peshë të veçantë. Për t'i bërë pritë një reagimi të mundshëm saudit ndaj përfshirjes së Iranit në programin e vizitave në Lindjen e Mesme, Xi Jinping ka bërë një deklaratë në cilësinë e mbështetjes së sovranitetit të qeverisë jemenase. Prapëseprapë, në mënyrë që kjo deklaratë të mos perceptohej si mbështetje për ndërhyrjen e udhëhequr nga Riadi në Jemen, fjalët ishin zgjedhur me kujdesin maksimal.

Qëndrimi i mbajtur nga Xi Jinpingu në këtë turne vizitash ishte ndryshe nga ai i zakonshmi i Kinës, e cila përpiqej t'i shmangej intervencionit. Ky ndryshim s'është bërë vetëm për të garantuar interesat tregtare të Pekinit. Nga këndvështrimi i autoriteteve shtetërore kineze, tashmë Lindja e Mesme është kaq e rëndësishme saqë nuk mund t'iu lihet të tjerëve. Rrokullisja e rajonit në kaos mund të sjellë një kosto tërësisht të papërballueshme për Kinën. Prandaj drejtuesit e këtij shteti po bëjnë hapa konkrete me mendimin se ka kaluar koha e rolit të spektatorit. Në një klimë të tillë, ku tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia nuk luajnë më rolin e stabilizatorit ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite, Kina ka vendosur që ta mbushë vetë këtë vakum, si një fuqi që gëzon marrëdhëniet të mira me të dyja palët. Synimi është parandalimi i një konflikti të nxehtë, që do të shkaktonte ndërprerje të rrjedhës së naftës nga rajoni dhe për pasojë efekte negative në ekonominë kineze.

Ky program vizitash në Lindjen e Mesme mbart rëndësi shumë të madhe edhe nga aspekti i konsolidimit të nismës “Një brez dhe një rrugë" (B&R), që po jetësohet nga Pekini dhe që është projekti i zhvillimit ekonomik më ambicioz i historisë. Në kuadër të projektit në fjalë, Kina nga njëra anë gjen shansin e zgjerimit në tregje të reja në Azi dhe Evropë, nga ana tjetër ofron shumë mundësi të reja për një sërë vendesh të Lindjes së Mesme. Sipas llogarive të Pekinit, tensionimi në rajon do të ulet si rezultat i një klime fito-fito (win-win), që do të krijohet për të gjithë në prizmin ekonomiko-tregtar, falë marrëdhënieve të varësisë së ndërsjellë.

“Raporti i Politikës Arabe të Kinës", që u publikua përpara vizitës së lartpërmendur, kishte ngjallur idenë se Pekini do të vazhdonte këmbënguljen në politikat e kujdesshme dhe të matura të mëparshme. Mirëpo përvetësimi nga Presidenti Xi Jinping i një qasjeje të tillë, që themelon partneritete strategjike me vendet e përfshira në programin e vizitave në Lindjen e Mesme dhe njëherësh merr mbi vete rolin e stabilizatorit ndërmjet tyre, tregon qartë se Kina do të ndërmarrë tashmë në rajon edhe iniciativa vetjake pa u bërë palë e tensionimeve.

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme